Kombëtarja mund të luajë në Shkodër
Ndeshjet e para eliminatore për Euro 2012, Kombëtarja shqiptare mund t'i luajë në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës. Problemet me drejtorinë e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" do ta detyrojnë FSHF-në që sfidën ndaj Luksemburgut, më 7 shtator, ta spostojnë drejt qytetit verior. Nga sa mësohet, dje në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv është diskutuar për këtë problem. Në fakt, pritej që të miratoheshin çmimet e biletave për ndeshjet Shqipëri-Luksemburg dhe Shqipëri-Bosnjë, por kjo nuk ndodhi, pasi FSHF ende nuk ka arritur të firmosë një kontratë me stadiumin "Qemal Stafa" për edicionin e ri. Burime të sigurta pranë anëtarëve të KE-së bënë të ditur për "Panorama Sport", se nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët me stadiumin "Qemal Stafa", atëherë është e sigurt se ndeshja e parë eliminatore në fushën tonë ndaj Luksemburgut do të luhet në Shkodër. "Loro Boriçi" është i dyti stadium në vend që plotëson kriteret e UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare. Gjithsesi, deri në muajin shtator mendohet se do të gjendet një zgjidhje, edhe pse në FSHF duket se janë më skeptikë se kurrë për kontratën e re me "Qemal Stafën". Nga ana tjetër, drejtori i këtij të fundit, Gazmend Sallaku, akuzon institucionin e futbollit shqiptar, si shkaktar të kësaj situate. J.M.