E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët: Na rritën normën e punës, jo rrogën

 

BULQIZE - Minatorë të minierës së kromit Bulqizë janë ankuar ditët e fundit se firma koncesionare ruso-austriake ACR ka rritur normën e punës për vagonistët, ndërkohë që pagesa ka mbetur njësoj. Sipas minatorëve, norma në një turn pune ishte 3 vagonë, por kjo normë është rritur në 4 vagonë e gjysmë. Punëtorët e nëntokës kërcënuan se nëse këto norma nuk ndryshojnë, ata do të lënë vendet e tyre të punës. “Është një punë shumë e lodhshme dhe nuk mund të punojmë me normat e reja. Punojmë në kushte mjaft të rënda, në lagështirë, në praninë e gazrave, ndërkohë tani duhet të lodhemi akoma më shumë dhe të paguhemi si më parë”. Në mbështetje të vagonistëve është vënë edhe Konfederata e Sindikatave. Ndërkohë, drejtori i minierës, Petrit Duva, tha se nuk janë aspak të vërteta pretendimet e vagonistëve. “Nëse një vagonist duhet të nxirrte në thellësinë 400-600 metra 3 vagonë me krom apo inerte, tani që një pjesë e tyre punojnë në thellësi më të vogla, 100-200 metra duhet të nxjerrin 3 vagonë e gjysmë. Pra, nënvizoi Duva, nuk kemi të bëjmë me rritje të normës së punës, por kur thellësia ku punojnë vagonistët është më e madhe kuptohet që kanë normë më të vogël, ndërkohë kur punohet në thellësi më të vogla norma duhet të jetë pak më e madhe”, pohoi drejtori i minierës.                     h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›