E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Protagonizmi i bejlurçinave

Nga Kico Blushi
Nëse nuk gjen një mënyrë për t’u bërë protagonist partiak, sot do të cilësohesh si i pavlerë. Nuk ka rëndësi se si dhe me se je protagonist. por ama, pa qenë protagonist agresiv nuk të hap kush rrugën. Nuk të nderon kush. 

Policët e depolitizuar të gjobisin kotekot. Tatimorët të dënojnë tak-fak. Duartrokitësit të përçmojnë. Certifikatën nuk mund ta marrësh pa radhë. Edhe po të shtrohesh në spital a të kalbesh në burg, do të trajtohesh mosmëkeq, si një qen, nëse nuk ke qenë dikushi, të paktën një bejlurçinë partiake, qoftë edhe i “çështjes Gërdec”. Protagonizmi partiak tanimë është kthyer në një minierë ari ku antivlerat shiten kollaj për vlera, ku injoranca dhe harbutëria merren si shenja gjenialiteti, ku broçkullat përbëjnë lajm, pasi vetëm protagonizmi të jep imunitet të pakufizuar, fushë të pamat mediatike, si dhe pushtet të pakontrolluar. Një aktori që kishte luajtur rolin e një heroi kombëtar, iu mbush mendja se ishte vetë heroi, ndaj, kur hynte në kafene, kërkonte ta nderonin si të ishte vetë heroi. Kurse udhëheqësit tanë, protagonizmin e kanë transformuar në mjet që duket sikur siguron besim, bindje dhe adhurim pa kushte tek zgjedhësit.
Për këto arsye bejlurçinat e sotme partiake shqiptare, pa përjashtim, janë të marrosur e të dalldisur pas ekraneve të televizioneve më shumë se sa fotomodelet, apo shougërlet. Nuk ka natë apo ditë, rast e pa rast që të mos na hyjnë përdhunshëm në shtëpi, në kafene, në biseda, në sy e në veshë duke u shfaqur herë me zë e herë me ojna, që të na bindin se janë ata më të mirët e më të aftët për të na drejtuar, përndryshe, për të na hequr për hunde! Tërë qenia e mosqenia e tyre, madje edhe kuptimi i jetës, nëse janë apo nuk janë të suksesshëm, nëse ndjehen ose jo të rëndësishëm (që do të thotë: të pushtetshëm), nëse do të mbeten ose jo në politikë e më pas edhe në histori, me sa duket nuk varet nga veprimet e tyre nëpër zyra, d.m.th, nga punët e dobishme publike, po nga daljet e përnatshme në publik, nga llafellogjet që hedhin nëpër tribuna e nëpër kronika me mëthetëthashë, nga dendësia e nxjerrjes së surratit nëpër TëVëra e gazeta. Suksesi i tyre matet me të qenit të pranishëm nëpër gërrmërret e debateve televizive të sherrnajta ku “armiqtë” e partisë (të kryetarit) përherë do të poshtërohen, ndërsa ata vetë do të lartësohen e do të vetëpërjetësohen. Ata pra kanë dy fytyra krejt të ndryshme, një për televizionet dhe një për jetën e përditshme. Me fytyrën e parë ata janë të ndershmit dhe më të devotshmit, me fytyrën e dytë vjedhin, abuzojnë, bëhen arrogantë dhe të prepotentë….
