Topi: Partitë të shprehen për vazhdimin e reformës në drejtësi
Në kulmin e fushatës elektorale, Presidenti Bamir Topi i bën thirrje forcave politike që të shprehen hapur për vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Duke folur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në cilësinë e kryetarit të këtij institucioni, Topi tha se “është shumë e rëndësishme që partitë të prononcohen në mënyrë elokuente, në mënyrë të qartë, që vazhdimi i reformës në sistemin e drejtësisë mbi bazën e vizionit të tyre dhe asnjëherë subjekt i politikës, se kjo është shprehje e demokracisë, dhe vendosja dhe diferencat në spektrin politik, që të demonstrohet, të dëshmohet se politika e reformave është jetike për sistemin e drejtësisë dhe për institucionet në Shqipëri”. “I ftoj partitë, që pavarësisht nga rezultati, pavarësisht kush do të jetë fituesi apo humbësi, reformat që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë kanë të bëjnë në radhë të parë me një vullnet politik, me një predispozicion qytetar në funksion të qytetarit, në funksion të individit, në funksion të sistemit të drejtësisë”, vijoi më tej kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë, Topi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile dhe të aplikojnë për t’u pajisur me kartat e reja të identitetit. Presidenti theksoi gjithashtu se pritshmëria për kryerjen e detyrës nga ana e Kolegjit Zgjedhor është e lartë, duke shtuar se vota e sistemit të drejtësisë është pikërisht në ndërgjegjen e çdo gjyqtari.