Komisionet hetimore, çfarë thotë Kushtetuesja
Ngritja e një komisioni hetimor parlamentar parashikohet në nenin 72 të Kushtetutës dhe ngrihet me kërkesë të një të katërtës së deputetëve, por veprimtaria hetimore e tij është specifikuar nga një interpretim kushtetues që i ka bërë Gjykata Kushtetuese në vitin 2003. Një grup deputetësh në vitin 2003 i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të bëjë një interpretim mbi rolin e komisioneve hetimore dhe në datën 14 maj të atij viti, Gjykata Kushtetuese e drejtuar atëherë nga Fehmi Abdiu, mori një vendim prej 13 faqesh, ku interpretonte veprimtarinë ligjore e kushtetuese që ndjek komisioni hetimor. Referuar këtij vendimi, i cili është përmendur edhe nga juristët në situatën e fundit politike, ku opozita kërkon hapjen e kutive, thuhet se komisioni hetimor parlamentar ka të drejtë të hetojë, por s’mund të prekë asnjë vendim apo kompetencë të gjyqësorit. Sipas këtij vendimi, raporti i komisionit mund të ketë një impakt politik, por s’ka asnjë efekt detyrues mbi gjykatat dhe pavarësinë e tyre. “Komisioni hetimor, duke hetuar një fushë të caktuar brenda kompetencave që përfshihen në përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit, mund të arrijë të gjejë të dhëna, të cilat përbëjnë shkak për t’u vlerësuar nga ana e tij, por pa hyrë në sferën e organeve hetimore e gjyqësore të ngarkuara nga Kushtetuta për veprimtari të këtij lloji. Raporti përfundimtar që harton komisioni sigurisht që nuk ka efekte detyruese mbi gjykatat, por ndikimi i tij në nivelin politik mund të jetë i konsiderueshëm”, - thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më tej, në të njëjtën vendim, Gjykata Kushtetuese interpreton se komisionet hetimore janë të pajisura nga ligji me pushtete të njëjta me ato të organeve të hetimit e të gjykimit, por raportet e këtyre komisioneve nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese. “Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. Pavarësia e gjykatave nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët apo deputetët, por artikulimi i këtyre vlerësimeve nëpërmjet raporteve të komisioneve hetimore parlamentare nuk është në përputhje me parimet kushtetuese. Gjatë aktivitetit hetimor, komisionet parlamentare ushtrojnë edhe kompetenca gjyqësore apo quasi gjyqësore. Ato janë të pajisura nga ligji me pushtete të njëjta me ato të organeve të hetimit e të gjykimit. Në këtë kuptim, komisionet hetimore duhet të garantojnë plotësisht këtë parim, duke mos e trajtuar apriori të interesuarin për çështjen në fjalë si fajtor”, - thuhet më tej në këtë vendim.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, 14 maj 2003
Gjykata Kushtetuese është e mendimit se interpretimi i nenit 77 pika 2 të Kushtetutës duhet shoqëruar edhe me një analizë e vlerësim mbi disa çështje kushtetuese dhe norma ndërkombëtare të gjithëpranuara, të cilat duhen respektuar nga Kuvendi në ngritjen e komisioneve hetimore.
E drejta e një të katërtës së deputetëve për të ushtruar hetimin parlamentar nuk mund të konsiderohet absolutisht e pakufizuar. I vetmi kufizim i saj është i lidhur me detyrimin që, objekti i hetimit, të jetë në përputhje me respektimin e parimeve të sanksionuara nga Kushtetuta. Ekzistenca e një kufizimi të tillë, edhe pse nuk përmendet në nenin 77 të Kushtetutës, është e kuptueshme dhe buron nga dispozita të tjera të saj.
E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Ky është formulimi i nenit 4 pika 1 të Kushtetutës dhe nga detyrimi për të zbatuar këtë parim, nuk mund të përjashtohet askush. Mbi bazën e këtij parimi kushtetues, Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore” dhe në nenin 4 ka parashikuar pikërisht ngritjen dhe funksionimin e tyre konform parimeve kushtetuese.
Sipas nenit 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në demokracitë perëndimore parimi i ndarjes së pushteteve, megjithëse efektiv, nuk është zbatuar në mënyrë strikte duke mos ndjekur modelin ideal klasik. Nga ky vështrim doktrinar që jep jurisprudenca kushtetuese evropiane, Gjykata Kushtetuese çmon të nevojshme të theksojë se kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë, që të mos ndërhyjë pa kufizim në veprimtarinë e pushteteve të tjera. Një hetim i iniciuar që nuk lidhet me qëllimet dhe që nuk i përket veprimtarisë së legjislativit, nuk konsiderohet në përputhje me parimet kushtetuese.
Ky instrument i rëndësishëm nuk mund të përdoret në mënyrë abuzive dhe tej hapësirës kontrolluese që Kushtetuta i njeh Kuvendit. Prandaj, ushtrimi i këtij mjeti juridik kushtetues për ato çështje dhe në ato pushtete, ndërkohë që Parlamenti në aspektin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve mund ta ketë të pamundur ushtrimin e kontrollit, do të dëmtonte këtë kompetencë kushtetuese.
Parimi i ndarjes së pushteteve nënkupton një mënyrë të veçantë për përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të gjykatave dhe pushteteve të tjera. Zakonisht, vetëm pavarësia e gjyqtarëve mbrohet në mënyrë strikte. Prandaj marrëdhëniet ndërmjet gjyqësorit dhe pushteteve të tjerë bazohen dhe orientohen kryesisht për nga parimi i ndarjes së tyre. Një element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Ekzistenca e parimeve të tilla nuk pranon mbi veprimtarinë e gjykatave influenca diktuese që mund të vijnë nga pushtetet e tjera. Vendimet gjyqësore mund të ndryshojnë nga një autoritet gjyqësor më i lartë dhe të vetmet përjashtime të pranuara nga doktrina e së drejtës janë prerogativa presidenciale e faljes dhe e drejta e ligjvënësit për nxjerrjen e akteve të amnistisë.
Komisioni hetimor, duke hetuar një fushë të caktuar brenda kompetencave që përfshihen në përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit, mund të arrijë të gjejë të dhëna, të cilat përbëjnë shkak për t’u vlerësuar nga ana e tij, por pa hyrë në sferën e organeve hetimore e gjyqësore të ngarkuara nga Kushtetuta për veprimtari të këtij lloji. Raporti përfundimtar që harton komisioni sigurisht që nuk ka efekte detyruese mbi gjykatat, por ndikimi i tij në nivelin politik mund të jetë i konsiderueshëm.
Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. Pavarësia e gjykatave nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët apo deputetët, por artikulimi i këtyre vlerësimeve nëpërmjet raporteve të komisioneve hetimore parlamentare nuk është në përputhje me parimet kushtetuese. Gjatë aktivitetit hetimor, komisionet parlamentare ushtrojnë edhe kompetenca gjyqësore apo quasi gjyqësore. Ato janë të pajisura nga ligji me pushtete të njëjta me ato të organeve të hetimit e të gjykimit. Në këtë kuptim, komisionet hetimore duhet të garantojnë plotësisht këtë parim, duke mos e trajtuar apriori të interesuarin për çështjen në fjalë si fajtor.