E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sistemi ceremonial i lotderdhjes

07/06/2005  Pavioni shqiptar i Bienales së Venecias do të hapë siparin më datë 10 qershor, në orën 12.15. Në këtë event të rëndësishëm për artin shqiptar, do të jenë të pranishëm ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Romë, Pavli Zëri, drejtori i GKA-së, Abaz Hado, kuratori Edi Muka dhe artisti Edi Hila. Kuratorë të pavionit shqiptar janë Andi Tepelena dhe Cecilia Tirelli, ndërsa mbështetës të pavionit shqiptar janë Galeria Kombëtare e Arteve, Magazzino d'Arte Moderna, Roma Manfredi della Gherardesca, MDG Fine arts LTD, London. Sislej Xhafa është artisti që përfaqëson Shqipërinë.

"Kryengritje nuk quhet vetëm veprimi kryengritës, përmbysja mekanike që shpërball e, ndërkohë ligjëson rendin e vendosur kushtetues shoqëror (dhe hapësinor). Praktikat shoqërore “të kryengritjes” janë në të vërtetë rezultat i qëllimshmërisë formuese kolektive: ato e shndërrojnë antagonizmin në protagonizëm… Ato janë praktika “jopolitike”, shpeshherë të ashpra që, madje, edhe banalizohen deri në njëfarë mase, por pikërisht për këtë janë edhe më të efektshmet politikisht" (Giancarlo Paba). Po shkëpus këtë tekst nga web-site i “1-60 Insurgent Space”, projektit të filluar në Tiranë nga Stefano Romano, që ishte dhe arsyeja për të takuar Sislejn pak kohë më parë në Tiranë. Dhe po e citoj jo pa qëllim. Sislej Xhafën dhe punën e tij i njoh tashmë prej disa vitesh. Duke qenë një nga artistët më të njohur me prejardhje shqiptare, Sislej dallohet për operacionet e tij artistike të debatueshme dhe provokuese, të cilat atij vetë i pëlqen t’i emërtojë “aksione”.

Pjesa më e madhe e punës së tij është ndërtuar mbi sfidën ndaj institucioneve, paragjykimeve dhe stereotipeve. Vepra e tij më e hershme është e njohur për përdorimin e stereotipit të Shqipërisë si vend i abuzimit, dhunës dhe kriminelëve, ndërkohë që mbështetet në mospajtimin e vazhdueshëm të kulturave. Ai është një ndër rastet më tipike të artistëve bashkëkohorë shqiptarë, të cilët nuk përdorin për t’u shprehur një stil ose gjuhë të njëjtësuar. Të gjitha ndërhyrjet e tij janë çuar deri në fund me dhunën e aktit kriminal, teksa p.sh., u fërshëllen kuajve të një reklame të madhe të “Marlboros” në mes të rrugës, apo duke përzier argjendurina me çmim të lirë me orendi të shtrenjta, në një shkërbim trashanik të stilit të jetesës të një gangsteri të kamur. Si klandestin i përkryer, Xhafa nuk zotëron ndonjë gjuhë me të cilën mund të paraqitet, por ai mund të hidhet me lehtësi nga njëri kontekst në tjetrin, duke punuar në hije dhe duke trazuar stilet dhe idiomat: fotot, videot, objektet dhe performancat, të gjitha mund të bëhen pjesë e instalacioneve të ndërlikuara dhe shpesh gjigande, ose mund të përdoren në mënyrë më të përmbajtur, në zgrip të së padukshmes, kur artisti vendos të përvdiret krejt e të përzihet me realitetin. Siç e thamë më lart, e gjithë kjo është e njohur dhe është përcaktuar si tipar i punës së Xhafës gjatë viteve të shkuara. Megjithatë, në një përpjekje për të folur, por jo për të përsëritur ato që janë thënë për punën e tij, do të provoj të paraqes çfarë duket se nuk është stili i tij, por më tepër mënyra e tij e trajtimit me gjithçka ai thotë se po merret, ajo çka mund të jetë jo thjesht fjalori i tij artistik: dhe për mua ky