Komenti/Ku do fshihen levat mediatike të Ramës, pas reagimit zëmadh të ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët kanë marrë dje një tjetër sinjal nga mbështetësit e Edvin Ramës se ata mund të akuzohen vetëm e vetëm pse kanë ftuar Kryeministrin Berisha për të inauguruar Qendrën e Informimit të BE-së. Në një artikull të botuar në internet nga z. Erion Baze akuzohet Komisioni Europian në Tiranë se është as më shumë e as më pak, fajtor e hajdut, meqënëse ka ngritur qendrën e informimit të BE-së në një godinëe tek zona e ish-Bllokut që sipas “investigimit” të pavarur del se qenka në pronësi të familjarëve të z. Berisha. Marrëzia e gazetarit që u mbrojt nga ndërkombëtaret si një rast gjynafqari në Shqipëri, por që i harron shpejt të mirat që i bëhen, shkon deri atje sa të lidhë zyrtarët e BE-së me nëntekstin e korruptimit të tyre prej Sali Berishës. Dora e Erion Bazes që shkruan me porosi të Ramës kundër atyre që me aq forcë e mbrojtën kur ndodhi një zënkë banale në një nga lokalet e Tiranës, nuk po njeh kufij moralë. Pas Edi Ramës tani janë mbledhur të gjithë ata që shpresonin se duke shfrytëzuar Sali Berishën dhe lidhjet me të do të mund ta qeverisnin paralelisht Shqipërinë pa patur asnjë mandat politik, madje edhe pse u ishte refuzuar disa herë mbështetja demokratike me vota. Mosmirënjohja ndaj “propozuesit” Berisha edhe merret me mend e durohet, por mosmirënjohja ndaj ndërkombëtarëve është edhe më e keqe, është oguri i zi dhe parathënia e skenarëve kaotikë të destabilizimit. Komisioni Europian dje mori një njollë të zezë, prej vetë Ramës. Përfaqësuseit e Misionit pritet të reagojnë kundër akuzave të tilla më shumë se të tepërta e të neglizhueshme. Pavarësisht diplomacisë që përdoret rëndom, ky nëntekst ngjan se nuk mund të kalohet pa u komentuar. Mafia që ka marrë peng PS-në po synon goditje me target dhe do të ishte një mesazh i mirë për të gjithë që në krye të llogores mbrojtëse, të rreshtohej i pari misioni i fyer i Komisionit Evropian. Ndërkombëtarët tashmë duhet të kenë kujdes nga ato interesa të mafies që shtrihen thellë duke kërkuar që të mbështjellin me vellon e vet çdo institucion ndërkombëtar dhe cdo organizatë që nuk bëhet vegël e nismave të opozitës. Reagimi ngjan i pritshëm, meqenëse vetë mediat e Edi Ramës thonë se balta e hedhur është vetëm faza e parë e sulmit revanshist dhe mafiozo-punist kundër vlerave të Bashkimit Europian. Kemi parë Kryeministrin Berisha që mbrojti institucionin e familjes shqiptare. Jemi ithtarë të demokracisë dhe me siguri do të shohim edhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë nga institucionet ndërkombëtare, duke i cilësuar paçavuret mediatike të Edi Ramës dhe bazeve të tij me emrin e tyre, me shpifje.
...