Riparohet provizorisht defekti në Bovillë, kryeqytetit i kthehet uji
Brigada e remontit ka mundur të riparojë në kohë defektin në impiantin e Bovillës, që la pa ujë 60% të kryeqytetit. Kësaj pjese të kryeqytetit i mungoi uji prej pasdites së të premtes, kohë kur ndodhi dhe defekti. Zgjidhja e Brigadës së remontit për t’u sjellë banorëve ujë sa më shpjet është provizore, pasi nga Ujësjellësi mësohet se do të ngrihet një grup pune që do të merret me pjesën e dëmtuar. Ky grup do të bëjë çmontimin e pjesës dhe dërgimin e saj në Itali, për ta riparuar, duke vendosur në vend të saj një pajisje provizore. Defekti në Ujësjellësin e Bovillës ndodhi gjatë një procesi për rikonstruksionin e tubacioneve dhe valvulave në pikën pranë rrugës “Siri Kodra”. Si rezultat i prishjes së valvulës së sigurisë gjatë rikonstruksionit u shkaktua rrjedhje e pavullnetshme e ujit.
26 Prill 2010