Nëse në kulturë, art e shkencë protagonizmi mund të blihet me para, pra duke paguar mund të shpallesh këngëtar në politikë lipset edhe diçka tjetër: të kesh fituar besimin dhe mbështetjen e një kryetari partie. Paskësaj këta “protagonistë” të karfosur e të dehur me vetveten nuk më kanë frikë as nga fjala e mençur e malësorëve tanë që kanë pas thënë: nëse ke inat një njeri, uro t’i hyjë sa më shpejt e sa më shumë vetja në qejf! Opinioni publik paskësaj nuk ka asnjë vlerë, asnjë ndikim, pasi ata besojnë se opinioni publik është i lumtur kur përtyp”fjalët” e tyre….Shembulli më i spikatur është padyshim Berisha. Edhe pse prej origjine është malësor, ai nuk e “respekton” fjalën e malësorëve, nuk do t’ia dijë as për “besën” (a nuk tha mos i besoni deklaratat që pata bërë vetë në fushatë?) sepse nuk ka mbledhje qeverie që të mos këmbëngulë të dalë sa më shumë nëpër ekrane që të molloisë fjalë pa peshë, shifra ne erë, romuze pa pikë vlere. Protagonizmi i tij i sforcuar i kalon kufijtë e narcicizmit, ndaj zëri dhe fytyra e tij janë bërë më alergjikë se në vitet ‘92-‘97, gjë që po i kthehet për herë të dytë në bumerang! Nuk mund të gjendet kurrkund njeri si ai që të mos ketë të ngopur me fytyrën e vet të shumëfishuar nëpër ekrane e gazeta. Ndoshta kështu ai kujton e beson se i shërben synimit dhe kompleksit të tij prej provinciali për të hyrë me çdo çmim në histori! Ai nuk e di se për të mbetur në histori ka shumë mënyra; hiperprotagonizmi i tij është shembulli më i keq!
Në çdo vend normal e sadopak demokratik kryeministri del vetëm në raste të jashtëzakonshme, për ngjarje e vendime të një rëndësie të veçantë kombëtare e asnjëherë për të hedhur vickla e për të bërë shakara e shpotira pa pikë kripe ndaj kundërshtarëve të vet. Aq më pak për ta quajtur veten “Sali Bollëku”! As te rrapi i katundit pleqtë nuk mblidhen e nuk molloisin ato që mollois kryeministri shqiptar nëpër ekrane! Duket sikur mbledhjet rutinë të qeverisë bëhen jo për të marrë vendime të rëndësishme, por për të regjistruar një kronikë televizive ku kryeministri flet e flet e qesh vetë, ndërsa ministrat e tij dëgjojnë e mrekullohen, teksa përpijnë me përkushtim e përulje fjalët e shakatë e tij, rëndom vulgare. As edhe një herë të vetme nuk kemi parë e as dëgjuar ndonjë debat apo kundërshti në qeveri, ndonjë ministër që të mendojë ndryshe! Qeveria është ngujuar në monologun delirant të kryeministrit që për protagonizëm të panginjur pozon e reciton batuta të parapërgatitura për kamerat. Ky nuk është protagonizëm. Ky mund të quhet prota-anti-gonizëm mediatik. Sepse kryeministri shqiptar dëgjon vetëm veten, qesh me shakatë e veta, dehet nga fjalët e veta, është pra kryeprotagonisti i shantazhit të opinionit publik, shantazh që, si meze, tash përtypet me qejf vetëm nëpër qebaptoret dhe qenefet e Shqipërisë!
Bejlurçinat shqiptare pandehin se, me që u ka hyrë vetja në qejf, në mos kanë për të na hyrë në zemër sot, nesër do të na detyrojnë t’i pranojmë si të përjetshëm (kupto: do t’i votojmë), nëpërmjet asaj që Fishta e quante “efekt i përsëritjes”,d.m.th, ngulmimit mediatik i cili, me ose edhe pa dashje, më në fund të bind se ata janë të vetmit të shquar në këtë vend e, natyrisht, edhe më të pazëvendësueshmit! Kësisoj ata besojnë se mediat kanë po atë efekt mbi ne sikundër kishin pasqyrat që çuan kolonizatorët tek indianët e Amerikës, të cilët, prej padijes e këmbenin floririn me një copë xhami të transformuar në pasqyrë. Pas 17 vjet ballafaqimesh me të këtilla “pasqyra”, besoj se shumica e qytetarëve nuk janë e nuk do të pranojnë të jenë “indianë” të verbuar pas “pasqyrave” të demokracisë së bejlurçinave.