është një nocion i pastër Kryengritjeje. Operacioni artistik i Xhafës është natyrisht gjithçka që thamë më lart, por nëse duam të vemë gishtin mbi tiparin më tipik të tij, mendoj se është pikërisht karakteri Kryengritës i punës së tij dhe mbi të gjitha, vepra e tij e paradokohshme “Sistemi Ceremonial i Lotderdhjes”. Kryengritje nuk quhet vetëm veprimi kundërshtues, përmbysja mekanike që shpërball, e ndërkohë ligjëson rendin e vendosur kushtetues shoqëror (dhe hapësinor). Po kështu, edhe ky objekt dhe simbol që përfaqëson. Dikush mund ta quaj një skulpturë, ashtu si vetë artisti, por kjo nuk e zhvesh atë nga cilësia e saj “kryengritëse”: por zgjedhja e materialit është bërë e tillë, që të na tregojë se më shumë se e “përjetshme” apo e “qëndrueshme”, kjo vepër është menduar të jetë e epshme, e lëvizshme dhe e konsumueshme. I fanitet vështrimit tonë dhe na turbullon. Më kujtohet kur e pashë për herë të parë, mendova se ishte njëfarë kulle e mbuluar me material plastik në ndërtim e sipër. Pjesërisht kisha të drejtë. Eshtë pikërisht një kullë dhe, madje ka të bëjë me rindërtimin, megjithëse jo me atë fizik, por kur i afrohesh më pranë mund të dallosh dy prerje në formë sysh dhe ujin që kullon prej tyre. Të shtang, të godet si vetëtimë - është një maskë e stërmadhe e Ku-Klus-Klanit, që qan. Kundërtia është trupëzuar në të - një monument që lemeris edhe vetë kulturën që e krijoi, ndërkohë që ligjëson dhe njëkohësisht pranon ekzistencën e tij dhe mprehtësinë e konfliktit që përfaqëson. Le të shmangemi pak dhe të shqyrtojmë se çfarë tjetër përmban kjo vepër, duke ndjekur veçanërisht atë që ngërthen vetë titulli. Artisti e quan atë “Ceremonial Crying System”, (ang. “Sistemi Ceremonial i Lotderdhjes”). Eshtë e qartë se përmban aq shumë kuptime brenda vetes: Ceremoni: fjalë me prejardhje latine – caerimonia “adhurim fetar”; 1. një rast formal fetar apo publik për të kremtuar një ngjarje. – Nuk është ngjyrimi simbolik thjesht fetar që ka ky imazh; është më tepër aspekti ceremonial që përmban e që është ndjellakeq: zjarri, kryqi, linçimi, tortura, intoleranca, dhuna. Eshtë kjo anë ceremoniale e ndërtuar me qëllim, që të ligjësojë atë lloj rendi që përpiqet të mbrojë. Vajtim: me derdh lot – janë lotët e famshëm të rremë të grabitqarit që derdhen prej syve të prerë në objekt. Duke ardhur nga një kulturë ku ceremonitë e vajtimit janë të gdhendura thellë në psikikën shoqërore, deri sa krijoi vajtojcat profesioniste, artisti e përmbys të gjithë situatën. Duke “viktimizuar” kriminelin e vërtetë me një akt që dëshmon pafajësinë e mundshme - derdhja e lotëve - autori vë në lojë ligjësimin e detyrueshëm të një rendi vërtet mizor si jo-agresiv, thjesht reagim ndaj kushtesh të detyruara sociale dhe jetese; Sistem: 1. një tërësi gjërash që punojnë së bashku si një mekanizëm apo rrjet… 5. rendi politik dhe shoqëror në fuqi. - Përdorimi i titujve shqip dhe anglisht shërben për të fuqizuar dykuptimësinë që na përcjell vetë objekti. Më saktë, i referohet asaj çka ne quajmë “sistem”, atij që është gjithmonë në qendër të vëzhgimit të Xhafës, me atë çka ai rreh të përballet, të sfidojë dhe provokojë. Por prek gjithashtu edhe atë që njihet si “rendi shoqëror”, ose edhe si “një tërësi gjërash që punojnë së bashku si një mekanizëm apo rrjet”, që lejon ose mundëson ekzistencën e dukurisë së paraqitur