Administrata, kundër shkollave private
Në organet e bazës të Ministrisë së Arsimit, po fillon prapë të shfaqet mendësia bolshevike: kundër “privates”. Kontrolle tendencioze e kritika ndaj shkollave private, ndërkohë që shtetëroret janë mos më keq.
Edhe konfuzionin e sivjetshëm të shitjes së librit, e hëngrën edhe më fort, familjet me nxënës në shkollat private. Kjo sepse shteti që krijoi konfuzionin, më konkretisht, drejtoritë e arsimit në rrethe, u ranë me top shkollave private—e pra, nxënësit janë njësoj shqiptarë, si ata të privateve, si dhe ata të shtetëroreve.
* * *
Për konfuzionin e madh në shitjen e librit shkollor, na ankuan shumë prindër. I telefonuam një drejtuesi të arsimit në një rreth. “Drejtor, bën mirë të organizosh një kontroll në rrjetin e librarive të qytetit, sepse ka më se dy javë që ka një varg mangësish”—i thamë. “Po ka ankesa, por...”—filloi të justifikohej. “P.sh. në librarinë që shet librat e shkollës jopublike X, kishte...”—filluam të hyjmë në hollësi ne. “A jo, ne merremi me shkollat tona, me publiket; privatët t’i zgjidhin vetë punët e tyre”—na preu fjalën drejtori.
Natyrisht që shkollat private do t’i “zgjidhnin vetë” punët e tyre, nëse nuk do të ishte ndërhyrja shkatërrimtare e vetë nëpunësve të ministrisë së arsimit, në sistemin e tregut të lirë, me klientelizmat e tyre pafund. Gjithsesi, shihet qartë qëndrimi selektiv “anti-privat” i këtyre nëpunësve të arsimit.
* * *
Në kontrollet e kushteve të ambienteve të shkollave, na bie në sy që shkollat publike trajtohen nga administrata e ministrisë, si “të vetat” në sensin negativ (“ta fshehim realitetin, mos t’i kritikojmë, se i bie të kritikojmë veten”), kurse shkollat private trajtohen, si “të atyre” (“të huajve”, bile dhe “armiqve”, të cilëve u bëhet miza buall).
Administrata shtetërore duhet të respektojë shembullin pozitiv të shkollave jopublike (private), duke u marrë seriozisht me gjendjen e shkollave publike (shtetërore). Ka shkolla shtetërore që janë futur në kasolle lopësh, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Këto ditë pamë një të tillë, në televizionin News 24: ato ambientet e mjerueshme të asaj shkollës “kasolle lope”, mu në mes të Shqipërisë, më pak se 40 km nga Tirana (në Miliskajë të Thumanës); pamë ata nxënës që në moshën 15 vjeç mezi kishin bërë dy vjet shkollë. E kjo, në Shqipërinë gjoja të “shkollave me laptope” (kompjuter), sipas asaj që u premton shqiptarëve të gjorë, kryeministri ynë aktual.
Fatkeqësisht, mund të themi me siguri se shkollat tona shtetërore janë në gjendje skandaloze. Ato janë problemi kryesor i arsimit—nuk janë problemi, shkollat private. Mbi bazën e principeve të ndarjes së punës, duhet përqendruar kryesisht në zgjidhjen e problemeve më të mëdha. Pra në rastin që po trajtojmë, administrata shtetërore do të duhej të kritikonte “gjithë ditën” shkollat shtetërore, duke mburrur ato privatet.
* * *
Edhe kritikat për cilësinë e mësimdhënies, për kurikulat e shkollave private, janë të trukuara, pra me mashtrime.
Arma më efikase kundër mashtrimit shtetëror, është transparenca. Ministria e Arsimit duhet të publikojë rezultatet e provimeve të maturës në të gjitha shkollat, në sa më shumë gazeta, lokale dhe qendrore. Rezultatet duhet të jepen me hollësi dhe të përpunuara nga ana statistikore (notat e marra, numri i nxënësve, mesatarja e notës, përqindja e nxënësve me notën 10, përqindja e nxënësve me notë jokaluese etj.). U bënë tre vjet që pak botohen, e pak njihen këto rezultate—edhe kur botohen, jepen rrëmujë, që mos të nxjerrësh dot konkluzione. E pra, opinioni publik duhet të orientohet konkretisht për situatën.
Transparenca duhet jo vetëm për për të luftuar mashtrimin e mundshëm të dikasterit, jo vetëm për të orientuar prindërit në zgjedhjen e shkollave, por edhe për të bindur të gjithë shqiptarët, për superioritetin e privatit. Në një vend si yni, ka akoma të ngulitura në mendjen e shumë njerëzve, koncepte të etatizmit komunist: “kundër privates, pro shtetërores”.
* * *
Kryeministri, kryetarët e bashkive, ministrat etj., bëjnë mirë së paku të shfaqen edhe në inaugurimet e shkollave private, e jo vetëm në ato shtetëroret: shkollat private janë po të shtetit tonë, bile mbase dhe më “patriote” se ato shtetëroret.
Ministri i ri i arsimit, zoti Beja, duhet të ndjekë shembullin e mirë të paraardhësit të tij, zotit Pollo, i cili dha një kontribut të madh në pranimin, në afrimin e shkollës private me ministrinë “shtetërore” të arsimit.
Privatja është e ardhmja për Shqipërinë: mos t’i kundërvihemi një tendence natyrale, sepse krijojmë humbje e dëmtime të kota. Çdo vit po rritet numri i nxënësve që frekuentojnë shkollat private—rritja e tyre po bëhet me hir, apo me pahir.
Kudo në botën e përparuar, tashmë dihet se njeriu punon shumë më mirë tek privati sesa tek shteti. Por kjo karakteristikë është shumë më e theksuar tek ne shqiptarët. E prandaj privatët duhen ndihmuar e promovuar nga shteti ynë, e jo të luftohen.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)