***
Ka dallim rrënjësor mes një bejlurçine katundi në kohën e Zogut e një bejlurçine komune në kohën e Sali Bollëkut. Bejlurçinat e diktaturës, instruktorët e partisë, inspektorët apo të plotfuqishmit e lagjeve nuk kishin këtë tahma e këtë oreks të papërmbajtur për protagonizëm. Ata punonin në hije, ishin “heronj të heshtur”, shumë-shumë fama e zullumeve të tyre mund të mbulonte një lagje a një lumë. Kurse sot gjëja më e lehtë është të bëhesh protagonist në shkallë kombëtare e, po munde dhe u bëre “protagonist”, me siguri do të emërohesh diku, në një post të lartë e të shtrenjt-paguar, në dogana e pse jo edhe në ambasada. Sepse sot kushti parësor për t’u bërë “protagonist” është të dish të shash e të pështysh sa më shumë në publik, të shërbesh pa kushte. Të bindesh pa kundërshtuar, madje të rrëfesh kënaqësi edhe kur të poshtërojnë. Kam parë vetë kur një kryeministër e fyente dhe e poshtëronte ministrin e deputetin e vet edhe para syve të gruas së këtij të fundit dhe ky buzëqeshte me përunjësi. Kushti tjetër: duhet të jesh sa më i pafytyrë, sa më i guximshëm në debate publike ku mashtrimi dhe gënjeshtra janë armët e suksesit. Të jesh, pra, aq i paturpshëm sa të mbjellësh frikë dhe krrupë te kundërshtarët e partisë. E, natyrisht, edhe të krijosh besimin te kryetari se ti je një “qëndrestar” i flaktë. Vetëm me “vlera” morale mund të bësh karrierë e prokopi sot!
Andaj kanalet mediatike (të shitura shtrenjtë, tani me troje e leje ndërtimi) nuk ngurrojnë të na bombardojnë me të njëjtit surretër e zëra-vëra, me vipa-rripa, me emra pa mbiemra, me mbiemra pa vepra, po që megjithatë shpallen akademikë për një natë, që vetëquhen udhëheqës të paparë të bollëkut (se i ndjek pas jo vetëm ne, populli),sepse për këta narcisë të pangopur ka shumë pak rëndësi se çfarë thonë e si e thonë, se ç’kanë bërë dhe sa u vlen në të vërtetë lëkura, apo, ca më pak, se çfarë punësh “të padukshme”, por të dobishme kanë pas bërë në dobi ose në dëm të shoqërisë por sa hokatarë, cinikë, të paturpshëm e sa të përdorur kanë pas qenë para votuesve e sidomos para ndërkombëtarëve…Por pavarësisht se ata janë të bajatosur e të pështirosur në sytë e opinionit publik për shkak të nepsit të protagonizmit që del si kallinjtë të Agroblend-it, rëndësi për ta ka se ata tashmë ndjehen më se të shquar e tejet të rëndësishëm, të veçantë e të mençur, teksa e shohin përnatë veten në ekrane e podiume, përherë përballë nesh…Protagonistët e sotëm të Shqipërisë janë më të paturpshmit që ka parë ndonjëherë ky vend, natyrisht falë edhe zhvillimit të mediave elektronike (“pasqyrave”), të cilat na i futin përdhunshëm në sy, në vesh e në tru gënjeshtrat, plehrat dhe llumin e sotëm të këtyre bejlurçinave që në të vërtetë janë me më pak vlerë se koçanët e misrit pa fara, të misrit fallco që mbollën, pa e ditur, katundarët tanë!
