Sarandë, plagoset gjatë tentativës së grabitjes pronari dhe hajduti
SARANDE – Hajduti plagoset rëndë, pasi hidhet nga ndërtesa ku hyri për të vjedhur. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm në lagjen 1 të qytetit të Sarandës. Pronari i banesës që përdorej dhe si hotel familjar, Fatmir Muzhai, mbeti i plagosur me thikë prej dy autorëve që i hynë papritur në shtëpi. Ai ishte në gjumë, kur gruaja kishte pikasur lëvizjet e dyshimta në banesë. Menjëherë Muzhai është zgjuar, por është përballur me sulmin e dy autorëve, njëri prej të cilëve u identifikua si 33-vjeçari Ylli Gjinika. Njëri prej hajdutëve e sulmoi pronarin me thikë, duke e goditur dy herë, por për fat ndodhet jashtë rreziku për jetën. Në pamundësi për të realizuar grabitjen, autorët janë larguar, duke u hedhur nga ndërtesa. Njëri prej tyre, Gjinika është gjetur rreth 2 orë më vonë, 100 metra larg vendngjarjes, me plagë të shumta. Policia, e cila kishte marrë njoftimin për sulmin grabitës dyshoi se Gjinika ishte një prej autorëve. Ai është përcjellë me shpejtësi drejt Tiranës, për shkak të gjendjes së rëndë. Sipas burimeve të policisë, Gjinika njihej si përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa ishte dënuar në Greqi për trafik droge. sh.d