“PD-ja, forcë e pakthyeshme morale, garanti kryesor i vlerave të lirisë”
Dega e PD-së, kujton 18 vjetorin e krijimit të. Kryeministri Sali Berisha konfirmoi se partia që ai drejtonte do të mbetej partia që do të udhëhiqte ndryshimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj të shpejtë në Bashkimin Evropian
TIRANE - Nën siglën “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u mirëprit dje pasdite në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, ku u organizua një takim në përkujtim të 18 vjetorit të krijimit të degës së PD-së në këtë qytet.
Takimi ka nisur me një dokumentar rreth krijimit të Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas gati 50 vjet regjim komunist, që do të sillte dhe hapjen e vendit drejt Evropës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të PD-së në nivel qendror dhe lokal, etj.
“PD, asnjëherë nuk dorëzoi vlerat, besimin idealet dhe parimet”
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh se kjo është një ditë e shënuar, në të cilën kremtohet dita e pluralizmit politik, dita e themelimit të Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare në historinë e vendit.
“18 vjet më parë, të rinj e të reja, burra e gra, qytetarët e Durrësit, themeluan këtu në Durrës, qytetin mijëra vjeçar, Partinë Demokratike, si partinë e lirive të tyre, si partinë e çështjes kombëtare e interesit kombëtar, si parti të shpirtit perëndimor të Durrësit, si parti të integrimit evropian dhe euroatlantik të tij, si parti e cila do të rikthente në Durrës e në mbarë Shqipërinë lirinë dhe të drejtat e ndaluara me Kushtetutë, dinjitetin njerëzor të merituar nga çdo qytetar, do të rikthente shpresën e besimin, do rikthente vlerat, pluralizmin politik, pluralizmin fetar, pluralizmin ekonomik, do të rikthente vendin drejt Evropës e botës së qytetëruar”, u shpreh Berisha.
Shqipëria, tha Berisha, me reformat e tregut mori një zhvillim që nuk e kishte njohur ndonjëherë.
“Kriza financiare favorizoi rebelimin komunist në vitin 1997, ne dorëzuam pushtetin, por nuk dorëzuam parimet, nuk dorëzuam vlerat, nuk dorëzuam besimin, nuk dorëzuam idealet. Në opozitë ne u vramë por nuk u dorëzuam, u burgosëm por nuk u dhamë dhe vazhduam rrugën tonë. Asgjë nuk na mposhti. Ju dhe mbarë qytetarët shqiptarë ishit dëshmitarë se opozita shqiptare u shndërrua në forcën e saj të pakthyeshme morale, në garantin kryesor të vlerave të lirisë”.
Më tej, Berisha, e vuri theksin në reformat e ndërmarra në vend.
“Ne erdhëm në pushtet në vitin 2005. Qytetarë të Durrësit, ju sot duhet të ndiheni krenarë, sepse ju i sollët Shqipërisë në parlament të gjitha avanguardet. Pavarësisht nga bandat, nga krimi, asgjë nuk e mposhti moralin tuaj qytetar dhe u shndërruat në këtë mënyrë në një faktor udhëheqës të fitores sonë. Sot në 4 vjet, ju duhet të jeni më krenarë se kurrë me votën tuaj. Sot në 4 vjet, Durrësi e Shqipëria ndryshuan më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre. Sot, në 4 vjet përpjekjesh të përbashkëta, ndërtimit të lirisë së lirisë së bashkë, në 4 vjet ndërtimi të tregut të lirë së bashku, ne ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në një kohë kur ata që u larguan nga pushteti me votë futën në parlament bori e bilbila vetëm e vetëm, për të bllokuar procesin evropian të Shqipërisë, kurse ne së bashku firmosëm në Luksemburg MSA-në, kontratën historikë të Shqipërisë me Evropën. Këto ditë përfundoi ratifikimi i kësaj kontrate. 27 vende anëtare firmosën mbi veprën tuaj, mbi djersën e përkushtimin tuaj, reformat që ju mbështetët, sakrificat që ju bëtë”, theksoi Berisha.
“Shqipëria do bëhet kandidate dhe do të anëtarësohet në BE”
“Jam këtu për t’u zotuar se, së bashku, Shqipërinë do ta bëjmë kandidate të Bashkimit Evropian, së bashku do ta çojmë atë drejt anëtarësimit të plotë, së bashku do të lëvizim të lirë në mbarë Evropën, pa viza, si qytetarë të saj”, u shpreh midis të tjerave Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij përshëndetëse para qytetarëve të Durrësit me rastin e 18 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.
“Ëndrra jonë perëndimore, ëndrra jonë euroatlantike, këto vite u shndërrua në realitet dhe ne morëm në Bukuresht ftesën për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, një akt madhor, historik, në fushën e sigurisë së këtij vendi. Pas kohërave të Skënderbeut, ftesa për anëtarësim në NATO ishte akti më kulmor. Unë ju garantoj se, ne së bashku do të bëjmë çdo përpjekje ta bëjmë atë anëtare të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha.
Sipas Kryeministrit këto vite, ishin vite të ndryshimeve të mëdha.
“Këto ishin vitet në të cilat Kosova u bë e pavarur. Partia Demokratike u themelua këtu në Durrës, në Tiranë e kudo, si parti e çështjes kombëtare, si parti e interesit kombëtar. Sot Kosova është e pavarur, e lirë”, tha Berisha.
“Tre vjet reforma, Shqipëria u ngjit në çatinë e botës”
Kryeministri Sali Berisha, duke përshëndetur dje banorët e Durrësit, me rastin e 18 vjetorit të krijimit të degës së PD të qytetit, theksoi se, “Shpirti i qytetit tuaj të lashtë është, shpirti i tregut të lirë”.
“Brenda tre viteve, tha Berisha, me reformat e suksesshme që ndërmorëm e ngjitëm Shqipërinë në çatinë e botës, duke lënë mbrapa 52 vende të botës”.
Kryeministri garantoi biznesmenët e durrsakë se në vitet që vijnë liria e tregut do të jetë më e madhe.
“Durrësi, tha Berisha, këto tre vjet ndryshoi, premtuam Universitetin dhe ju sot keni një ndër Universitetet më moderne të vendit, së shpejti do të inaugurojmë portin modern të Durrësit, parkun më të madh industrial të vendit, parkun më të madh energjetik të vendit, këtu në Durrës, në epiqendrën e zhvillimit ekonomik. Këtu në Durrës, vij para jush krenar sepse ne i mbajtëm premtimet, ndërtuam rrugë dhe ujësjellës, dyfishuam pagat për mësuesit, mjekët dhe infermierët, në krahasim me 4 vjet më parë, dyfishuam pensionet në fshat, i rritëm në mënyrë të ndjeshme pensionet në qytet, duke lënë mbrapa edhe shtete si Bullgaria, Rumania apo disa shtete baltike”.
“Ne, tha Berisha, ende nuk jemi vend i pasur, por ju jap fjalën se do bëj çdo përpjekje që pasuritë përrallore të vendit të shndërrohen në vlera për ju, në pasuri për ju, ndaj dhe rritja e rrogave, dyfishimi i pensioneve ne fshat rritja e madhe e pensioneve në qytet janë hapi i parë i madh, për të ndërmarrë hapa të tjerë të mëdhenj në vitet që do të vijnë”.