Komisariat i ri para zgjedhjeve në Lundër, pranë magazinave të KQZ-së
Tiranë- Policia e Tiranës pritet të krijojë një komisariat të ri në prag të zgjedhjeve, i cili do të ketë selinë në Lundër, pikërisht në zonën ku janë magazinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisariati i ri është propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe për të pritet të miratohet nga ministri i Brendshëm.
Komisariati i ri
Sipas të dhënave nga policia, nevoja për një komisariat të ri në Tiranë ka ardhur pas studimeve të terrenit, për tiu gjendur sa më pranë komunitetit në të gjithë kryeqytetin. Në këto kushte, nga specialistët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është kërkuar një komisariat i ri, me qëllim për të mbuluar disa fshatra në zona, që aktualisht, mbulohen nga Komisariati nr. 1, nr. 2 dhe nr. 6. Bëhet fjalë pikërisht për fshatrat sipër Saukut, deri në kufi me Elbasanin. Nga burime të besueshme pranë policisë mësohet se ky komisariat do të ketë numrin shtatë dhe qendra e tij do të jetë në Lundër. Sipas të dhënave, nga studimi i bërë, ky komisariat pritet të ketë rreth 86 punonjës në organikën e vet, ndërkohë që mësohet se tashmë është projektuar gjithçka dhe pritet vetëm vendimi final për krijimin e tij. Madje, uniformat blu bëjnë me dije se është përcaktuar vendi dhe disa nga emrat për funksionet drejtuese që ka një komisariat. Komisariati nr. 7 do të jetë në varësi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa për punonjësit e tij pritet të ketë prurje të reja nga Shkolla e Policisë, por edhe nga oficerë, të cilët prej kohësh qëndrojnë në reformë. Nga specialistët e policisë mësohet se tashmë, projekti është përfunduar dhe pritet ti dërgohet ministrit të Brendshëm për të miratuar këtë ndryshim strukturor të policisë kryeqytetase. Në ligjin për Policinë e Shtetit, pikërisht në nenin 12, ku flitet për organizimin dhe strukturat e përgjithshme të policisë, në pikën 3 deklarohet se struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe e sektorëve të saj, ku përfshihen drejtoritë e policisë së qarqeve, drejtoritë rajonale të Kufirit dhe Migracionit, komisariatet, komisariatet e Kufirit dhe Migracionit, stacionet e Policisë dhe stacionet e Kufirit dhe Migracionit, si dhe limiti i organikës së këtyre strukturave, miratohen nga ministri, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Dyshimet
Por, i dyshimtë mbetet fakti i krijimit të një komisariati, pikërisht në prag të zgjedhjeve, veprim i cili është kryer për herë të parë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme nga ministri i Rendit i asaj kohe, Igli Toska. Veç këtij fakti, ky komisariat ngrihet në një zonë, ku aktualisht janë magazinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht se policia është e depolitizuar. Në dy magazinat që administrohen nga KQZ-ja dhe janë të vendosura në Lundër administrohet e gjithë baza materiale për zgjedhje, duke filluar që nga kutitë e votimit, e deri te vulat. Megjithatë, policia e ka kërkuar zyrtarisht këtë komisariat të ri për faktin se territori që mbulojnë tre komisariate të tjera është tejet i gjerë dhe për të kryer detyrat sa më denjësisht, është menduar që të ketë një tjetër organ policor në organikën e Drejtorisë së Tiranës. Gjithashtu, në zonën ku do të ngrihet komisariati janë ndërtuar një sërë vilash luksoze që flitet se u përkasin qeveritarëve të ndryshëm, pavarësisht se kjo nuk është deklaruar asnjëherë zyrtarisht.
Precedenti
Në vitin 2005, Toska krijoi Komisariatin e Kombinatit
Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, ministri i Rendit i asaj kohe, i cili ishte Igli Toska, vendosi të krijojë një komisariat të ri në Tiranë, pikërisht në zonën e Kombinatit. Toska kandidonte për deputet në këtë zonë dhe menjëherë pas publikimit të informacionit për krijimin e një komisariati në zonën e Kombinatit pati akuza të ashpra nga PD-ja, që tetë vite më parë ishte në opozitë, se po planifikohej vjedhja e votave, ndërkohë që përballë ish-ministrit të Rendit kandidonte Presidenti aktual i Republikës së Shqipërisë. Madje, në krye të komisariatit të sapokrijuar u vendos në atë kohë kryekomisar Dritan Lamaj, i cili u ekzekutua në mënyrë mafioze në shkurt të këtij viti. Lamaj ka qenë një ndër shefat më jetëgjatë në krye të Komisariatit nr. 6, i cili mbulonte zonën e Kombinatit në Tiranë.
Burimi: Gazeta Shqip