E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët, ja sa kredite duhen për të marrë vitin



zirina llambro

Rregulla të përcaktuara mirë, si për studentët, ashtu edhe për pedagogët. Detyrimet e secilës palë, penalizimet e drejta e ankimimit për notat, apo kushtet për të kaluar në vitin pasardhës akademik. Të gjitha këto janë sanksionuar në rregulloren e re të Universiteti të Tiranës, e miratuar pak ditë më parë. Në një nen të veçantë është përcaktuar masa e frekuentimit të një lënde mësimore në leksione e seminare dhe kur studenti humb vitin. Nëse deri tani ndjekja e leksioneve ka qenë me dëshirë, tanimë vetë fakultetet nëse e shohin të arsyeshme mund ta bëjnë të detyrueshëm. "Në përputhje me specifikat e veta, çdo fakultet në rregulloren e tij të brendshme, mund të përcaktojë lëndë, frekuentimi i të cilave mund të jetë i detyrueshëm deri në masën 75%", thuhet në rregullore. Ndërkaq, sa i përket seminareve, ato do të jenë të detyrueshëm të ndiqen deri në masën 75%. "Kur studenti ka marrë pjesë në 50-75% nuk ka të drejtë të futet në provimin e radhës, por kalon në sezonin e vjeshtës. Kur studenti ka marrë pjesë në më pak se 50% të tyre, ai përsërit lëndën në vitin e ardhshëm", saktëson rregullorja. Sipas saj, studentët do të kenë mundësi të ankohen nëse vërejnë shkelje të rregullave gjatë provimit. Të njëjtën gjë, ata mund ta bëjnë edhe për notat që vendosin pedagogët. "Studenti ka të drejtë të ankohet për rezultatin përfundimtar të provimit. Ankesa i paraqitet me shkrim përgjegjësit të departamentit, brenda 48 orëve nga marrja në dijeni e rezultatit të provimit, i cili bën verifikimet e duhura dhe kur e gjen të pamundur zgjidhjen e ankesës, vë menjëherë në dijeni dekanin/drejtorin", thuhet në rregullore. Më tej, për shqyrtimin e ankesës do të ngrihet një komision ad-hoc, i cili do të bëjë verifikimin e pretendimeve të studentit. Me miratim të dekanit, komisioni përcakton vlerësimin përfundimtar të provimit. Përfaqësuesit e studentëve në senat kishin kërkuar që në komision të ishte edhe një përfaqësues i studentëve, por kjo kërkesë nuk u miratua, me gjithë insistimin e tyre.
Studimet part-time
Për herë të parë është përcaktuar edhe kohëzgjatja e studimeve me kohë të pjesshme. Edhe pse me sistemin e Bolonjës (3+2), kush do të ndjekë shkollën e lartë part-time do t'i duhet një vit më shumë për të marrë diplomën. "Programet e studimeve të ciklit të parë të studimeve në formën e studimit me kohë të pjesshme realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se 4 vite. Programet mësimore në ciklin e parë të studimeve në formën e studimit me kohë të pjesshme janë të njëjta, me atë të sistemit me kohë të plotë", thuhet në rregullore. Sipas saj, ngarkesa mësimore ditore është jo më shumë se 8 orë mësimi 60- minutëshe. Do të jenë departamentet dhe fakultetet ku organizohen studimet me kohë të pjesshme, të cilat do të përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të mësimit, afatet e likuidimit të detyrimeve, numrin e sezoneve për çdo vit akademik.
Kushtet për të kaluar vitin
Për të kaluar nga viti i parë në të dytin një studenti do t'i duhen të marrë të paktën 30 kredite nga lëndët që do japë provim në vitin e parë. "Studenti kalon nga viti i dytë në vitin e tretë, kur ka siguruar të paktën 90 kredite nga viti i parë dhe i dytë. Fakulteti i Mjekësisë, me propozim të Këshillit të Fakultetit dhe miratim të Senatit Akademik, mund të përcaktojë lëndë, pa fitimin e të cilave studenti nuk kalon në vitin pasardhës edhe nëse ka fituar 30 kredite", thuhet në rregullore. Ndërkaq, në të përcaktohet se studentët e vitit të fundit që në përfundim të provimeve të vitit rezultojnë me 30 kredite të pashlyera, kanë të drejtë t'i likuidojnë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati, përpara sezonit të diplomimit. "Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së tyre në sezonin e riprovimeve të vjeshtës, ndërsa diplomimi bëhet në sezonin e dimrit", thuhet në rregullore.

Pjesë nga rregullorja

Kriteret e kalimit në vitin pasardhës

n Studenti kalon nga viti i parë në vitin e dytë, kur ka siguruar të paktën 30 kredite të vitit të parë.

n Studenti kalon nga viti i dytë në vitin e tretë, kur ka siguruar të paktën 90 kredite nga viti i parë dhe i dytë.

n Fakulteti i Mjekësisë, me propozim të Këshillit të Fakultetit dhe miratim të Senatit Akademik, mund të përcaktojë lëndë, pa fitimin e të cilave studenti nuk kalon në vitin pasardhës edhe nëse ka fituar 30 kredite.

n Studenti i vitit të fundit, që në përfundim të provimeve të vitit rezulton me 30 kredite të pashlyera, ka të drejtë t'i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati/drejtoria, përpara sezonit të diplomimit.

n Studenti që shlyen këto detyrime, lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës. Në rast të kundërt, i lind e drejta e shlyerjes së tyre në sezonin e riprovimeve të vjeshtës, ndërsa diplomimi bëhet në sezonin e dimrit.

n Studenti lejohet të hyjë në mbrojtjen e diplomës, pasi ka fituar të gjitha kreditet e parashikuara në programin mësimor.

Riprovimet

n Frekuentimi i leksioneve: Si rregull është fakultativ. Në përputhje me specifikat e veta, çdo fakultet/institut në rregulloren e tij të brendshme, mund të përcaktojë lëndë, frekuentimi i të cilave mund të jetë i detyrueshëm deri në masën 75%.

n Frekuentimi i seminareve: është i detyrueshëm në masën 75%. Kur studenti ka marrë pjesë në 50-75%, nuk ka të drejtë të futet në provimin e radhës, por kalon në sezonin e vjeshtës. Kur studenti ka marrë pjesë në më pak se 50% të tyre, ai përsërit lëndën në vitin e ardhshëm.

Studimet me kohë të pjesshme

n Universiteti i Tiranës në fakultetet e tij organizon studimet me kohë të pjesshme. Kuotat e pranimit dhe tarifa e veçantë e shkollimit për studimet me kohë të pjesshme përcaktohen në aktet nënligjore të KM dhe MASh.

n Programet e studimeve të ciklit të parë të studimeve në formën e studimit me kohë të pjesshme realizohen me 180 ECTS dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se 4 vite.

n Programet mësimore në ciklin e parë të studimeve në formën e studimit me kohë të pjesshme janë të njëjta me atë të sistemit me kohë të plotë. Ngarkesa mësimore ditore është jo më shumë se 8 orë mësimi 60-minutëshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›