E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morali pa skrupuj dhe Shyqyri Ballgjini

Martin Leka 

Të gjithë këta që dalin në fushatë e debat publik flasin për moralin dhe në emër të moralit. E kanë kthyer këtë moralin si ta kishin një xhaketë, një kollare, një kravatë apo një palë këpucë, të cilat bëhen pronë e prurësit më të parë  Flasin e flasin ca e ca, po kur flasin ca eksponentë për politikën e vjetër 18-vjeçare, ca pra, që përgjatë këtyre 18 vjetëve kanë qenë ministra apo zyrtarë të njohur, atëherë të duket sikur dikush “thyen arra mbi kokën tënde”. Ti ke në dorë vetëm një gjë: të fikësh ekranin e televizorit. Të gjithë kemi nevojë më pas të rihapim fjalorët enciklopedikë e të përkufizojmë moralin e fjalës “moral”… Po e le me kaq. Vazhdojmë me listat. Listat? – Na janë bërë si shishet e qumështit dikur - më thotë një kolegu im, i cili për shkak të profesionit dhe detyrës në fushatë, i di listat e partive gati përmendësh. Dikush me meritë, dikush me “mik”, dikush duke paguar “haraçin”, ka bërë që radha për listën të shembë moralin e politikës, për të cilin, siç e thamë, flitet e flitet papushim, si të ishin biseda mes vajzave, që pasi e kanë lënë të kuqin e virgjërisë mbi çarçafin e dashnorit, kërkojnë të gjejnë të njëjtin çarçaf për ta shtruar natën e parë të martesës?!...
I lemë dhe listat atëherë. Kalojmë tek “30 përqindëshat e detyrueshëm”, gratë. Kam qenë dhe jam i bindur se gratë, për vetë natyrën e tyre shoqërore, mund të sillnin një tjetër klimë në politikën e ashpër shqiptare. Por nuk kam qenë e nuk jam kurrsesi që ato të vendosen në një numër të tillë vetëm për shkak të gjinisë. Nëse do të funksiononte morali i vërtetë - si tek gratë ashtu tek burrat - atëherë padyshim, do të kishim shumë më tepër gra në Parlament e politikë se sa “30 përqindëshi”. Eshtë mëkat që kapacitete të tilla mund të gjesh ngado, në qendër e në të ashtuquajtura provinca, kapacitete me nivel arsimor, kulturor, profesional, të ditura e të mençura (të pashme po e po) por që për shkak të mungesës së vëmendjes dhe “moralit” të shpifur të politikës, ende vazhdojnë të mbeten atje, në Korçë apo Elbasan, Shkodër apo Vlorë, Gjirokastër apo Durrës…
Përpos këtyre që thamë, një tjetër problem më vete është edhe “30 përqindëshi”, i cili, për natyrën maskiliste të politikës, janë zgjedhur nga burrat. Më i rëndë bëhet problemi kur shohim shpesh nga këto “30 përqindëshe” që të përzgjedhur nga burrat, nuk i lënë gjë mangët një burri me mjekër dhe që hedhin bajga ekraneve të televizorëve si dhitë livadheve… apo ca “skuthe” që 18 vjet rropën fonde në emër të mosangazhimit politik dhe papritur bëhen militante partie si të ishin “më katolik se Papa”…

* * *
Të gjitha mund t’i lija, por këtë që po tregoj dhe që e mësova dje, nuk mund ta lë pa e përmendur. Nuk besoj se ka një votues potencial që nuk e njeh Shyqyri Ballgjinin. Në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Durrës. Një ndër legjendat e futbollit shqiptar të viteve 69’-‘87. Ka përfaqësuar Dinamon, Vllazninë, Partizanin, Lokomotivën, 17-Nëntorin dhe mbi të gjitha, Kombëtaren e Shqipërisë në futboll. I vlerësuar me titujt nga më të rëndësishëm si Mjeshtër Sporti dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit, Nderi i Futbollit Shqiptar, Legjenda e Futbollit Shqiptar etj., Ballgjini edhe pse nuk ka folur, është përballur shpesh me moralin e paskrupullt të politikës. Në vitin 1994 shkarkohet nga shkolla e Mjeshtërisë Sportive Durrës si simpatizant i socialistëve. Po për të njëjtën arsye, në tetor 2005, shkarkohet si drejtor i NFIL nga ministri i linjës. Duke gëzuar statusin e nëpunësit civil, çështjen e hedh në gjyq dhe e fiton në gjykatën e Durrësit.
Dhjetë ditë më parë, Sh. Ballgjini është shkarkuar sërish nga detyra e tij si Drejtor i Shumësporteve në Bashkinë e Durrësit nga kryebashkiaku Dako. Absurdi? Pikërisht në atë që thamë: tek morali i prishur dhe i shpifur i politikës. Sepse kryetari i bashkisë së Durrësit është socialist (të paktën nga socialistët është zgjedhur në atë detyrë). Po pse është shkarkuar Ballgjini? Ai vetë nuk flet, por të gjithë në Durrës e dinë dhe e thonë me zë: është shkarkuar sepse është mik me Lefter Kokën, kryesuesin e listës për deputetë të LSI-së në qarkun e Durrësit?!.... Ballgjini, si më parë, vazhdon të mos flasë. Thonë se kur dikush i afërt e pyeti Ballgjinin se cilin nga miqtë e tij do të donte deputet, Dakon apo Kokën, ai u përgjigj: “I dua të dy deputetë se të dy i kam miq njësoj”! Ky perversitet politik me siguri do të ketë kosto për vetë autorët e saj; me siguri Ballgjini do t’i japë më shumë vota Kokës me papunësinë e tij, se sa me të qenit në detyrë. Qoftë edhe për faktin se Ballgjinin e njohin më shumë e më mirë se kryebashkiakun besoj…
Ky rast flagrant, tregon qartë për diletantizmin e politikës, tregon qartë se si as “epopeja” e llafeve, as “himnet” gazmore të partive, nuk mund të fshehin rraskapitjen morale të politikës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›