E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reformat? Duhet vullnet e guxim

07/06/2005  Pa dyshim ne e kemi të qartë se ka nevojë për ndryshime dhe gjithashtu pranojmë se kemi përpara një mundësi unike. Pavarësisht nga mendimet që kanë vendet anëtare për propozimet për reforma, ata i marrin këto propozime seriozisht. Por nuk jam i sigurtë nëse ekziston një vullnet politik i mjaftueshëm për të ndërmarrë këta hapa të guximshëm dhe të rëndësishëm

Eshtë pikësynim legjitim që Këshilli i Sigurimit të zgjerohet. Ky këshill mori formën aktuale shumë kohë më parë. Anëtarësimi në organizatë është thuajse trefishuar që nga ajo kohë dhe është e nevojshme që këshilli të pasqyrojë aktorët e përfshirë jo vetëm në skenën botërore

Serena Parker

Jan Eliasson, ambasadori suedez pranë Kombeve të Bashkuara dhe i vetmi kandidat për postin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, thotë se Kombet e Bashkuara kanë nevojë për reforma serioze. Ai i bëri thirje komunitetit ndërkombëtar të vazhdojë reforma të gjera brenda organizatës. Korrespondentja Serena Parker njofton nga Uashingtoni:

Gjatë vitit të kaluar Kombet e Bashkuara kanë përjetuar një seri skandalesh lidhur me korrupsion në programin naftë-për-ushqim në Irak dhe për abuzime seksuale nga paqeruajtësit në Republikën Demokratike të Kongos. Tani Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, është zotuar ta bëjë organizatën më efektive dhe më transparente.

Ambasadori suedez, Jan Eliasson, thotë se, nëse zgjidhet president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të punojë nga afër me zotin Annan, për të arritur përparim në reformat shumë të nevojshme. Një ndër këto reforma, që zoti Eliasson mbështet me forcë, janë përpjekjet për të zgjeruar Këshillin e Sigurimit: "Është një pikësynim legjitim që Këshilli i Sigurimit të zgjerohet. Ky këshill mori formën aktuale shumë kohë më parë. Anëtarësimi në organizatë është thuajse trefishuar që nga ajo kohë dhe është e nevojshme që këshilli të pasqyrojë aktorët e përfshirë jo vetëm në skenën botërore, por edhe vetë brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara", tha ambasadori suedez pranë OKB-së.

Zoti Eliasson foli të shtunën në një takim vjetor të Shoqatës së OKB-së për rajonin metropolitan të Uashingtonit. Ai tha se vështirësia që ndeshet për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit është se të gjitha palët e përfshira e kuptojnë se zgjerimi mund të ndikojë tek efikasiteti i këtij organi. Për më tepër, ai shtoi se zgjerimi është një çështje tepër delikate, pasi ka shumë debate, lidhur me kandidatët për t’u përfshirë në Këshillin e Sigurimit.

Brazili, Gjermania, India dhe Japonia janë disa ndër vendet që po përpiqen të sigurojnë një vend të përhershëm në Këshill. Kina, një ndër anëtaret me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, ka lënë të kuptohet se nuk e mbështet idenë e zgjerimit. Ambasadori i saj pranë Kombeve të Bashkuara, Wang Guangya, u citua të ketë thënë kohët e fundit se kjo masë do t’i përçante vendet anëtare të OKB-së dhe do të dëmtonte shanset për zbatimin e një programi të gjerë reformash.

Zoti Eliasson foli në Shoqatën e OKB-së një ditë pasi presidenti aktual i Asamblesë së Përgjithshme, Jean Ping, nga Gaboni, nxori një projekt-dekret për reforma, që synojnë të forcojnë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në mars, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, nxori një paketë të tijën me rekomandime për reformimin e organizatës. Reformat e propozuara do të shqyrtohen në një takim të nivelit të lartë të OKB-së që është planifikuar të zhvillohet në shtator.

Pritet që reformat të përfshijnë edhe Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, i cili është ndeshur prej kohësh me kritika, pasi ka lejuar vende që kryejnë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, si Sudanin, Zimbabvenë dhe Kubën, të shfrytëzojnë statusin e tyre si anëtarë për të mbrojtur njëri-tjetrin nga kritikat dhe akuzat.

Zoti Eliasson theksoi gjithashtu nevojën për të luftuar burokracinë në Kombet e Bashkuara dhe rëndësinë që ka parandalimi i konfliktit. Ai tha se sfida kryesore e reformave është nëse vërtet ekziston vullneti politik për të vënë në zbatim ndryshime të mirëfillta: "Pa dyshim, ne e kemi të qartë se ka nevojë për ndryshime dhe gjithashtu pranojmë se kemi përpara një mundësi unike. Pavarësisht nga mendimet që kanë vendet anëtare për propozimet për reforma, ata i marrin këto propozime seriozisht. Por nuk jam i sigurtë nëse ekziston një vullnet politik i mjaftueshëm për të ndërmarrë këto hapa të guximshëm dhe të rëndësishëm", tha zoti Eliasson.

Ambasadori Eliasson u bëri thirrje mbështetësve të Kombeve të Bashkuara, që ishin mbledhur në Uashington, të flasin me sinqeritet për të metat e organizatës, ndërkohë që përshëndesin sukseset e arritura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›