E Shtunë, 31 Tetor 2026

I huaj në qytetin tim

Autori i Lajmit: Nga Riadh Mohammed
Bagdad - (Irak) Në shumicën e vendeve të botës, fundi i një viti është një kohë kujtimi për momentet më të bukura të së shkuarës dhe vështrimin e së ardhmes me një sy më optimist. Por kjo vlen vetëm për shumicën e vendeve të tjera dhe jo për Irakun, sepse ai nuk është si çdo pjesë tjetër e botës. Për mua, tashmë ka ardhur koha të përditësojë listën e të vdekurve. “Po”, dhe emri i fundit që i shtohet kësaj liste është ish- e dashura ime. Kur mora mesazhet në telefon nga miqtë, të cilët shkruanin “Të lutem pranoi ngushëllimet e mia”, - unë pyeta i habitur njërin prej tyre: “Çfarë ka ndodhur?” Pas kësaj vjen një mesazh tjetër që më shpjegonte se ish- e dashura ime ishte vrarë më 8 dhjetor gjatë bombardimeve të fundit në kryeqytetin irakian. Që prej pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, unë kisha mbajtur një listë të çdo të afërmi apo miku që ishte vrarë gjatë dhunës në këtë vend. Deri në fund të vitit 2006, lista numëronte 124 vdekje. Papritur u ndala. Numri i 125 ishte babai im. Ai më kishte thënë disa javë përpara vdekjes së tij tragjike se libri i tij i telefonit ishte mbushur me numra telefonash personash që kishin humbur jetën dhe ishin zhdukur. Shumë shpejt ai do të ishte person i radhës që do të ishte pjesë e asaj liste. Tani, kur shikoj librin tim personal të telefonit, lexoj: “X: I vrarë nga bombardimet e Universitetit Al Mustansiriya në vitin 2007. Y: Mungon nga Bagdadi Perëndimor që prej vitit 2005. Z: I vrarë në Ministrinë e Drejtësisë në sulmin e vitit 2009. Vazhdon kështu për pjesën më të madhe të librit. Ata që lanë Irakun ishin të vetmit të që mbijetuan. Shokun tim të fundit e humba kur ai shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si emigrant në qershor të 2009-ës. Sot unë nuk kam më shokë të gjallë në Irak. Nëse unë do të kisha vazhduar ta përditësoja listën time të vdekjes, ajo do të kishte përfshirë dhjetëra shokë, fqinjë, të afërm, shokë klase dhe kolegë pune. Ndërsa totali do të arrinte në mijëra apo dhjetëra mijëra. Pothuajse shumica e tyre ishin civilë, nëpunës, studentë, artistë, profesorë, gazetarë, sportistë, avokatë, punëtorë dhe fëmijë. Si një njeri që ka studiuar kinema dhe ka arritur të prodhojë disa dokumentarë televizivë, unë shpesh u kthehem shikimit të filmave për të më ndihmuar të heq mendjen nga ky realitet i tmerrshëm. Ndonjëherë, filmat më ndihmojnë të përshkruaj gjendjen time. Në filmin “Tako Joe Blekun”, ëngjëlli i vdekjes bie në dashuri me vajzën e viktimës. Shumë irakianë që unë kam takuar pas dhjetëra dhe qindra bombave nuk kanë rreshtur së pyeturi: A ka ndonjë plan për ndaljen e vdekjeve, prioritet kryesor i të cilit të jetë mbrojtja e jetëve të këtij populli? Kur unë pashë filmin amerikan, “Destinacioni i fundit”, i thashë vetes se ajo çka ndodhte në atë film ishte ekzaktësisht ajo që po na ndodhte dhe neve në Irak. Ashtu siç e përmenda më sipër, deri në fund të vitit 2006, unë u kisha mbijetuar bombave rreth 40 herë në total. Shumica e shpërthimeve kishin ndodhur në sheshin më të famshëm publik të kryeqytetit irakian, “Tahir”. Atje më është dashur të kaloja dy herë në ditë për shkak të punës. Sheshi ka qenë objektiv i dhjetëra shpërthimeve nga vitet 2005-2006. Dhe unë u kam mbijetuar vetëm se kam qenë disa minuta më vonë ose më herët gjatë rrugës për në punë. Goditjet ishin bërë aq të shpeshta sa dukeshin si plani i mallkuar në filmin “Destinacioni i fundit”, që merr me vete të gjithë popullin e Irakut. Rrëzimin e statujës së Sadam Hyseinit më 9 prill 2003 e përjetova me një ndjesi të veçantë, ashtu si miliona irakianë (si simbolin e lindjes së një shteti). Por në vend të kësaj miliona irakianët panë një tjetër tablo në vitet që do të pasonin dhe zyrtarët e këtij vendi në të vërtetë i ndaluan fotografët ta fokusonin të vërtetën me objektivin e tyre. Kjo pamje ishte skena brenda morgjeve të qyteteve irakiane. Në fund të vitit 2006, ishte radha ime për të vizituar njërin prej tyre. Duke kërkuar për babanë tim, numërova të paktën 200 trupa që ndodheshin atje prej disa kohësh. Ishte pothuajse si skena e morgut në filmin “I humburi”. Por skena që s’mund të mbahej e fshehur ishte ajo e varrezës së Al-Najafit. Shumë njerëz vunë re që unë po sillesha çuditshëm kur nuk derdha asnjë pikë lot në ceremoninë e varrimit të babait. Dhe ishte e vërtetë, unë e humba me të vërtetë aftësinë për të ndjerë dhimbjen dhe hidhërimin. Njëherë kam lexuar se shumë evropianë kanë ndjerë të njëjtën thatësirë emocionale, pasi kanë dëshmuar katastrofat e Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, unë kisha të njëjtën ëndërr çdo natë për katër muaj rresht: Babai im nuk kishte vdekur. E shoh ende këtë ëndërr, por tani vetëm një herë në javë. Është diçka që mund të përshkruhet si një sekuencë skenash që rishfaqin të gjitha kujtimet e gëzuara me personion e dashur që nuk jeton më. Por ajo përfundon vetëm me një tragjedi që do të zgjasë përgjithmonë. Për mua, tani, ka skena të tjera: Hera e parë që u takuam, fjala e parë që shkëmbyem, buzëqeshja e parë, flirti i parë, telefonata e parë, takimi i parë, hera e parë që i treguam njëri-tjetrit se e donim dhe përqafimi i parë. Por unë zgjohem vetëm për të kujtuar skenën e fundit të tmerrshme: vajzën e plagosur rëndë që ishte goditur nën këmbët e nëpunësve të tmerruar qeveritarë, që po pëpiqeshin t’i shpëtonin vdekjes.
(The New York Times)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›