E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDERKOMBETARE/ Ankesat e fqinjëve të Rusisë

Nga Neil Macfarquar, Thom Shanker
Ndërsa fqinjët e Rusisë i bënë thirrje OKB-së të merrte masa të rrepta ndaj një Rusie të re tepër agresive, sekretarja amerikane e Shtetit u takua me homologun e saj rus në një përpjekje për të ulur tensionet. 

Gjithashtu do diskutohej lidhur me vendosjen e kufijve për ambiciet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.Liderët e demokracive të vogla të sapolindura, që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, u shfaqën tepër nervoze muajin e kaluar kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë, edhe pse ajo ishte provokuar. Virtualisht, të gjitha ato i bënë thirrje OKB-së të mos qëndrojë e heshtur, sepse Rusia, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, kishte dërguar tanket në kufi.
Viktor Jushçenko, presidenti i Ukrainës, deklaroi para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se vendi i tij e dënonte pushtimin dhe se Ukraine nuk do të frikësohej nga kërcënimet ruse që kishin lidhje me ambicien e saj për anëtarësimin në NATO.
“Është thelbësore të evitohen shantazhet dhe fjalori kërcënues”, - tha Jushçenko. Ai shtoi se Ukraina kundërshton të gjitha aktet e agresionit në rajon, si dhe njohjen e pavarësisë së dy provincave separatiste, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë nga Rusia. “Rigjallërimi i retorikës së Luftës së Ftohtë nxit shqetësim të madh tek ne”, - tha Yushchenko. Presidenti Les Kazhinski , i Polonisë, që e quajti Rusinë “fqinjin tonë të madh”, i bëri thirrje OKB-së të mos lejojë disa vende të interpretojnë ligjet ndërkombëtare sipas mënyrës së tyre. Në një tjetër aludim që kishte lidhje me Rusinë, Kazhinski sugjeroi që “Europa të gjente burime të reja energjie, sepse “disa vende po i përdornin këto burime për të arritur qëllime politike”. Edhe presidenti Valdis Zatlers, i Letonisë ngriti pyetje lidhur me faktin nëse OKB-ja do të pranonte pretekstin e një vendi për të mbrojtur qytetarët e saj jashtë territorit, që në fakt mbulon përdorimin e forcës.
Letonia konsiderohet si një shënjestër e mundshme e ndërhyrjes ruse, sepse një e treta e popullsisë është ruse etnike.
Zatlers ishte mes liderëve të nga rajoni që bënë thirrje për një mision vëzhgues europian në Gjeorgji. Ndërsa krerët e shteteve po shfaqnin shqetësimet e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rice zhvilloi takimet me homologët e saj diplomatikë. Ajo u bëri thirrje ministrave të Jashtë, të qëndronin në një front të bashkuar kundër ndërhyrjes së Rusisë dhe i bëri të ditur ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se Moska i kishte shkaktuar shumë vështirësi vetes me lëvizjet e fundit. Sidoqoftë, marrëdhënie e tyre tradicionalisht e mirë nuk ishte aspak në dyshim, pasi Rice dhe Lavrov bënë shaka, buzëqeshën dhe shtrënguan duart në minutat para takimit të tyre. Ky ishte takimi i parë mes të dy zyrtarëve që pas luftës së muajit të fundit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Daniel Fried, ndihmës sekretari i shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike, që ishte në krah të Rice në takim, tha se “mosmarrëveshjet janë ende të pranishme”. Por Rice dhe Lavrov ranë dakord për domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndalur ambiciet bërthamore të Iranit. Në mënyrë të dukshëm, nuk pati asnjë diskutim për një raund të ri bisedimesh me Iranin, që SHBA-ja po e shqyrton tashmë dhe rusët e kundërshtojnë. Të dy diskutuan edhe rreziqet që vijnë nga programi bërthamor i Koresë së Veriut, tha Fried.
Në një seancë të paradites me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Be-së, Rice theksoi se “të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të mos lejuar shkatërrimin e sovranitetit të Gjeorgjisë për shkak të ndërhyrjes ruse dhe se tentativa e ndryshimit të kufijve ndërkombëtarë është një gabim shumë i madh”.
Ndërkohë, po bëhet e qartë se rritja e tensioneve me Rusisë dhe SHBA-së mund të ndërlikojë përpjekjet e administratës Bush për të mbajtur nën kontroll ambiciet bërthamore të Koresë dhe Iranit.
Qeveria ruse tha dje se do të bojkotonte takimin ku do të diskutohej për një raund të katërt sanksionesh për Iranin, në mënyrë që ai të heqë dorë nga programi i zhvillimit të armëve bërthamore. Në seancën e posaçme duhet të marrin pjesë pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe Gjermania.
Lajmërimi rus shihet nga diplomatët si një përgjigje për fjalimin e rreptë që Rice mbajti javën e kaluar, në të cilin ajo denoncoi sjelljen ruse lidhur me krizën gjeorgjiane.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit u përpoqën të minimizojnë ndikimin e vendimit rus, duke thënë se të dyja palët ranë dakord për më shumë punë para takimit të Ministrave të Jashtëm për një raund të ri bisedimesh për Iranin. Por Bernard Kushner, ministri i Jashtëm francez, u tha gazetarëve se nëse Ministria e Jashtme ruse nuk do të merrte pjesë në takimin për Iranin, kjo nuk do të thotë se puna do të ndalet. Ai tha se drejtorët politikë të gjashtë Ministrive të Jashtme ishin përgatitur për takimin dhe do ta zhvillonin atë së shpejti. Unë mendoj se situata në Iran është mjaft serioze dhe se ne nuk duhet të ndalim punën lidhur me këtë, tha Kushner. Lavrov nga ana e tij tha se shpresonte që konflikti për Gjeorgjinë nuk duhej të pengonte përpjekje të tjera, si fushata kundër terrorizmit apo mospërhapja e armëve bërthamore. “Ne ramë dakord për faktin se duhet të tregohemi pragmatistë”. “Natyrisht, ne diskutuam çështjet kryesore, ku ka ndryshime qëndrimesh. Por, siç thashë, ramë dakord se nuk do ta kthejmë këtë në një situatë pengese për gjithçka tjetër”, - tha ai.
"International Herald Tribune"

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›