E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi emigrantët, shansi i tretë për lejeqëndrim

20/04/2005  Ndryshime të rëndësishme në politikat e emigracionit sjell projektligji i Ministrisë së Punëve të Brendshme greke, i cili mori aprovimin e komisionit qeveritar, një ligj i cili do të kalojë për aprovim në Parlamentin grek, pas festës së Pashkëve ortodokse dhe do të hyjë në fuqi, më 1 janar të 2006. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni shtetëror grek "ERT". Midis të tjerash, theksohet se ky projektligj parashikon dhënien e lejeve të qëndrimit 5-vjeçare, leje që do të jetë njëkohësisht e vlefshme, si për qëndrimin ashtu edhe për punësimin, që deri në këtë moment jepeshin të ndara. Përveç faktit që ky projektligj është i vlefshëm për të gjithë emigrantët, që jetojnë aktualisht me leje të rregullta qëndrimi, në njoftimin e "ERT" theksohet se përfshihen edhe kushtet, që duhet të përmbushë një i hujai nga vendet ekstrakomunitare, për të shkuar në Greqi, si edhe për të huaj nga vendet e KE.

Paralelisht i bashkëgjiten këtij projektligji edhe udhëzimet e KE-së, për bashkimin familjar të emigrantëve që jetojnë në shtetin fqinj. Gjithashtu parashikohet edhe dyfishimi i zyrave të emigracionit në Athinë dhe Selanik. Parashikohet edhe ngritja e sistemit të numrit të amzës për të gjithë emigrantët, ndërkohë që do të ngrihet edhe një komision dyministror, i Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe të Rendit Publik.

Projektligj që mbron emigrantët dhe siguron të gjitha të drejtat e tyre

Procedura që duhet të ndjekë emigranti për të marrë lejen e qëndrimit në shtetin helen do të jetë si më poshtë:

Emigranti duhet të paraqitet në zyrat qendrore të Rajonit (Periferia) dhe të kërkojë aprovimin e lejës së qëndrimit. Rajoni do të kontrollojë të gjitha të dhënat nëpërmjet Komisionit dhe, nëse Komisioni e aprovon, emigranti, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme do të marrë dokumentin nga Shtypshkronja Shtetërore me numrin e amzës respektiv, të cilin do ta përdorë në shërbimet e të gjitha ministrive. Nënvizohet fakti, se përpara kontrollit të Rajoneve, do të ushtrohet kontroll edhe nga shërbimet konsullore helene, në vendet e origjinës së emigrantit. Ministri i Punëve të Brendshme, Prokopis Pavlopulos, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Rendit, Jorgo Vulgaraki, në Athinë, deklaroi se projektligji garanton të drejtat e emigrantëve dhe, paralelisht, u jep mundësinë të gjitha organeve greke të zbatojnë saktësisht ligjin. "ERT", nuk jep asnjë informacion në lidhje me koston financiare, për sigurimin e lejës së qëndrimit, që sipas shoqatave të emigrantëve të huaj, por edhe atyre greke për të drejtat e njeriut, mendohet të jetë shumë e lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›