E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Integrimi dhe frazat politike

Pse për të djathtën procesi i integrimeve nuk është vetëm frazë politike, por edhe koncept themelor i funkisonimit të saj? Rrjedhimisht, pse ideja për një mini “Shengen” europianojuglindor nënkupton jetësim praktik të këtyre parimeve?

Pyetja retorike nëse integrimi në ekonominë globale është produkt politik i së djathtës përbën sfidë jo vetëm për përcaktimin politik, por edhe për vetë moralin mbi të cilin duam ta shtrijmë debatin. Pranimi i këtij synimi si fundament i programit të djathtë politik është i kollajtë, por mund të mos duket shumë e shëndetshme politikisht që një aspiratë gjithëqytetare të provohet të përvetësohet duke e identifikuar me vetëm një pjesë të spektrit politik. Sidoqoftë, a mund të heshtim nëse fjala është vetëm rrjedhim i fakteve? E djathta politike syon që krahas lëvizjes së lirë të qytetarëve të mundësojë edhe hapjen e ekonomisë së tregut, duke krijuar një treg global në të cilin lëvizja e mallrave, shkëmbimet tregtare dhe politikat ekonomike do t’i tejkalonin shumëfish aspirtatat për ekonomi të izoluar nacionale. E, duke e stimuluar ekonominë e tregut stimulohet njëkohësisht edhe ndryshimi i parimeve europiane mbi funksionimin e shoqërisë. Rrjedhimisht, ndryshimi i këtij modeli brenda BE-së është jetësuar sot në aspiratën për ta zgjeruar unionin e vendeve sovrane, mbështetur në diversitet dhe solidaritet mes tyre. Por, a mund të marrim guximin për ta identifikuar këtë aspirtatë me synimet fundamentale të së djathtës, aq më shumë që e djathta politike identifikohet me ato që ndryshe quhen “politika të ngurta nacionale”? Pra, a mund të jetë motivues procesi i integrimeve nëse politikat e tipit nacional, të mbështetura në traditën politike dhe qytetare, gjenden në themel të programit politik? Sigurisht. Madje, për disa arsye. Së pari, ekonomia e tregut, që nënkupton konkurrencën e lirë, përbën njërin ndër atributet ekzistuese të partive të djathta politike. Si e tillë ajo parashtron domosdonë e ekzistimit të konkurrencës së lirë brenda një hapësire të përbashkët. Le të nënvizojmë se në themel të atij që sot e quajmë projekt i përbashkët europian qëndron tendenca për treg të përbashkët. Ekonomia e tregut stimulon zhvillimin e tregtisë së lirë, krahas privatizimit, lëvizjes së lirë dhe diversitetit kulturor, ndërkohë që paraqet njërën nga shtyllat mbi të cilat është profilizuar e djathta politike. Së dyti, duke rritur hapësirën për treg të lirë, rritet edhe tendenca për zgjerim të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Prandaj, nuk është e rastësishme pse e djathta europiane, si përkrahëse politike e këtyre parimeve, ka qenë aq e zëshme në mbrojtjen e së drejtës së vendeve aspiruese për të qenë pjesë e projektit të përbashkët europian. Ajo ka mbrojtur këtë të drejtë edhe atëherë kur është refuzuar kushtetuta europiane, por edhe kur nuk është ratifikuar Traktati i Lisbonës, megjithëse zgjerimi i BE-së në Europën Juglindore përcaktohej teorikisht nga fati i këtyre dokumenteve. Tash së fundi e djathta europiane e mbrojti me vendosmëri të drejtën e Kroacisë për t’u anëtarësuar në BE më 2010 megjithë pengesat nga mosmarrëveshjet e vjetra për çështje të kufijve mes Sllovenisë dhe Koracisë. Madje, u ftuan edhe vendet e tjera të rajonit që së bashku me institucionet europiane ta mbrojnë “modelin europian të shoqërisë.” Pse? Sepse për të djathtën integrimi nuk është frazë politike, ajo përbën esencën e funksionimit politik dhe mundësi për të realizuar synimin qytetar për tregti, shkëmbim e komunikim të lirë ndërkulturor. Politikat nacionale doli se janë të përfshira në parimin e mbrojtjes së diversitetit në shumësi. Sidoqoftë, tendenca e funksionimit të mëtjemë të konceptit të përbashkët europian nuk i atribuohet paqes politike që buron nga kënaqasia me të cilën trajtohet interesi nacional i kombeve sa nga imanenca e pasjes së një hapësire të përbashkët ekonomike. Koncepti i BE-së, sikur mund të vërehet lehtësisht, mbetet produkt i tendencës primordiale ekonomike dhe vartëse politike e saj... Ideja për zonë të lirë të qarkullimit të ideve, të mallrave dhe të njerëzve në Europën Juglindore, prandaj, për ideologjinë e djathtë politike nënkupton jetësim praktik të parimeve të saj dhe shtysë për veprim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›