PLL: Të rikthehet dënimi me vdekje për vrasësit e fëmijëve, grave dhe zyrtarëve të shtetit
Deklaratë për shtyp e Partisë Lëvizja e Legalitetit
Ngjarjet e fundit kriminale që kanë përfunduar me vrasjet tragjike të fëmijëve, grave, zyrtarëve të shtetit dhe viktimave të tjera të pafajshme janë një kambanë e fortë që tregon se këto krime nuk mund të minimizohen me mjetet që shteti dhe shoqëria kanë aktualisht në dispozicion.
Qysh nga heqja e dënimit me vdekje, lista e këtyre krimeve shumë të rënda, është aq e gjatë, sa që nuk mund të justifikohet me profilin psikik të autorëve. Duket qartë se fuqia e ligjit dhe mjetet e tjera në dispozicion janë të pamjaftueshme për të frenuar duart kriminale që vrasin me qetësi.
Vazhdimisht partia Lëvizja e Legalitetit e ka quajtur të parakohshëm heqjen e dënimit me vdekje dhe ka kërkuar rikthimin e tij. Ne kemi besuar dhe besojmë se dënimi në proporcion me krimin e kryer është i drejtë, i justifikuar dhe parandalues. Bindja jonë e pandryshuar ka qenë dhe është se një pjesë e ligjeve bazë ku përfshihet edhe Kodi Penal duhet të jenë në përputhje me kushtet dhe traditën e vendit tonë dhe jo të jenë të importuara dhe të përkthyera fjalë për fjalë nga kudo qoftë.
Ne e dimë se rikthimi i dënimit me vdekje pengohet formalisht nga angazhimet ndërkombëtare që shteti shqiptar ka marrë mbi vete. Por në të njëjtën kohë ne jemi të bindur se kjo është një çështje aq e rëndësishme dhe akute sa ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të pyesë popullin e vet qoftë edhe me referendum.
Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon të bëhet edhe zëri i atyre qytetarëve shqiptarë që kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Për këtë qëllim ne do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm që, në Parlamentin e ardhshëm ose jashtë tij, për këtë çështje të diskutohet dhe të vendoset në mënyrë sovrane dhe sipas vullnetit të qytetarëve shqiptarë.