Konkurs për monument arsimi
ELBASAN - Bashkia e Elbasanit ka shpallur konkursin për prezantimin e projekteve me qëllim ngritjen e monumentit të arsimit në qytetin e Elbasanit. Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Dritan Cepa, pohoi se është hapur një konkurs, ku të gjithë të interesuarit të paraqesin projektet e tyre për ndërtimin e monumentit të arsimit. "Deri më tani ne jemi në fazën e përzgjedhjes së projekteve të paraqitura nga skulptorët dhe brenda muajit gusht do të shpallim projektin më të mirë për të ngritur monumentin e arsimit", tha Cepa. Në këtë kuadër Bashkia e Elbasanit ka akorduar një fond prej 7 milionë lekësh për ndërtimin e monumentit, i cili do të përfundojë përpara muajit dhjetor, kur shënohet edhe 100-vjetori i hapjes së shkollës së parë të mesme shqipe, Normale. Shkolla e parë e mesme shqiptare çeli dyert në 1 dhjetor të vitit 1909 me vendim të Kongresit të Elbasanit, duke shënuar krijimin e sistemit të parë arsimor në Shqipëri. a.k