në skulpturë. Ky është edhe qëllimi i tij, të sabotojë funksionimin e këtij mekanizmi, të fusë një virus, duke e infektuar atë. Këtu po kthehemi sërish në fillin që po ndiqnim më parë, karakterin kryengritës të punës së Xhafës. Siç mund ta shohim më lart, vepra e tij dhe funksioni i saj i qëllimtë social-politik përputhet në mënyrë të përkryer me përshkrimin e veprimeve “kryengritëse”, që në zanafillë janë aspak politike, mjaftueshmërisht cinike dhe mizore për t’u bërë “tepër të efektshme politikisht”. Ky virus, njëlloj si operacioni, çoroditja dhe përzierja e kuptimeve që shkakton te shikuesi, është saktësisht ajo lloj mënyre “guerrile” që nënkupton kryengritjen. Por në të vërtetë, nuk është e tillë vetëm sepse unë e shoh punën e Xhafës me natyrë kryengritëse. Ajo që më shpuri në këtë mendim është kryesisht mbizotërimi i këtij termi në fjalorin e sotëm të media-luftës. Prej disa dhjetëvjeçarësh, ne, tashmë jetojmë në një mjedis të pushtuar nga media, që po bombardon vështrimin dhe dëgjimin tonë me atë që mendohet të jetë qëllimi thelbësor i ekzistencës së saj: informacioni. Por ajo që po bëhet gjithnjë e më e diskutueshme është besueshmëria e këtij informacioni. "Kryengritës" është termi më i shpeshtë me të cilin ndeshemi në rutinën e përditshme, kur bëhet fjalë për titujt kryesorë të ditës. Kjo duket se është një frazë kompromisi, e menduar si tepër e qëlluar për të etiketuar luftëtarët në Irak, që sulmojnë karvanët e ushtrisë amerikane, trupat e koalicionit, policinë irakiane dhe ushtrinë, por që shpesh vrasin edhe njerëz të pafajshëm. Në këtë pikë është bërë tepër e vështirë të biem në një mendje mbi një term që emërton njërin nga palët në një prej konflikteve kryesore: çfarë t’i quajmë këta njerëz? Terroristë? Po mundemi, por nga ana tjetër ata janë të pushtuar dhe po luftojnë kundër zaptuesve, pra nuk mund t’i quajmë të tillë. A mund të quhen rebelë? Po, sigurisht që mundet, por për çfarë dhe kundër kujt po rebelohen? A mund të quhen luftëtarë të lirisë? Sigurisht, po ç’mund të themi për gjithë viktimat e pafajshme? Prandaj, kryengritës duket se është emërtimi më i gjetur. Eshtë diçka që shfaqet vrulltas, sulmon/shpall një deklaratë dhe zhduket si të mos kish qenë aty, vetëm për të dalë beftas diku gjetkë, papushim dhe pafundësisht. Prandaj lindja e këtij termi, përsa u takon shtatit dhe ndërlikimeve të tij, duket se shkojnë përtej gjendjes në Irak dhe mishërojnë ndeshjen më të rëndësishme në çdo qoshe të globit, atë midis botës së korporatave dhe shoqërisë civile. Në një botë ku politika, kultura, madje edhe arti i nënshtrohet sundimit të botës së korporatave, kryengritja duket se është strategjia e një përballjeje të re, një trajtim i ri me atë “Sistem” dhe me Lotët dhe Ceremonitë e tij.

Ja përse mendoj se kjo vepër e Xhafës dhe praktika e tij artistike funksionon: duket se është diku midis nesh, fillimisht e pavënë re, por pa dyshim duke kumtuar praninë e saj, e rëndësishme, pothuaj një pasqyrim i pjesës tonë të fshehur. Eshtë e ndërtuar nga materiale me të cilat ne jemi të rrethuar çdo ditë, andaj nuk arrijmë ta shquajmë me vështrimin e parë. Deri sa i shkojmë më pranë dhe dallojmë sytë që lotojnë. Dhe është pikërisht aty që spektakli i kryengritjes shpaloset, ndërsa arti kthehet e na godet sërish…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›