E Diel, 1 Nëntor 2026

Pearl Harbour i politikës së amerikane

Nga Vitorio Zucconi
Kaosi politik amerikan, ai që zvarritet mes dështimit të bushizmit dhe një fushate elektorale shumë të gjatë e që lejoi edhe tragjedinë financiare, na propozoi edhe momentin e paparashikuar të kandidatit që arratiset 

 Një kandidat që do të tërhiqet nga gara për dy ditë dhe që nuk do të debatojë më me kundërshtarin. Njësoj sikur demokracia të ishte një ndeshje basketbolli, John McCain kërkoi një pushim për të shpëtuar skuadrën e tij nga një disfatë, që tabela e sondazheve vazhdon ta lajmërojë me të madhe. Barak Obama u përgjigj duke thënë se ai do të paraqitet në skenën e përballjes së madhe, sepse tani më shumë se kurrë vendi duhet të shohë dhe të njohë atë që do ta drejtojë në këto momente të vështira. Por, vetë fakti se një kandidat lajmëron se e ka ndërprerë fushatën elektorale, si të ishte një lojë me formim figurash që mund edhe të vazhdojë mbas ndonjë ore, vetëm 40 ditë larg votimeve, është një nga ato goditje që kolegët senatorë i njohin mirë dhe të cilave shumë zgjedhës u druhen.
John McCain, një mendje e nxehtë me një karakter shumë të keq, që në Senat ka marrë edhe pseudonimin “McNasty” (I keqi), kërkoi thjesht të hedhë në erë tryezën e lojës, ashtu siç bëjnë fëmijët e parritur apo të moshuarit e paduruar kur humbasin.
Në mesin e asaj që financieri me më autoritet në SHBA, Warren Buffett i cili konsiderohet nga të gjithë si orakulli i fundit, e përcaktoi si “një Pearl Harbor të ri”; flota e atyre që duhej të mbronin “lundrimin” nga devijimi, është shtyrë tashmë nga era e sondazheve dhe manovrave elektorale, pa urdhra dhe as plane të qarta. Nëse babai i John McCain, admirali i mrekullueshëm që dha gjithçka kishte në përgjigjen ndaj agresionit japonez në Paqësor dhe e pagoi të gjithë mbingarkesën me një infarkt ditën e fitores, që i shkaktoi vdekjen, do ta shihte të birin duke u lëkundur tani, do ta largonte nga komanda.
Lëvizja e Mekkein, atij që duhej të ishte i moshuari i sigurt, gjyshi i mirë, i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm para kundërshtarit të tij tepër të ri, Obamës, shërben për të vënë në dukje rrënjët e thella të krizës, që nuk është financiare dhe as ekonomike, por është në thelb politike. Që prej tetë vitesh, nga janari 2001, Amerika është pa një qeveri kompetente, që në fakt mendoi se mund të mbulonte autoritetin moral në rënie me forcën e saj, në dukje të madhe.
Ka humbur besimin dhe autoritetin, për shkak të një rrjeti gënjeshtrash, propagande, ideologjie, politizimit për qëllime elektorale dhe mungesës së kompetencës. Sot vendi qeveriset nga presidenti i Rezervës Federale, Ben Bernanke dhe ish-shefi i “Goldman Sachs”, ministri i Thesarit, Henry Paulson. Bush është vetëm një pasagjer, të cilit po i kërkohet të mos prekë më asgjë.
Plani i shpëtimit me fonde publike, që u është paraqitur kandidatëve, Kongresit dhe një kombi të tërë i tipit “ose kështu, ose të gjithë humbasin”, do të ndërpresë në njëfarë mënyre “hemorragjinë”.
Por, as vendimet e çuditshme të McCain dhe as fjalimi i presidentit të vendit të mërkurën në darkë, nuk mund të kthejnë prestigjin moral dhe një politikë që ka humbur tashmë mes rrënojave të Bagdadit, në rrëmujën afgane, në shkatërrimin e New Orleans, në skandalin kushtetues të Guantanamos, në torturat dhe në indiferencën totale ndaj asaj që ndodhi.
Katastrofa është sentencë përfundimtare e një procesi ndaj presidentit Bush, që zgjat prej shtatë vitesh e tetë muaj dhe që ka si bashkëpunëtor parlamentin si dhe partinë e tij, atë Republikane, që e kishte nën kontroll këtë instancë për gjashtë vjet dhe që demokratët nuk ditën si ta neutralizojnë.
Ishte një përvojë sureale të dëgjoje presidentin që akuzonte të gjithë për fabrikimin e këtij “Pearl Harbor”, spekulatorët, bankierët, konsumatorët, blerësit e shtëpive, kredimarrësit që e tepruan me huatë e tyre. Pra të gjithë ishin fajtorë, përveç atij dhe administratës së tij, asaj që deri para dy javësh na garantonte një ekonomi amerikane në formë dhe shumë solide.
Presidenti i ardhshëm, trashëgimtar i dy luftërave në zhvillim, që janë shumë larg rezultateve reale, në Irak dhe Afganistan, një llogari e tmerrshme e borxhit publik, një bilanc federal i shkatërruar, një treg imobiliar me probleme, një Pearl Harbor financiar, një Iran në rrugën e synimeve bërthamore, një Rusi që po kthehet gati në perandori, tashmë edhe një Kore e Veriut që po “nxjerr dhëmbët”. Kuptohet pse fjala kyç e kësaj stine elektorale e adoptuar nga republikanët dhe McCain, është “ndryshimi”.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›