E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisionet, PS-PD shkelin Kodin

 

BLEDAR HOTI

Mungesa e anëtarëve të KZAZ-ve dhe të KQV-ve shkakton debate të ashpra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi dje se institucioni i tij është tërësisht në shkelje të plotë të ligjit në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e Komisioneve të Qendrave të Votimit, si dhe me heqjen dhe mos paraqitjen e disa anëtarëve të KZAZ, apo mos plotësimin e vendeve vakante. Kur gjithsej janë 4812 KQV, nuk janë as në gjysmën e tyre. “Në bazë të ligjit jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve partitë duhet të kishin çuar listat në KZAZ dhe po në bazë të ligjit jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve duhet të ishte bërë emërimi i tyre. Aktualisht jemi më vonë se 20 ditë, kemi kaluar afatin ligjor dhe nga partitë nuk është respektuar ligji. Është shqetësim shumë i madh se duhet të bëhet gati procesi, por dhe duhen trajnuar komisionerët”, deklaroi Ristani. Më tej, ai akuzoi PS-në se nuk plotëson vendet vakante dhe se një pjesë e tyre janë larguar. Kaq ka mjaftuar që hapet debati ndërmjet përfaqësuesve të partive politike dhe të vetë anëtarëve të KQZ-së. “E keqja zoti kryetar vazhdon të mbeten komisionerët e KZAZ para se të shkojmë te KQV. Problem 30 % i grave nga PS në 12 zona. Ky është një problem i madh që e dëmton procesin, sepse po nuk funksionuan KZAZ-të nuk mund të funksionojnë KQV. Kërkoj urgjentisht të mbahet një qëndrim nga ju. Nëse PS nuk do të plotësojë detyrimet, të zëvendësohet sipas ligjit. Të vijnë emrat, të plotësohet 30%. Të rregullohet problemi dhe gjithsecili të marrë pjesën që i takon lidhur me defektet e tjera”, tha përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj theksoi se informacioni nuk mund të vihet në tavolinë 3 minuta përpara fillimit të mbledhjes. “Më lejoni të kujtoj që për një pjesë të problematikës së KZAZ pengesë është bërë KQZ dhe kjo për faktin e vetëm se ju duke argumentuar mungesën e 30 % dhe keni vendosur të mos pranoni asnjë propozim të PS për të ndërruar anëtarë të komisioneve zonale. Për KQV morëm informacion dhe do reflektojmë”, tha Gjonçaj. Anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi kërkoi që këto debate të mos ngrihen në këto momente për të bërë spektakle dhe që nuk gjejnë vend për të tilla informacione, sepse mungesat mund të lidhen me arsye shëndetësore. “Aspak nuk janë për spektakël. Nuk mund të pretendoni se janë të gjithë sëmurë se nuk është një rast, ka nga ata që kanë dhënë dorëheqjen dhe nuk janë zëvendësuar, sigurisht jemi të gjithë në dijeni që mosplotësimi me gjininë tjetër është një shkelje, që po vazhdon në mënyrë permanente dhe kjo nuk është për spektakël”, replikoi Ristani. Nënkryetarja Dëshira Subashi deklaroi se “mënyra si paraqitet informacioni, në sekondën e fundit, për çështje jashtë rendit të ditës, që një problem të bëhet mediatik, që sigurisht ia vlen të bëhet mediatik nëse fenomeni ekziston, por besoj se në këtë formë operimi ne nuk zgjidhim problemin”. Ajo kërkoi zhvillimin e një mbledhje tjetër për këtë çështje.

debatet ne kqz

Njazi Kosovrasti, PD: E keqja zoti kryetar, vazhdojnë të mbeten komisionerët e KZAZ para se të shkojmë te KQV. Problem 30 % i grave nga PS në 12 zona. Ky është një problem i madh që e dëmton procesin, sepse po nuk funksionuan KZAZ-të nuk mund të funksionojnë KQV. Kërkoj urgjentisht të mbahet një qëndrim nga ju. Nëse PS nuk do të plotësojë detyrimet, të zëvendësohet. Të vijnë emrat, të plotësohet 30%.
Genc Gjonçaj, PS: Deri këtu me të vetmin përjashtim që informacioni nuk mund të vihet në tavolinë 3 minuta para mbledhjes. Më lejoni të kujtoj që për një pjesë të problematikës së KZAZ pengesë është bërë KQZ dhe kjo për faktin e vetëm se ju duke argumentuar mungesën e 30 % dhe keni vendosur të mos pranoni asnjë propozim të PS për të ndërruar anëtarë të komisioneve zonale.
Pandeli Varfi, anëtar KQZ: Dhe unë si anëtar i KQZ mund të kem një hall, nuk mund të më akuzoni për mospjesëmarrje në detyrë. Efekte të tilla që për mendimin tim bëhen për spektakël nuk duhet të gjejnë vend në informacionet tona. Është tjetër gjë ato që janë shkelje të rënda të ligjit. Por nuk është ky rast. Mungesa mund të jetë e arsyeshme ose jo në këtë mënyrë.
Arben Ristani, kryetar i KQZ: Aspak nuk janë për spektakël. Nuk mund të pretendoni se janë të gjithë sëmurë se nuk është një rast, ka nga ata që kanë dhënë dorëheqjen dhe nuk janë zëvendësuar, sigurisht jemi të gjithë në dijeni që mosplotësimi me gjininë tjetër është një shkelje që po vazhdon në mënyrë permanente dhe kjo nuk është për spektakël, aspak nuk është për spektakël fakti që të dyja forcat politike nuk po plotësojnë anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit.
Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ:  Mënyra si paraqitet informacioni, në sekondën e fundit, për çështje jashtë rendit të ditës, që një problem të bëhet mediatik që sigurisht ia vlen të bëhet mediatik nëse fenomeni ekziston, por besoj se në këtë formë operimi ne nuk zgjidhim problemin. Nëse është shqetësues KQZ duhet të dalë me një propozim për të dalë nga kjo situatë. Mund të bëjmë një mbledhje të veçantë në lidhje me këtë çështje.
Arben Ristani, kryetar i KQZ: Unë prisja që të gjithë të bashkoheshit me shqetësimin tim për faktin që partitë politike nuk po sjellin propozimet për anëtarët e KQV, që PS të sjellë femrat që mungojnë në KZAZ, ka kohë që ka shkelur ligjin dhe vazhdon ta shkelë. Prisja të jeni të shqetësuar për këto fenomene pavarësisht që shqetësimi për procedurë mund të jetë i drejtë dhe të rregullohet. Për këto të tjerat duhet të jemi të një zëri që të ecim para. Nëse do merremi me procedurë për mua nuk vete historia atje ku duhet.
Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ: Në asnjë fjalë nuk thashë se nuk jam e shqetësuar për problemin. Diferenca qëndron në atë që administrata duhet të japë info të përditshme që problemi të zgjidhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›