E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentët: Stazhi duhet hequr

07/06/2005  Lëndët e mbartura të mos bëhen pengesë për të dhënë provime të tjera

Studentët kërkojnë që viti akademik të quhet i mbyllur në sezonin e vjeshtës

Koncepti i stazhit në universitete duhet të ndryshojë, kalimi nga një vit në tjetrin duhet të bëhet në bazë të pikëve të kreditit që ke marrë dhe jo në bazë të numrit të provimeve. Kështu, studentët e Universitetit Politeknik po firmosin një peticion, i cili do t’u paraqitet pedagogëve në mbledhjen e ardhshme të senatit. Eno Zeneli, kryetar i Qeverisë Studentore të Inxhinierisë Mekanike, shpjegon se, aktualisht viti akademik përfundon kur jep provimet e semestrit të dytë, ndërkohë që studentët duan që të konsiderohet i përfunduar në fund të sezonit të riprovimeve (sezioni i vjeshtës).

Stazhi

Pra një student duhet të konsiderohet mbetës, kalon në stazh, në qoftë se në fund të sezonit të riprovimeve ai rezulton mbetës në më shumë provime se sa lejon rregullorja e fakultetit. Me fjalë të tjera, një student duhet të ketë të drejtë të hyjë në sezonin e vjeshtës, edhe në qoftë se rezulton mbetës në më shumë se pesë lëndë. Aktualisht, studenti kalon në stazh nëse edhe në sezonin e vjeshtës ka mbetur në dy provime. Studentët kërkojnë që të konsiderohen mbetës, nëse në fund të vitit akademik (pas riprovimeve) rezulton mbetës në katër ose pesë provime, por në të paktën dy prej tyre duhet të kenë dorëzuar të gjithë detyrimet e lëndës (punët e laboratorit, detyrat e kursit etj).

Lëndët e mbartura

Lëndët e mbartura duhet të mos kenë kufizime vjetore. Pra, nëse një student ka një lëndë të mbartur, ai mund të zgjedhë vetë se në cilën periudhë do të japë provimin për atë lëndë. E thënë ndryshe, lënda e mbartur duhet të mos bëhet pengesë për humbjen e vitit akademik, për aq kohë sa studenti nuk ka kaluar numrin maksimal të lëndëve të mbartura që parashikon rregullorja e fakultetit.

Aktualisht, ka lëndë të caktuara, që, nëse nuk ke marrë njërën, nuk mund të hysh te tjetra semestrin tjetër dhe në vjeshtë ke automatikisht dy provime për të dhënë. Në shumë raste duhet të hiqet nocioni i lëndëve penguese, përveç rasteve kur ato janë me të vërtetë të domosdoshme.

Punët e laboratorit, detyrat e kursit të vlerësohen me notë dhe të kenë pikë në notën përfundimtare

Që studenti të mos mësojë vetëm në sezon, pikë nga detyrat e kursit

Qëllimi i Kartës së Bolonjës është që të detyrojë studentin të mësojë dhe kjo mund të bëhet duke e vlerësuar studentin gjatë gjithë vitit, jo vetëm për provim. Ndërkohë që, sipas Kartës së Bolonjës, 50 për qind të krediteve studenti i merr nga orët në shkollë dhe 50 nga ato të studimit në shtëpi. Në vendin tonë, orët e punës individuale, janë paksa të pallogaritshme. Në mbledhjen e fundit të senatit të Universitetit Politeknik, u vendos që studentët të kalonin më tepër orë në shkollë. Kështu që, pedagogët propozuan që studenti të bëjë 40 orë në javë, që do të thotë 8 orë mësimi në shkollë dhe sidoqoftë kjo s’është metodë normale për të detyruar studentin që të shkojë në auditor. Studentët kërkojnë që të bëhet i mundur vlerësimi i studentëve gjatë gjithë vitit akademik. “Praktika aktuale në fakultetin tonë sot, tregon se megjithëse studentët gjatë gjithë vitit akademik kryejnë detyra kursi, punë laboratori apo edhe punë të pavarur në ushtrime, ato nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveçse për të përcaktuar nëse studenti hyn apo jo në provimin përfundimtar të lëndës”, thotë Eno Zeneli, kryetar i Qeverisë Studentore të Inxhinierisë Mekanike. Pra, punët e bëra gjatë gjithë vitit shënohen thjeshtë me plus për të hyrë në provim, por dijet vlerësohen vetëm në fund të vitit, apo semestrin kur jep provimin.

Ne kërkojmë që vlerësimi, nota të “ndahet” gjatë gjithë vitit akademik, d.m.th. një përqindje e caktuar e notës përfundimtare (rreth 50 për qind) studenti të ketë mundësi ta marrë gjatë vitit akademik me anë të punës së tij të pavarur si dhe me detyrat e kursit, punët e laboratorit dhe projektet e ndryshme. Pra, ka ardhur koha që studenti të vlerësohet edhe për cilësinë e punës së tij gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për sasinë. Kështu, studenti do të jetë aktiv gjatë gjithë vitit akademik, do të jetë i detyruar t’i hapë librat gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm për sezon dhe në të njëjtën kohë do të jetë në gjendje të bëjë një vetëkontroll të dijeve të tij.

Gjithashtu, kjo do të çojë dhe në uljen e abuzimeve apo dhënien e rryshfeteve që bëhen për marrjen e një provimi si nga ana e studentëve, ashtu dhe nga ajo e stafit akademik. Ky sistem vlerësimi, gjithashtu i jep vlefshmërinë e duhur detyrave të kursit, projekteve dhe punëve të laboratorit.

Mënyra e vlerësimit dhe përqindja minimale e sasisë së notës që studenti mund të marrë gjatë vitit akademik me punën e tij individuale, duhet të caktohet që në fillimin e vitit akademik nga Këshilli i Fakultetit, në bashkëpunim me departamentet përkatëse.

Gjithashtu nisur dhe nga praktika evropiane, duhet të bëhet e mundur duke filluar nga viti i ardhshëm akademik që studentët të kenë mundësi të zgjedhin disa prej lëndëve që do të zhvillojnë gjatë vitit. Pra, studenti të jetë në gjendje që në një farë mënyre të caktojë vetë se çfarë është më e mirë për të dhe se çfarë e afron më tepër me tregun e punës.

Mekatronik, dega e re e Universitetit Politeknik

Mekatronik është dega e re, e cila do të hapet në Universitetin Politeknik, është dega që përgatit inxhinierë, të cilët bëjnë shpikje në krijimin e pajisjeve dhe makinave të reja. Kjo degë është zbatimi i mekanikës, elektronikës dhe elektrikes në praktikë. Realisht, pritet që këtë vit nga konkurrentët kjo të jetë dega më e kërkuar, pasi në vendet perëndimore është dhe më e kërkuar në tregun

e punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›