Zhduken nga kompjuteri fotot e kartave
BERAT – Zhduken nga kompjuteri 740 fotografitë e aplikuesve nga komuna Poshnjë e Beratit. Të gjitha kartat e aplikimit të kryera në muajt maj dhe qershor digjen nëse nuk gjenden fotografitë e kryera nga banorët e zonës me qëllim pajisjen me dokumentin e identifikimit. Këtë fakt e bëri të ditur dje vetë kryekomunari i Poshnjës, Meleq Lila. Sipas tij, mungesa e kushteve të përshtatshme për funksionimin e aparateve në komunë mund të jetë bërë shkak për këtë ngjarje, pak ditë para mbylljes së procesit në të gjithë vendin. Pak kohë më parë një tjetër pajisje në zyrën e procesit të aplikimit u dëmtua, por u zëvendësua në kohë. Kur kanë mësuar se çfarë kishte ngjarë, banorët që prisnin ditën për të tërhequr kartën kanë shkuar për t’u interesuar pranë zyrave të komunave. Ata shprehin shqetësimin se u duhet të qëndrojnë sërish në radhë të gjata për të aplikuar për kartën e identitetit. Mësohet se në Poshnjë kanë shkuar specialistë, të cilët po kryejnë të gjitha verifikimet për gjetjen e fotografive. Ata pritet të dalin me përfundimin nëse ato janë fshirë apo ndonjë motiv tjetër i ka bërë të zhduken nga rrjeti. d.xh