Asnjë i ndaluar për atentatin e Eminit
FIER - Policia e Fierit mori në pyetje dje djalin e Fatmir Eminit (Mile Çamit) të cilit i bënë atentat mbrëmjen e së mërkurës. Ilir Emini tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi i hetimit ka marrë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Por as deklarata e 20-vjeçarit Ilir Emini dhe as ajo e kushëririt që është ndodhur bashkë me të në momentin kur u qëllua nuk i kanë shërbyer policisë për të mbledhur ndonjë të dhënë e cila do ti çonte ata më pas në gjurmët e autorit. Fakti që autori i plagosjes ka qenë i maskuar në çastin kur ka qëlluar, e ka vështirësuar hetimin. “Ndodhesha përpara shtëpisë, kur një person që nuk e pashë kush ishte, po lëvizte me motor aty pranë. Ai qëlloi mbi mua dhe u largua. Mbaj mend vetëm që ishte me motor dhe se kishte disa minuta që po lëvizte në lagje. Nuk i kushtova rëndësi kush ishte pasi as ma merrte mendja që ai po më ruante mua” - mësohet të ketë deponuar i riu që i shpëtoi mrekullisht këtij atentati. Sipas burimeve të policisë, nga hetimet e deritanishme rezulton se i Emini nuk ka pasur konflikte personale. Blutë janë fokusuar në pista të tjera, të cilat për efekt hetimi nuk bëhen të ditura. m.r