Komenti/ Ja pse Edi Rama nuk i mashtron dot dibranët
Dy ditë më parë Edi Rama me trastën e gënjeshtrave dhe mashtrimeve në krah, që e quan “Programi i Rilindjes Kombëtare”, pasi mori një goditje të rendë nga socialistët e rrethit të Bulqizës, u nis për ta zbrazur atë në qytetin e Peshkopisë mes socialistëve të Matit dhe të Dibrës.
Që në fillim kishte menduar të trukojë opinionin e brendshëm me një fallsitet të paparë. Në një sallë të vogël kishte improvizuar një takim me ca socialistë të pakënaqur ku na paraqitej si demokrat Kryetari i PS Dibër Mentor Domazeti, shoqëruar nga një grup njerëzish që asnjëherë nuk kanë qenë demokratë.
Ky lloj trukimi mediatik nuk ka pas dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në opinionin demokrat të Dibrës, të cilët tashmë i njohin të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat e Partisë Socialiste dhe të lidershipit të saj. Ajo që na çuditi më shumë në këtë takim ishte mashtrimi i trefishtë i kandidatit për deputet të PS Shkëlqim Cani, i cili duke u krekosur përpara socialistëve, të cilët prisnin t’ju shprehnin ndonjë ide konkrete u ndeshën me gënjeshtra që e dhe me naivet nuk i kapërdijnë dot. Të thuash që erdha në Dibër dhe nuk pashë asnjë cm të shtruar me asfalt do të thotë t’ju prezantohesh atyre njerëzve si një i pamoralshëm dhe si një mashtrues klasik.
Turp z. Cani!
Mos vallë mendoni se Dibranët nuk lëvizin çdo ditë në Rrugën e “Arbërit” të asfaltuar nga Shupenxa në Bulqizë, në rrugën nga Maqellara në Dovolan. Ne e dimë z. Cani që ju nuk keni shkelur ndonjëherë në Dibër qëkur populli i Dibrës ju përzuri me votë, por po jua mësojmë se në Dibër janë asfaltuar, në Komunën e Maqellarës janë asfaltuar rrugët e 5 fshatrave, tre fshatrave në Melan, 4 fshatrave në Tomin, 2 fshatra në Kastriot, si dhe komunat Luzni, Fush Alie dhe Muhurr. A nuk ta panë syzet z. Cani rrugën e bukur të asfaltuar nga Peshkopia në Kukës që kalon në tre Komuna të Dibrës dhe në 3 komuna të Kukësit?
Socialistët dibranë e njohin shumë mirë këtë rrugë sepse zhvillojnë aktivitet tregtar jo vetëm me Peshkopinë por dhe me Kukësin e Prishtinën. Ju z. Cani ju thatë socialistëve dibranë se sa të vini në pushtet ti dhe Edvini do hapnit menjëherë kanalet vaditës të Setës dhe Gramës. Është për të qeshur zoti kandidat! Këta dy kanale funksionojnë normalisht dhe ujisin për mrekulli bimët e arave të komunave Kastriot, Fushë Alie dhe pjesërisht të Tominit. Por, në fakt, këtë radhë kishe bërë një të mirë z. Cani, na e kishe dehur me raki shefin tënd dhe fliste broçkulla përpara socialistëve, të cilëve u dukej vetja sikur janë në një shfaqje të Portokallisë. Gara për të gënjyer sa më shumë në mes jush ishte e çuditshme. Shefi juaj z. Cani, deklaronte, duke ju dridhur duart nga rakia, se në Dibër nuk ka pemë, kur në fakt, fermerët dibranë kanë mbjellë në Dibër 1200 ha pemëtore dhe vreshtari si dhe janë subvencionuar nga shteti fermerët për pemëtoret, arrorët dhe biznesin bujqësor, 350 milionë lekë të reja.
Kështu është bërë e mundur minimizimi i importit të frutave dhe perimeve nga shtete fqinje sepse mbulohen nevojat me prodhimin dibran. Gjithashtu ju tentuat ta mashtroni opinionin socialist dibran se në Dibër janë të regjistruar gjithsej 500 biznese. Kur në fakt janë të regjistruar 2500 biznese dhe janë shtuar vit pas viti në Qarkun tonë.
Veriu, të cilit ju i qani hallin me lot krokodili, se PD-ja i ka marrë votat dhe e ka lënë në harresë, është mashtrimi juaj i radhës sepse verioret janë njerëz besnik e të ndershëm, nuk i pranojnë mashtrimet dhe gënjeshtrat, dhe janë të lidhur me njerëzit që mbajnë fjalën dhe realizojnë premtimet.
Dibranët janë të bindur se rruga e Arbërit, ashtu si rruga e Kombit është një premtim që do të realizohet vetëm nga qeverisja e PD dhe Sali Berisha.
Prandaj dibranët, si asnjëherë tjetër, në këto zgjedhje do të jenë me integrimin, dhe jo me bllokimin, do jenë me Partinë Demokratike që Shqipëria të bashkohet sa më shpejt me familjen e madhe Europiane.