E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kombinati me bulevard

07/06/2005  Përfundojnë punimet e rrugës dhe dy lulishteve anash në Kombinat

Përfunduan dje punimet për sistemimin e rrugëve dhe lulishteve në të dy anët e rrugës në Kombinat. Rruga kryesore e Kombinatit është një rrugë e re e zgjeruar dhe e rikonstruktuar në vitin 2003. Rruga është në gjendje mjaft të mirë, e gjerë 12 m, me trotuarë të shtruar me pllaka, që variojnë nga 3-5 m në të dy krahët e rrugës.

Në të dy krahët e rrugës deri te objektet ekzistuese, relativisht të ulëta (2-4 kate), ekzistonte një sipërfaqe rreth 15 m e gjerë e pasistemuar, që ndikonte negativisht në pamjen e rrugës si dhe hapësirat e gjelbërta që i mungonin komunitetit përreth. Përgjatë pjesës jugore ekzistonte një bimësi e çrregullt dhe e pasistemuar, e përbërë kryesisht nga pemë halore dhe bar. Sheshi i ndërrimit të autobusëve paraqitej me dëmtime të lokalizuara të shtresës asfaltike. Si rruga paralele, ashtu edhe sheshi, nuk ishin të ndriçuar.

Gjatë nisjes së punimeve, Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, u shpreh: “Këto lulishte e kthejnë Kombinatin në një nga lagjet më të gjelbëruara në kryeqytet. Ky është vetëm fillimi dhe unë jam i bindur që në vijimësi ne do të shtojmë përmasën e gjelbërt të Tiranës, pasi ky është prioritet i padiskutueshëm i yni”.

Punimet që janë kryer:

- Punimet trajtuan sistemimin e rrugëve dhe hapësirave të gjelbërta në dy anët e rrugës së Kombinatit, si një nga arteriet kryesore hyrëse për në kryeqytet. Sistemimi është kryer në të gjithë gjatësisë që kufizohet nga objektet ekzistuese 2-4-katëshe.

- Vlefta e plotë e objektit ishte 69.999.994 lekë.

- Burim i financimit janë të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.

- Gjatësia e hapësirës që është sistemuar në anën e djathtë të rrugës është 530 metra linearë, nga degëzimi për në Fabrikën e Qelqit, deri te sheshi i ndërrimit të autobusëve.

- Edhe ndriçimi është pjesë e rëndësishme e sistemimit të zonës. Ndriçimi i dy rrugëve dytësore do të realizohet nëpërmjet vendosjes së ndriçuesve të lartë 5 m dhe distancë rreth 20 m në zonën e trotuarit. Në zonën e sheshit të ndërrimit të autobusëve janë vendosur ndriçues rrugorë të lartë rreth 10 m.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›