***
Tani nuk ka shqiptar që nuk e di se një Hiç sot e ka shumë të lehtë të bëhet i shquar në cilëndo fushë se një njeri me dinjitet e me kulturë të mjaftueshme. Shumë e kollajshme të bëhesh jo vetëm këngëtar, edhe po qe se nuk ke zë, po ama ke trup të bukur e ca para; mund të bëhesh edhe akademik; po qe se të do partia, po mund të bëhesh edhe Kryetar Kuvendi, madje edhe President Republike, natyrisht po të dish të jesh i përdorur me sukses. Protagonizmi i Hiçave po bën kërdinë në mbarë shoqërinë shqiptare, në të gjitha nivelet, jo vetëm lart, po edhe poshtë, jo vetëm në politikë, kulturë, shkencë, universitete, biznes, akademi, arsim, po edhe në vlerat e trashëgimisë kombëtare…Historia duhet rishkruar, d.m.th, duhet kthyer kokëposhtë e këmbë përpjetë edhe për këtë arsye: protagonistët e sotëm duhet të jenë aty, në rreshtin e parë, në podiumin e shoqërisë e të historisë! Ata nuk durojnë sa të hipin e të jenë në majë! Lufta me flamurë e me pankarta partiake edhe në mitingun e fundit të opozitës e dëshmoi në mënyrë më se vulgare këtë synim provincialësh për ca më shumë protagonizëm. Sepse liderët tanë kujtojnë se protagonizmi është fuqi, është pushtet, është dinjitet, është meritë dhe, natyrisht, edhe lavdi e padiskutueshme.
Për hir të një protagonizmi të sforcuar një djalë nga Kurbini vrau të dy prindërit e i hodhi në pus se këta nuk donin ta lejonin të ngiste nëpër katund e rrethina makinën luksoze që e kishte sjellë i vëllai nga emigracioni; po ama ai, edhe pse nuk e kishte blerë me djersën e vet, donte të bënte ferk nëpër rrugicat e katundit!…Me këtë logjikë, janë të shumta rastet kur fshatarë shesin tokën që të blejnë një veturë të shtrenjtë, paçka se prindërit e tyre flenë akoma me kërcu nën kokë në vend të jastëkut…Para shumë kasolleve tani nuk sheh traktorë, po benza të shtrenjtë…Prej këtij protagonizmi katundaresk e primitiv shumë djem që vijnë me mall nga emigracioni me makina të shtrenjta, vriten nëpër rrugët e Shqipërisë, teksa ecin si të dalldisur nga protagonizmi: shikoni se çfarë jam tash unë i biri i filanit! Ky protagonizëm i panevojshëm vret të gjorët!
Kurse bejlurçinat partiake nuk “i vret” kurrkush, as koha dhe as morali, as opinioni publik dhe as vota, përkundrazi, sa më shumë mburren me “mastera” e me “diploma” false, ose të blera, me vepra e punë të paqena e të pabëra, aq më shumë përparojnë! Edhe pa u afruar zgjedhjet nuk ka rubrikë lajmesh televizive që të mos shohim kryetarë partish e ofiqarë të emëruar që kërkojnë të na mbushin mendjen se kanë qenë e do të jenë edhe nesër mjaft të suksesshëm, antikorrupsionistë të përbetuar, fjala e fundit e së vërtetës, sa të thjeshtë aq edhe hijerëndë, sepse ja, shiheni vetë, në takime e në tubime, nëpër katunde të largëta e nëpër zgëqe të periferisë ai/ata, udhëheqësit pra, buzagaz e dashamirës ua zgjatin dorën njerëzve të thjeshtë,pleqve e plakave,militantëve dhe skifterëve shurdhmemecë ( po të kenë këta edhe ndonjë foshnjë në krahë, që udhëheqësi ta puthë në faqe, dava më mirë!), tërë atyre që quhen “popull” (në fakt duhet quajtur milet!) të cilët ndjehen më në fund të lumtur meqë patën fatin të takohen me “atë”, me “të madhin” pra!
Ka ardhur koha të kuptojmë se ky protagonizëm dëmsjellës i Hiçave, të cilin, qoftë edhe pa dashje ne si qytetarë e mëkojmë dhe e mbajmë gjallë, na ka lënë në nivelin e kopesë e jo të një shoqërie të emancipuar që aspiron për një jetë më të mirë më të drejtë e më demokratike.
Sa më shpejt të largohemi nga ky protagonizëm i neveritshëm, aq më mirë!

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›