Licencimi i farmacistëve, përplasje midis Ministrisë dhe Urdhrit
Jonida Tashi
Licencimi i farmacistëve ka krijuar një përplasje midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Urdhrit të Farmacistëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, masat e ndërmarra së fundi nga Urdhri i Farmacistëve, në lidhje me kriteret e licencimit të farmacistëve janë abuzive. Dje, në një dalje publike për mediat, zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardhi Spahia, ka deklaruar se e drejta e licencimit i takon vetëm Ministrisë së Shëndetësisë dhe në këtë rast Urdhri i Farmacistëve po shkel ligjin. Ndërkaq, deri tani janë të paqarta akuzat e Ministrisë së Shëndetësisë kundrejt Urdhrit të Farmacistëve, pasi kriteret që ky institucion ka përcaktuar në udhëzimin e tij, janë pothuajse të njëjta me ato të ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me përjashtim të verifikimit të planvendsojes së farmacisë së re nga këshillat rajonalë.
Reagimi
“Prej kohësh kemi dëgjuar në media deklaratat e Urdhrit të Farmacistëve, se ata kanë për detyrë dhënien e licencave. E theksoj, kjo kompetencë i takon vetëm Qendrës Kombëtare të Licencimit, ndaj këto deklarata janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin”,- tha Spahia. Më tej, zëvendësministri i Shëndetësisë ka theksuar se pranë Ministrisë prej kohësh vijnë ankesa nga farmacistët ndaj zvarritjeve që bën Urdhri për anëtarësimin e tyre pranë këtij subjekti. Ndërkaq, Spahia ka theksuar se për t’u bërë anëtar i këtij Urdhri nuk ka ndonjë kriter të veçantë, përveçse të jesh shtetas shqiptar dhe të jesh diplomuar për Farmaci e padyshim të punosh në këtë sektor. Së fundi, numri dy i Shëndetësisë u ka bërë thirrje farmacistëve të denoncojnë në çdo rast abuzimet e Urdhrit të Farmacistëve pranë organeve ligjore.
Urdhri
Në muajt e parë të këtij vitit, strukturat e Urdhrit të Farmacistit, deklaruan se që nga momenti që licencat për hapjen e farmacive filluan të jepen nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL), kanë evidentuar një shkelje sistematike të nenit 30, pika 2 të ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” që rregullon largësinë 100-150 metra midis farmacive të reja dhe atyre ekzistuese. Të ndodhur në këtë situatë dhe në bazë të ligjshmërisë që rregullon profesionin dhe shërbimin farmaceutik, në bazë të vendimit nr.9 datë 29.01.2010 “Për një kriter shtesë në procedurën e aplikimit për drejtues teknik në një farmaci të re” të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë (UFSH), ky i fundit, publikoi një urdhër, sipas të cilit, çdo farmacist që aplikon për drejtues teknik të një farmacie të re duhet të paraqesë pranë Urdhrit planvendosjen e farmacisë së re, ku largësia nga farmacia ekzistuese më e afërt të jetë mbi 100 metra. Planvendosja duhet të jetë e firmosur dhe e vulosur nga një inxhinier i licencuar dhe nga presidenti i këshillit rajonal përkatës. Sipas Urdhrit të Farmacistit, arsyeja kryesore që e bëri të nevojshëm këtë vendim është se Urdhri nuk mund të lejojë një farmacist të ushtrojë profesionin e farmacistit, në këtë rast në funksionin e drejtuesit teknik, në një aktivitet që thyen hapur ligjet që rregullojnë profesionin.
Udhëzimi i Urdhrit të Farmacistit
1. Çdo farmacist që aplikon si drejtues teknik për hapjen e një farmacie të re duhet të paraqesë pranë këshillit rajonal përkatës planvendosjen e farmacisë së re, të nënshkruar nga një inxhinier i licencuar, ku të jetë e përcaktuar se distanca nga farmacitë ekzistuese të mos jetë më e vogël se 100 metra.
2. Nuk pranohen për shqyrtim planvendosje që kanë të përcaktuar distanca më të vogla se 100 (njëqind) metra nga farmacitë ekzistuese.
3. Planvendosja i dorëzohet presidentit, zv.presidentit ose sekretarit të këshillit rajonal ku drejtuesi teknik do të ushtrojë profesionin.
4. Këshilli rajonal, presidenti përkatës dhe zyra e UFSH-së, brenda shtatë ditësh pune nga momenti i dorëzimit, të konstatojnë vërtetësinë e planvendosjes së paraqitur, kjo në bazë të rregullores dhe procedurave përkatëse që përdor Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (distanca më e vogël e përshkueshme nga këmbësoret, e matur aks më aks të jetë jo më e vogël se 100 m).
