Rama mbledh besnikët: Bojkoti do të vazhdojë
Kur pritet që Partia Socialiste të ndërpresë bojkotin e gjatë parlamentar dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes, Edi Rama dhe besnikët e tij në parti planifikojnë vazhdimin e bojkotit dhe ndëshkim të atyre që dalin kundër brenda partisë. Para pak ditësh në një darkë të shtruar nga Rama, ku merrnin pjesë rreth 10 deputetë, të cilët ai i konsideron si besnikë, është thënë qartë nga kryesocialisti se “ne duhet t’i qëndrojmë bojkotit”, pasi sipas tij, Berisha do të hapë rrugë. Po duket se Rama ka qenë i kujdesshëm në përzgjedhjen e miqve të ftuar, pasi ka marrë garanci për besnikëri nga ata. Siç bëjnë të ditur burimet nga ky takim, deputetët e ftuar, shumica të vjetër në parti, kanë thënë se janë gati t’i sakrifikojnë mandatet e tyre si deputetë përballë “kauzës” që ka partia. Burimet më tej shtojnë se nuk mund të qëndronte jashtë fokusit dhe shqetësimi për largimin e 5 ose më shumë deputetëve, të cilët po bëhen gati të thyejnë këtë bojkot duke mos pranuar të djegin mandatet e tyre të deputetëve. Lidhur me këtë problem, Rama dhe deputetët e tjerë të pranishëm kanë qenë të mendimin që “kush devijon nga vendimi politik do të zbatohet statuti”, që me pak fjalë do të thotë përjashtim i tyre nga partia. Ata që kanë mbështetur këtë linjë të fortë të veprimit të PS-së janë shprehur ndërkaq edhe publikisht pro bojkotit dhe janë bërë avokatë të Ramës në sjelljen politike pas 28 qershorit. Bëhet fjalë për Gramoz Ruçin, Valentina Leskajn, Bashkim Finon, Blendi Klosin, Fatmir Xhafajn, Arta Daden, Et’hem Rukën etj.
Ky takim tregon gjithashtu mënyrën se si Rama funksionon në parti, duke krijuar forume informale, ndërkohë që nuk “guxon” ta mbledhë kryesinë e partisë prej disa muajsh. Por duke pasur një kryesi aspak dashamirëse, ku afro 40 për qind e anëtarëve janë kundërshtarë të tij, ai preferon të krijojë kryesinë e “restoranteve”, ku mbledh besnikët dhe vendosin të vazhdojnë bojkotin pavarësisht se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi qartë dhe shprehimisht kthimin e PS-së në Kuvend dhe më pas nisjen e hetimit të zgjedhjeve. Por PS e ka shqetësimin kryesor tek hapja e kutive dhe rinumërimi i votave, veprim që do të intervenonte në vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Ndërkohë që mazhoranca ka deklaruar se nuk negocion mbi këtë pikë, për të cilën dhe KiE nuk e sheh të arsyeshme, PS vazhdon të këmbëngulë. Sipas burimeve të gazetës, kreu i PS-së në takim me njerëzit e tij ka folur për zgjatje të bojkotit, duke folur me bindje se do të jetë mazhoranca ajo që do të pranojë kushtet e PS-së.