Gaxhai, dëshmitarët të mos fshihen, të vijnë para gjykatës
20/04/2005 TIRANË – Gazmend Braka ka ndryshuar mendim në seancën e djeshme gjyqësore, kur dëgjoi nga goja e prokurorit kërkesën për të lexuar deklarimet e tre dëshmitarëve. Fillimisht, Braka qe dakord që procesi gjyqësor të vazhdonte pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, Mark Pëllumbi. Por, kur prokurori i kërkoi gjykatës leximin e thënieve të tre dëshmitarëve, Lumturi, Gëzime Dule dhe Dhimitër Daka, Gaxhai kundërshtoi. I dënuari me burgim të përjetshëm, Gazmend Braka, i tha gjykatës së dëshmitarët nuk janë larguar jashtë vendit, por ndodhen në Vlorë dhe, sipas tij, prokurori po kërkonte diçka të padrejtë. Megjithatë, gjykata qe e detyruar të ndërpriste seancën gjyqësore, duke i dhënë të drejtën Gaxhait të ketë në krah avokatin e tij mbrojtës, Mark Pëllumbi, që dje mungonte. Braka është duke u gjykuar për disa vepra penale të kryera në vitin 1997. Ndërkohë vazhdon të qëndrojë në burgun e Burrelit, duke vuajtur masën e dënimit me burgim të përjetshëm për krimin e vrasjes.