Kombetarja ne syte e Otos

Pas gati 17 muajsh punë - i ka mbetur vetëm muaji nëntor nga përfundimi i kontratës së parë – tekniku është njeriu që e njeh më mirë se kushdo tjetër skuadrën e tij, me të cilën ka marrë 11 pikë në 10 ndeshje, duke vendosur edhe një rekord barazimesh (5). Por, si i vlerëson repartet kroati?
PORTA
" Përpara se të filloja zyrtarisht punë në Shqipëri, pashë statistikat e ekipit që do të merrja në dorëzim. Thuajse në cdo ndeshje pësonim gola, një apo më shumë. Kjo ishte përpara një viti. Tani kemi gjetur një portier shumë të mirë (Beqaj) dhe kemi një zëvendësues të zot (Hidin). Unë besoj se e kemi zgjidhur për shumë vite portën. Por në listë kemi edhe dy-tre portierë të mirë që luajnë me Kombëtaren U-21 (Saimir Ujkani, Palermo dhe Enea Koliqi, Iraklis). Unë i kam parë ata dhe jam i bindur se ata do të shkëlqejnë me Kombëtaren kur të luajnë me të.
MBROJTJA
"Reparti që kam më shumë besim. Kemi Dedën, i cili nuk ishte në Kombëtare para meje. Ai ka një personalitet të madh si lojtar dhe unë gjeta fjalët e duhura për të folur me të. Ai ka probleme te Tirana, por te Kombëtarja ai është në super formë. Vlerat e Currit njihen nga të gjithë. Beqiri gjithashtu tregoi formë të mirë në ato pak ndeshje që luajti në kohën time. Dallku, nga ana tjetër , është një lojtar që mund të luajë disa role, edhe ofensive. Edhe Kristi Vangjeli është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm. Me të ardhme është edhe Rrustemaj, edhe pse nuk luan në kampionat. Edhe Andi Lila më pëlqeu shumë në ndeshjen Besa-Partizani".
MESFUSHA
"Këtu ndërtohet edhe strategjia ime. Pasi aty nis e mbrohesh dhe i bën presion të hapët kundërshtarit. Lala vazhdon të jetë konstant në lojën e tij. Skela është në gjendje shumë të mirë. Humbi penalltinë me Bullgarinë, por kjo nuk është asgjë me atë që ai i ka dhënë ekipit. Cana është një lojtar i rëndësishëm, por nuk duhet të harrojmë se ai na ka sjellë jo pak shqetësime. Bylykbashi është gjithashtu një lojtar interesant. Unë e thirra atë dhe më la përshtypje të mira. Është e natyrshme që duhet të vazhdoj të mendoj edhe për Hykën dhe Bakajn. Mendoj se duhen edhe dy-tre të tjerë. Nëse do të kisha Sotir Ninin, do të ishim akoma më të fortë, por kjo nuk vlen më tani".
SULMI
"Është problemi im më i madh dhe kryesor. Unë vazhdoj të besoj te sulmuesit që kam në dispozicion, por ne nuk arrijmë të shënojmë shumë gola nga sulmuesit, kur ata duhet të jenë të parët. Unë besoj te rritja e Salihit, unë shpresoj që dhe Kapllani ta rigjejë formën e tij dhe natyrshëm pres akoma më shumë nga Bushi dhe Bogdani, dy nga golashënuesit më të mirë të Shqipërisë. Bogdani, 10 ndeshje pa gol? Shikoni, ai po kalon momente të vështira edhe me Livornon, që është e fundit në ligën italiane. Unë shpresoj që ai të shënojë, pasi do të më duhet të gjej lojtarë të tjerë. Kjo është logjike".