E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush duhet ta pranojë dorëheqjen e Ina Ramës?

Institucionet nuk po përkujdesen t’i tërheqin veshin kreut të akuzës, e cila është përgjegjësja kryesore që e ka shndërruar zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme në azilin ku janë strehuar 14 prej 20-25 të mbeturve të epokës së Aranit Çelës në sistemin e prokurorisë. Ina Rama nuk mund të ndalë largimin vullnetar e të pritshëm të 13 “shtyllave” të tjera të zyrës së saj, por duhet të kontribuojë, duke përzgjedhur zyrën ku do të marrë rrugë precedenti i dorëheqjes së prokurorit të përgjithshëm

Një tjetër qëndrim joinstitucional është regjistruar dje në mbrëmje nga prokurorja e përgjithshme, ende në detyrë, teksa ka njoftuar median se kishte pranuar dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla. Në fakt, dorëheqja e këtij të fundit ishte një paradhënie e drejtpërdrejtë e efekteve të Ligjit për Lustracionin, dhe në këtë mes zonja Ina Rama s’ka asnjë meritë, përveç protagonizmit të pavëmendshëm për të na dhënë të kuptojmë për të disatën herë se s’është e zonja të kryejë të zonjën e punëve në prokurorinë e përgjithshme. Atje s’është folur kurrë për reformë, bile edhe njëherë kur zonja Ina Rama pati një mundësi të shprehej lidhur me Ligjin tashmë të dekretuar të Prokurorisë, u shfaq kundër ndryshimeve. Në zyrën e Prokurores së Përgjithshme mund të flitet për “merita” veç kur flitet për intensifikimin e njerëzve të ardhur nga diktatura, që e rrethojnë Ina Ramën, në të gjitha drejtimet; si këshilltarë, si prokurorë të përgjimeve, si prokurorë të hetimeve të posaçme,... E kështu do të vijonim të kujtonim antiinstitucionalitetin e veprimeve të Ina Ramës, të cilën po ta linin gjatë të vepronte sipas midesë së vet, ka rrezik që të sillte në zyrën e vet të gjithë të mbeturit gjallë të kasaphanës që dikur drejtonte Aranit Çela. Nga një vëzhgim i hollësishëm i cv-ve të 24 anëtarëve të kabinetit të Ina Ramës dhe të zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, 14 prej tyre kanë një histori të pasur gjyqesh politike. Edhe pse interpretimi mund të marrë një drejtim, sikur Ligji i Lustracionit është miratuar për të tronditur qetësinë e zonjës Ina Rama, në fakt çdo gjë flet për përgjegjësinë direkte që ka zonja në perceptimin e shpejtë të institucionit në një relike pasardhëse të prokurorisë politike. Në 260 anëtarët e trupës së prokurorëve, veç nja 20-25 syresh janë të përfshirë në histori gjyqesh politike gjatë diktaturës dhe bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit. Dhe nga kjo shifër, 14 prej tyre kanë mundur të strehohen në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Merret vesh se shumë prej tyre, e kanë siguruar këtë “azil” që në kohën e Arben Rakipit e Dhori Sollakut, por Ina Rama s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka përkeqësuar këtë raport. E kur kurba ka marrë për teposhtë dhe besimi i publikut tek institucioni i akuzës ishte afër zeros, ndërhyrja e legjislativit me ligjin e lustracionit mbeti hapi i vetëm në rrugën e duhur. E këtu Ina Rama s’ka kurrfarë merite e bile ekziston droja se ajo as nuk i ka kuptuar pasojat e ligjit. Ajo s’mund të mos pranonte dorëheqjen e Zamir Shtyllës dhe është krejt e pafuqishme të ndalë edhe largimin vullnetar të 13 “shtyllave” të tjera në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. E bashkë me ta do të duhet të largohet edhe vetë kryeprokurorja, e cila tashmë duhet të ishte duke redaktuar dorëheqjen e saj. Numërimi i skandaleve e dështimeve është shumë i madh për kohën e shkurtër të pak më shumë se 1 viti. Le ta japë Ina Rama një kontribut dhe në historinë e institucionit të regjistrojë precedentin e dorëheqjes, ndoshta edhe duke na shuar kureshtjen, se në cilën zyrë duhet të shkojë dorëheqja, përderisa institucionet deri më tani s’po përkujdesen t’i tërheqin asaj veshin për dështimet, skandalet dhe mosrealizimet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›