E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, në Maqedoni për të harruar një vit të turpshëm

MAQEDONI- Kombëtarja shqiptare do të luajë sot në orën 13 ndeshjen e fundit për vitin 2011, që mbyllet me një ecuri katastrofike, me 7 humbje në 10 ndeshje të zhvilluara deri më tani. Bëhet fjalë për një nga periudhat më të tmerrshme në historinë e ekipit kuqezi, të paktën që pas vitit 2000. Por, kjo statistikë e keqe mund të përmirësohet sadopak me një fitore ndaj përfaqësueses së Maqedonisë, në stadiumin "Goce Delcev", në Prilep. Futbollistët shqiptarë janë shprehur të vendosur për të fituar këtë ndeshje miqësore, ndonëse kanë probleme të shumta me dëmtimet, me tifozët që u kanë kthyer shpinën, me trajnerin që ende nuk është emëruar dhe me besimin e lëkundur. "Unë shpresoj që të rinjtë të tregojnë veten, pasi është ndeshja e fundit e këtij viti, - deklaroi mbrojtësi kosovar Armend Dallku, një nga fajtorët e disfatës me Azerbajxhanin ditën e premte. - Shpresoj ta mbyllim me fitore këtë vit për t'i harruar rezultatet e fundit që nuk ishin aspak të mira për ne. Shpresojmë të luajmë mirë, ndonëse edhe me Azerbajxhanin luajtëm mirë, por na mungoi fati", ka thënë më tej ai. Në të vërtetë, 2011-ta është vlerësuar tepër e dobët për Kombëtaren. Kjo bëri që Federata Shqiptare e Futbollistë të ndërpresë kontratën me trajnerin Josip Kuzhe, që pas një nisjeje të shkëlqyer, zhgënjeu në "performancën" e tij në muajt e fundit. Në mungesë të një trajneri të parë, ekipin po e drejton trajneri i Përfaqësueses U17, Xhemal Mustedanagiç. Bilanci negativ u përkeqësua edhe më shumë të premten, kur Kombëtarja humbi në Tiranë nga Azerbajxhani (0- 1). Kjo, së bashku me humbjen në eliminatore nga ekipi më i dobët i grupit D, Luksemburgu 2-1 u vlerësuan më të rëndat nga të shtatë humbjet e këtij viti.

MUSTEDANAGIÇ
Tekniku i kombëtares shqiptare për ndeshjen e sotme, Xhemal Mustedanagiç, shpreson që përballja me Maqedoninë të shërbejë për të kthyer besimin në ekip. Ky besim mori një tjetër goditje të premten në "Qemal Stafa", kur Azerbajxhani modest arriti të fitonte falë një goli të minutës së 22-të. "Shpresoj shumë se kjo ndeshje do të na rikthejë besimin në radhët tona, si te futbollistët e stafi drejtues, ashtu edhe te tifozët tanë që kanë qenë gjithnjë përkrah nesh duke na mbështetur fort", ka thënë Mustedanagiç.

MAQEDONASIT
Të njëjtën gjë - kthimin e besimit në skuadër, kërkojnë edhe futbollistët maqedonas. Edhe ata kanë pasur një vit të vështirë, pasi nga tetë ndeshje që kanë zhvilluar, vetëm dy kanë fituar. "Trajneri ka mundësinë t'i shohë të gjithë futbollistët dhe pastaj të vendosë për të ardhmen e tyre te Maqedonia. Gjithashtu, edhe futbollistët e rinj do të kenë rastin të dëshmojnë cilësitë e tyre, pasi tani nis ndërtimi i ekipit për eliminatoret e Botërorit 2014", ka thënë presidenti i Federatës Maqedonase, Haralampie Hadzi-Risteski, gjatë vizitës që u ka bërë futbollistëve të hënën në Ohër, ku po përgatiten për ndeshjen me Shqipërinë.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›