5. Konstatimin faktik i vërtetësisë së planvendosjes do të kryhet nga një grup i përbërë nga sekretari i përgjithshëm, Specialisti Farmacist i Aparatit Qendror të UFSH-së, presidenti, zv.presidenti (në raste të veçanta një pjesëtar tjetër i këshillit rajonal përkatës) dhe sekretari i rajonit ku do të ushtrojë profesionin drejtuesi teknik. Gjatë konstatimit duhet që të jenë prezent minimalisht tre anëtarë nga grupi i mësipërm, një prej tyre duhet të jetë detyrimisht prej Aparatit Qendror të UFSH-së.
6. Realizimi i kësaj procedure që nga ngritja e grupit të punës deri në firmosje të planvendosjes është përgjegjësi e presidentit të këshillit rajonal të aplikuesit për drejtues teknik, brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 4.
7. Në rast se konstatohet vërtetësia e planvendosjes, atëherë brenda një dite pune të nënshkruhet dhe vuloset nga presidenti i urdhrit ku drejtuesi teknik do të ushtrojë
profesionin dhe të vihet në dispozicion të aplikuesit për drejtues teknik.
8. Në rast konstatimi të pavërtetësisë së planvendosjes, kjo e fundit nuk firmoset dhe çështja çohet për gjykim disiplinor në këshillin rajonal përkatës, gjithashtu mbahen shënim gjeneralitetet e inxhinierit i cili ka nënshkruar planvendosjen në fjalë.
Ligji “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”
Farmacitë dhe agjencitë farmaceutike
1. Shitja me pakicë e barnave kryhet vetëm nga farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, që funksionojnë sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Farmacitë hapen në zonat urbane, në një largësi 100-150 metra, në varësi të dendësisë së popullsisë, një për çdo tre mijë banorë.
3. Farmacitë janë private ose publike.
4. Në farmaci bëhen edhe teste, si testi i shtatzënisë, i glicemisë, matja e tensionit, e peshës dhe e gjatësisë.
Drejtuesi teknik i farmacisë
Funksionin e drejtuesit teknik të farmacisë e ushtron çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe çdo shtetas i huaj, që plotëson këto kushte:
a) ka arsimin e lartë për farmaci;
b) ka një përvojë pune prej tre vjetësh;
c) është anëtar i Urdhrit të Farmacistëve.
Licencimi
1. Licenca e drejtuesit teknik të farmacisë fillimisht jepet për një periudhë 5-vjeçare e pas kalimit të këtij afati jepet për një periudhë 10-vjeçare.
2. Kriteret e licencimit të farmacive dhe agjencive farmaceutike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Drejtuesi teknik i farmacisë është farmacisti i licencuar vetëm për një farmaci dhe nuk lejon të ushtrojë veprimtari tjetër në shërbimin farmaceutik.
Ushtrimi i veprimtarisë
Farmacia ushtron veprimtarinë e vet vetëm në prani të drejtuesit teknik ose të farmacistit të punësuar me kontratë pune.
Personeli tjetër farmaceutik
Në farmaci punësohen me kontratë pune edhe farmacistë ose ndihmësfarmacistë, të cilët nuk pajisen me licencë, por regjistrohen në QKKB.
Minatorët: Më 1 Maj në protestë përkrah festimeve të qeverisë
Minatorët do t’i përgjigjen me protestë mitingut që qeveria do të organizojë më 1 Maj, në Ditën e Punëtorëve. Madje jo vetëm kaq, por ata kanë vendosur që protesta e tyre të zhvillohet pikërisht në vendin që qeveria do të përzgjedhë për të festuar. Sindikata e Minatorëve deklaroi dje se qëllimi i protestës është neglizhenca e vazhdueshme e qeverisë ndaj kërkesave të tyre, siç janë Statusi i Minatorit dhe mosha e pensionit. Sipas kryetarit të Sindikatës, Fiqiri Xibri, minatorët do të protestojnë në ditën e tyre, ndryshe nga qeveria e cila kërkon të festojë për arritjet e saj. “Ne do të jemi atë ditë në rrugë përballë me qeverinë për të protestuar ndaj mosarritjeve të saj. Jemi gati të përballemi me të, nëse do të na pengojë të protestojmë. Kemi vendosur ose të vdesim ose të mbrojmë veten dhe fëmijët tanë”,- tha Xibri. Një risi e protestës së 1 Majit do të jetë dhe shprehja hapur e zemërimit që kanë minatorët ndaj disa sindikatave të cilat po bashkëpunojnë me qeverinë. Xibri theksoi se këto sindikata kanë tradhtuar interesat e punëtorëve në vend që t’i mbronin ato. Në lidhje me draftin ligjor që po përgatit qeveria për trajtimin e veçantë të minatorëve, Sindikata e ka konsideruar atë një tallje të radhës. Sipas Xibrit, minatorët nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre për miratimin e Statusit dhe uljen e moshës së pensionit.
26 Prill 2010