Shkuan për hekur, vdesin dy djem
ERSEKE/ JORGJETA GJANÇI
Shkojnë për të grabitur hekur në ish-ndërmarrjen e grumbullimit, vdesin dy djem, 3 plagosen rëndë.
Shembja e çatisë së ndërtesës së amortizuar prej vitesh, në dalje të qytetit të Ersekës, zuri poshtë viktimat, 12 dhe 22 vjeç. Të pestë personat, të afërm mes tyre, të cilët i përkasin moshave nga 7 deri në 23 vjeç, e kishin shndërruar këtë në punë të përditshme për të siguruar jetesën. Por, dëmtimi i konstruktit mbajtës të godinës, solli dhe tragjedinë për familjet Shkoza. Sipas burimeve të policisë së qarkut të Korçës, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30, në dalje të Ersekës, pranë fshatit Psar. Aty ku më parë ndodheshin depot e ish-ndërmarrjes së grumbullimit. Këtë godinë të mbetur pa zot prej kohësh dhe pa asnjë roje, banorët e zonës e kishin shfrytëzuar pas viteve ’90 fillimisht për përfitimin e tullave. Vitet e fundit, me shtimin e kërkesave për hekur, drejt godinës ishte shtuar puna për këtë qëllim, si një burim ku mund të gjendej lënda e parë për skrap. Mes tyre ishin dhe kushërinjtë e parë të fisit Shkoza. Mësohet se fillimisht ata kanë hyrë, duke kontrolluar mjedisin rreth e rrotull, por fati nuk i ndihmoi. Dy më të rriturit u nisën drejt shtyllave prej betoni të magazinës dhe me vare hekuri filluan të thyenin anët e tyre për të nxjerrë hekurin. Ata për afro dy orë i kanë ardhur rrotull betonit për ta shkëputur nga lidhjet që kishte me betonin e tarracës. Askujt nuk i shkoi mendja se kështu po dëmtonin konstruksionin mbajtës të ndërtesës. Në një moment, nga pesha e rëndë tarraca u shkëput nga muret. Në këtë çast, të pestë kanë qenë brenda në magazinë dhe mbi kryet e tyre ka rënë betoni i tarracës, i cili ka vrarë dy prej kushërinjve dhe tre të tjerët i ka plagosur rëndë.
Nën beton përfunduan Altin Etem Shkoza, 23 vjeç, Fatjon Enver Shkoza, 22 vjeç, së bashku me dy vëllezërit e tij E.Sh. 12 vjeç e K.SH, 7 vjeç si dhe kushëriri i tyre, Sh.Shkoza, 12 vjeç. Zhurma e krijuar ka çuar në vendngjarje forca të shumta policie. Ata janë ndjekur nga strukturat e emergjencës civile, reparti i zjarrfikësve dhe mjekë e infermierë të Spitalit Rajonal të Ersekës. Edhe pse ishte e vështirë ngritja e betonit u ndërhy me shpejtësi. Forcat në aksion arritën të nxirrnin nga rrënojat Altin Shkozën, E.Shkozën, K.Shkozën, të cilët u transportuan për ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Ersekës. Këta aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Po nuk patën fatin t’i mbijetonin këtij aksidenti Fatjon Shkoza dhe Sh.Shkoza. Mbi ta kishte rënë një masiv i madh betoni që u kishte shkaktuar vdekjen. Duke iu referuar ngjarjes së rëndë, kryetari i Bashkisë të Ersekës Adriatik Braçe ka pohuar se në këtë qytet familjet e varfra janë të shumta. Mes tyre ishin edhe tri familjet Shkoza, të cilat jetojnë mes varfërisë. “Të tria këto familje rome jetojnë me ndihmë ekonomike dhe jetën e sigurojnë duke mbledhur hekurishte dhe bimë medicinale”, është shprehur Braçe.
Viktimat
Fatjon Enver Shkoza 21-22 vjeç
Sh.Gëzim Shkoza, 10-12 vjeç
Të plagosur
Altin Etem Shkoza, 23 vjeç
E.Enver Shkoza, 12 vjeç
K.Enver Shkoza, 7-8 vjeç