Nis verifikimi i tokave bujqësore në bregdet
Tokat bujqësore do t’i nënshtrohen një verifikimi të ri. Ligji më i fundit i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe më pas i votuar në Kuvend, duket se do të kalojë në një tjetër sitë të gjitha tokat bujqësore në bregdet. Sipas këtij ligji, të gjitha sipërfaqet e dhëna në pronësi, që nuk janë përfshirë në zërin "Tokë bujqësore" në regjistrat kadastralë të vitit 1991, nuk kanë tituj të rregullt pronësie. Përgjithësisht, ky ligj përfshin futjen në sitë të të gjithë titujve të pronësisë që kanë marrë ish-punonjësit e ndërmarrjeve bujqësore, të përfshira në regjistra si tokë në bregdet, livadhe, kullota, pyje, etj. Sipas specialistëve, ky ligj ka objektiv kryesor heqjen e titujve të pronësisë, të marrë në mënyrë të padrejtë mbi pronat që nuk përfshihen në zërin tokë bujqësore. Në ligj parashikohen edhe rastet kur prona është marrë në mënyrë të padrejtë.
Nuk njihet pronësia
Ligji parashikon se nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet që nuk përfshihen në zërin "Tokë bujqësore". Pra, sipas këtij ligji, pyjet, livadhet, kullotat, sipërfaqet pyjore dhe të gjitha tokat e ndërmarrjeve bujqësore të ndara në bregdet, nuk janë dhënë në pronësi. Po kështu, nuk përfshihet heqja e tokës bujqësore nga pronësia për ish-ndërmarrjet bujqësore që kanë shpërndarë "Tokë bujqësore". Në Nenin 2 përcaktohen qartë "sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të Ligjit Nr. 8053, datë 21.12.1995 ‘Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore’. Pra nuk përfshihen nga shpronësimi punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore që janë bërë pronarë të tokave bujqësore, por prek përgjithësisht të gjithë ata ish-punonjës ish-ndërmarrjesh bujqësore që kanë marrë në pronësi sipërfaqe toke që nuk kanë qenë të kategorizuara si ‘Tokë bujqësore’ në regjistrat kadastralë të vitit 1991. Toka bujqësore e njohur në regjistrat kadastralë të vitit 1991 dhe e shpërndarë në bazë të Ligjit 7501 dhe disa ligjeve të tjerë shoqërues për ish-ndërmarrjet bujqësore, nuk do t'i njihet në pronësi disponuesit të saj vetëm në rastet kur ajo është marrë në mënyrë të padrejtë. Ky nen përfshin të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me sipërfaqe më të mëdha sesa e ka parashikuar ligji në atë zonë dhe që janë përfituar me anë të mashtrimit dhe shkeljeve të bëra me anëtarët e komisioneve përkatëse të ndarjes së tokës në komuna apo bashki. Hartimi i këtij projektligji synon që të vendosë përfundimisht se të gjitha sipërfaqet e pronave që nuk janë njohur si tokë bujqësore dhe nuk kanë plotësuar kriteret për krijimin dhe fitimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, sipas Vendimit Nr. 225 të vitit 1991, dhe Ligjit 8053, të vitit 1995", për kalimin e tokës bujqësore në pronësi pa shpërblim", nuk mund të jenë në pronësi të individëve të ndryshëm, pavarësisht formave të përdorura për ta marrë në pronësi.
Heqja e pronësisë
Në rastet kur vërtetohet se sipërfaqja e dhënë në përdorim, si kullotë, sipërfaqe pyjore apo toka në bregdet nuk kanë qenë përfshirë në zërin "Tokë bujqësore" në regjistrat kadastralë të vitit 1991l, atëherë ajo i hiqet nga pronësia individit që e zotëron. Në rastet kur kjo sipërfaqe është shitur, siç ka ndodhur, kryesisht, për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, apo atyre në bregdet, atëherë individi që e ka marrë në përdorim dhe e ka shitur si pronë të tijën duhet që për këtë sipërfaqe të paguajë pagesën e kësaj prone. Vlera e kësaj toke do të llogaritet sipas çmimeve të bazuar në Vendimin Nr. 183, datë 28.04.2005. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pritet të nisë dhe kontrolli për pronat, proces i cili do të shoqërohet me ngritjen e komisioneve të posaçme, të cilat do të verifikojnë aktet e ndarjes së tokave, mbështetur në ligjet e miratuara pas vitit 1993. Duke u nisur dhe nga denoncimet apo konfliktet mes palëve, ligji kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm, i cili do t'u japë zgjidhje të gjitha çështjeve, si dhe do t'i japë fund çdo akuze për ndarje të tokave në forma të jashtëligjshme.
Pjesë nga ligji i ri
Kompensimi në truall bëhet si më poshtë:
Për familjet me dhe mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit është 750 m2.
Për familjet me më pak pjesëtarë zbritet 150 m2 për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile të datës 31.12.1995, por jo më pak se 300 m2.
Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas Vendimit Nr. 88, datë 1.3.1993 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e zonave
që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, kompensohen me truall në pronësi brenda zonës turistike përkatëse, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensim fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.
Kompensimi në truall bëhet si më poshtë:
Për familjet me dhe mbi 6 pjesëtarë sipërfaqja e truallit është 750 m2.
Për familjet me më pak pjesëtarë zbritet 150 m2 për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile të datës 31.12.1995, por jo më pak se 300 m2.
Kompensimi me truall në pronësi në komunën e Ksamilit bëhet në masën e përcaktuar në Nenin 3/1 të këtij ligji dhe vetëm për familjet bujqësore e për individët:
Që figurojnë punonjës të ish-NB Ksamil në periudhën 1.8.1991 deri 1.10.1992.
Që kanë ardhur në ish-NB Ksamil nga 1.8.1991 deri në 4.5.1994, subjekte të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 21.2.1994 “Për dhënie toke në përdorim familjeve fshatare,
banorë të ish-NB-së së Ksamilit”, të ndryshuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 185, datë 4.5.1994, të cilat plotësojnë kushtet e pikës 2 të këtij vendimi dhe që në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji figurojnë banorë në gjendjen civile të Ksamilit.
Subjektet e mësipërme duhet të provojnë se nuk kanë përfituar tokë në pronësi nga Ligji Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”. Subjekteve të pikës 1 të këtij neni, nga sipërfaqja e kompensimit, sipas koeficienteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, u zbriten sipërfaqet e shesheve të ndërtimit, të fituara me vendime të komunës deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Trojet e vëna në dispozicion për kompensim për përdoruesit e tokës bujqësore, sipas këtij ligji, përcaktohen:
a) Në zonat turistike bregdetare, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore në territorin ku ndodhet trualli që kalon për kompensim.
b) Në zonat periferike të qyteteve dhe qendrave urbane, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore në territorin
ku ndodhet trualli që kalon për kompensim, pas përfundimit të procesit të legalizimit nga ALUIZNI.
2. Sipërfaqet e tokës në përdorim që lirohen nga përdoruesit, si pasojë e zbatimit të dispozitave të këtij ligji, kalohen:
a) Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond fizik për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.868, datë
18.6.2008 “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fond i tokës bujqësore”, kur këto sipërfaqe, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, figurojnë në zërin kadastral tokë bujqësore.
b) Në pronësi të shtetit dhe administrohen sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën, kur këto sipërfaqe, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, figurojnë në zërin kadastral tokë urbane.
3. Procedurat dhe autoriteti publik që bën kalimin në pronësi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
26 Prill 2010