Tragjedi në bregdet, humb jetën 39-vjeçari dhe nipi
DURRES - Dy plazhistë kanë humbur jetën në rrethana tragjike në një plazh të largët të Durrësit. Bardhyl Zeqollari, 39 vjeç dhe nipi i tij Alban Zeqollari, 18 vjeç, janë mbytur në det teksa po bënin plazh në Fushë-Draç, (fshat bregdetar i Ishmit në gjirin e Lalëzit). Dëshmitarët, të cilët janë tronditur thellë nga kjo ngjarje, kanë arritur të nxjerrin nga deti trupin e pajetë të Bardhylit, ndërsa dy orë më pas u gjet edhe trupi i adoleshentit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur forcat e para të policisë së lokalitetit Shën-Pjetër mbërritën në vendngjarje. Dyshohet se dy plazhistët kanë rënë viktimë e dallgëve, të cilat në atë zonë ngrihen befasisht, sidomos në kohë batice. Ngjarja ka ndodhur në një distancë afro 50 metra nga bregu, aty ku thellësia e detit varion nga 2-2.5 metra. Nuk dihet ende mekanizmi që solli tragjedinë. Sipas gjasave, njëri nga personat është ndjerë keq teksa ka nisur të gëlltisë ujë deti dhe tjetri ka kryer një tentativë të dëshpëruar për shpëtim, e cila ka sjellë tragjedinë e dyfishtë. Ka qenë një ditë e tmerrshme ajo e 9 korrikut për familjen Zeqollari, banore e zonës së “Misto Mame”-s në Tiranë. Bardhyl Zeqollari, Alban Zeqollari dhe Armend Zeqollari (ky i fundit ka shpëtuar gjallë) kishin mbërritur nga Tirana në Shën-Pjetër për të bërë plazh, duke shfrytëzuar dhe rrugën e re që të çon në bregdet. Por pas disa orëve ka ndodhur tragjedia e dyfishtë. Policia e Durrësit ka ngritur urgjentisht një grup hetimi për ngjarjen, por ajo nuk mund të saktësojë ende nëse Armendi ka qenë në rërë apo në det kur u mbytën familjarët e tij të afërt. Dallgët “oqeanike” që krijohen në basenin ujor të Lalëzit janë tejet të rrezikshme. Plazhi i Gjirit të Lalëzit është një perlë e natyrës, por për fat të keq është më i pasigurti i 62 kilometrave vijë bregdetare në qarkun Durrës-Krujë. o.u