Koment/Janez Jansha, Putini slloven
Gazetari i “Mladinës”, një reviste prestigjioze në ish-Jugosllavi dhe tani në Slloveni, kishte ngritur në këmbë të gjithë vendin me shkrimet e tij.
Armata Popullore Jugosllave (JNA) ndodhej para një skandali në shtetin 22 milionësh. Janez Jansha, atëherë një i ri disident, ishte detyruar të mbyllet “në karantinë” pasi në shtetin e tij nuk ishte më emër i mirëpritur. Ai nuk kishte arritur të zgjidhet në asnjë post zyrtar dhe siç kishte thënë vet, postimi i 250 aplikacioneve për vend pune vitin pasues i kishte shkuar dëm. Pak vite më vonë, kryeministri aktual i Sllovenisë ishte arrestuar dhe dërguar para gjykatës ushtarake për zbulim të sekreteve ushtarake. Jansha i dënuar. Por më vonë sërish u kthye në skenën politike të vendit si kryeredaktor i “Demokracija”.
Jansha, 20 vjet pas aferave të tij, u bë kryeministër i vendit të vogël të ish-Jugosllavisë, që veten kanë qejf ta quajnë ish-Ballkani, pasi janë të afërt dhe gjithnjë kanë qenë me standardet evropiane. Një person fin në pamje të parë, një ish- ministër i Mbrojtjes, pastaj erdhi si lideri kryesor i shtetit lidhës të vendeve të Bashkimit Evropian dhe pjesës së Ballkanit. Por Janezi, emër që e kanë më shumë se gjysma e meshkujve slloven, doli një politikan sikurse ata ndaj të cilëve kishte luftuar, ashtu siç ndodh rëndom me disidentët dhe politikanët e rajonit. Gazeta “Dello” e kishte akuzuar dhe ankuar e para, pastaj agjencitë dhe televizionet. Jansha kontrollon tani edhe ekonominë, policinë dhe të gjitha me dorën e tij të hekur. Asociacioni i gazetarëve slloven ishte akuzuar shpesh për ndërhyrje dhe Sllovenia është gjetur në listat e zeza të lirisë së shtypit. Por për kryeministrin 50-vjeçar, gjithçka është një proces i demokracisë dhe mediat duhet të jenë të dëgjuara. Tani, gazetari kritik nuk i ka në qejf kritikat. Por, prapë shteti i tij është në BE dhe kjo duket se nuk tolerohet më. Sllovenët, ndonëse me një ekonomi të lartë, nuk janë aq të lumtur me rrogat dhe standardet e tyre. Dikur kanë qenë njësia me e fortë e Jugosllavisë dhe një vend për t’u krenuar. Por në bashkësinë e madhe të shteteve, euroja ka vlerë tjetër.
Një nga krizat e qeverisë Jansha, para zgjedhjeve të së dielës së kaluar, ishte gjatë marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Sllovenia. Megjithatë, partitë duket se kanë rënë në dakord të mos krijojnë probleme në këtë kohë të rëndësishme për vendin.
Jansha akuzohej për mitmarrje nga një kompani finlandeze për të fituar një tender. Transaksionet u vërtetuan edhe në kryeqytetin austriak, por duket se paratë nuk ishin arritur të tërhiqen. Pak ditë më vonë, kryeministri sportiv kërkoi nga televizioni ta bënte edhe një raportim mbi çështjen e ngritur. Megjithatë, finlandezët duket se politikës së keqe mediatike dhe kontrollit shtetëror të Janezit, iu përgjigj fare shkurt në mënyrë fëmijërore: “Këtë bëje atje ku je mësuar”. Por, kjo nuk ka ndikuar aq sa është pritur. Komisioni i zgjedhjeve në Slloveni publikoi mëngjesin e së hënës rezultatet e zgjedhjeve. Partia e Janshës ka rënë në popullaritet dhe kishte humbur primatin me vetëm një për qind ndaj partisë së atëhershme “opozitare”. Qytetarët gjatë ditës së zgjedhjeve u ankuan jashtëzakonisht shumë për jetën e krijuar në shtetin e vogël. Lubjana është një vend i mirë, por me shumë probleme të krijuara si pasojë e politikave të këqija. Shumë shtetas janë diskriminuar dhe jetojnë pa shtetësi, pasi kanë lindur në ndonjë vend tjetër të ish-Jugosllavisë. Gjithsesi, sllovenët janë pak dhe çdo parti do ta ketë vështirë të bëjë qeverinë vetëm dhe Janez Jansha mund të jetë sërish në pushtet. Megjithatë, Sllovenia jep një shembull se si duhet të ndryshojë mentaliteti votues dhe si duhet të vijë fundi i demagogëve revolucionar të Ballkanit. Janezi, nëse asgjë tjetër, pas këtij mandati do të mund të martohet për herë të parë, pas dy fëmijëve me të dashurën e tij, me të fejuarën e re 30-vjeçare, fizikanten simpatike, Urshka Bacovnik dhe ta shijojë së bashku edhe pensionin edhe muajin e mjaltit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)