E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ekstremistë përpiqen të helmojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në një konferencë për shtyp, deklaroi dje se grupe ekstremiste, pjesë e politikës, po tentojnë të helmojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë. Sipas Metës, këto grupe kërkojnë të kthejnë marrëdhëniet prapa në të kaluarën. “Unë si ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk mund të mbyll sytë dhe nuk mund të hesht kur elementë ekstremistë, e theksoj, në politikën shqiptare, që për fat të mirë janë në pakicë e të izoluar nga shoqëria jonë, përpiqen të helmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe midis dy popujve vazhdimisht, me qëndrime të ndryshme, të cilat nuk i shërbejnë askujt, përveç atyre grupeve që kërkojnë t’i kthejnë marrëdhëniet prapa në të kaluarën”-deklaroi Meta i cili shtoi se do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rrëzimin e marrëveshjes së ujërave me Greqinë. Ai shtoi se me zbardhjen e vendimit të gjykatës do të merren hapat e mëtejshëm. “E theksoj edhe një herë, që ne do e respektojmë vendimin, cilido qoftë ai dhe në momentin që ky vendim bëhet publik, padyshim që ne do të bëjmë sqarimet në emër të grupit negociator për të gjitha argumentet, ku do të jetë mbështetur gjykata në dhënien e vendimit, për transparencë ndaj opinionit publik. Pra, vendimi nuk diskutohet”, - deklaroi Meta. Ministri tha më tej se këto grupe ekstremiste po punojnë kundër interesave të Shqipërisë. “Shikoni ata që tërë ditën rrinë e merren me krijimin e mosbesimit dhe të urrejtjes midis dy popujve, kur ne në Greqi kemi gati 1 milion shqiptarë dhe kur dihet që Greqia është një nga mbështetëset kryesore të integrimit evropian të Shqipërisë, të liberalizimit të vizave për të gjithë shqiptarët, ashtu sikurse edhe Greqia ka qenë një mbështetëse shumë e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, - tha ai.
I pyetur më tej nga mediat nëse do të ketë një marrëveshje të re, Meta tha se kufijtë ujorë janë prioritet i qeverisë. “Përcaktimi i kufijve detarë, si me Greqinë, ashtu edhe me Malin e Zi, është një prioritet për qeverinë tonë, pasi së pari është një hap përpara në drejtim të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke qenë se hyn tek çështjet ende të pazgjidhura me vendet fqinje, por edhe sepse i jep mundësi vendit që të shfrytëzojë hapësirat ujore dhe nënujore”, - tha ministri i Jashtëm, i cili shtoi se qëndrimi i Greqisë ka qenë korrekt dhe në respektim të institucioneve shqiptare. “Qëndrimi i Greqisë ka qenë tepër korrekt. Ata respektojnë institucionet shqiptare, gjë që është konfirmuar edhe nga ministri i Jashtëm Plotësues grek, Droucas, këtu në Tiranë, kur u është përgjigjur pyetjeve tuaja”, - vlerësoi Meta. Ministri i Jashtëm premtoi më tej sqarime mbi marrëveshjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku të jepen arsyet e rrëzimit të saj. “Ju e keni parë që ne që nga fillimi i shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, kemi ndërprerë çdo lloj sqarimi, qoftë edhe publik, duke e përqendruar vëmendjen në Gjykatën Kushtetuese. Ende nuk e dimë cilat kanë qenë arsyet dhe shkaqet, pasi ky vendim ende nuk është bërë publik, ende nuk është zbardhur. Informacionin e kemi marrë nga mediat”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›