Komisionet zonale të zgjedhjeve, mbledhja e parë më 1 prill
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi se mbledhja e parë e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor do të mbahet në datat 1 e 2 prill 2009, ditën e mërkurë dhe të enjte, ora 10:00, në zyrat e KZAZ-ve. Qëllimi i këtyre mbledhjeve është konstituimi i tyre. Në përputhje me vendimin e KQZ-së, sekretari i KZAZ-së merr masa për njoftimin e anëtarëve dhe përgatitjen e mbledhjes së parë të KZAZ-së. Me vendimin nr. 35, datë 26.03.2009, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar anëtarët e KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2009. Në nenin 28 pika 1 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendim për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, gjithashtu në Udhëzimin e KQZ-së, nr. 2, datë 25.03.2009 përcaktohet se mbledhja e parë e KZAZ-ve thirret me vendim të KQZ-së. Ky vendim bëhet publik dhe u dërgohet partive politike, të cilat kanë propozuar anëtarët e KZAZ-së. Vendimi përmban: datën, vendin dhe orën e mbledhjes së parë të KZAZ-së.
Ruli: Nuk jemi prekur nga kriza
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha dje se vendi nuk është prekur nga kriza ekonomike. Deklarata e ministrit u bë dje në Gjirokastër, ku i ftuar në një media lokale, Ruli tha se Shqipëria ka rritje ekonomike. “Të bësh një propagandë për krizën do të thotë se po bën një politikë keqdashëse me shqiptarët. Kjo strategji nuk ka për të ecur. Qeveria e djathtë ka marrë të gjitha masat për të përballuar efektet e krizës globale, duke grumbulluar burime të mjaftueshme financiare dhe duke ndërmarrë politika lehtësuese për biznesin”, - deklaroi Ruli. Ai tha më tej se kriza ekonomike ka prekur shumë vende të Ballkanit, nuk mund të prekë Shqipërinë, pasi janë ndjekur politika të qëndrueshme me bankat e nivelit të dytë. Ministri foli edhe për politikat ekonomike në mandatin e dytë. “Ne tashmë jemi ndarë përfundimisht nga situata me të cilën u përballëm në vitin 2005. Gjatë vitit të kaluar qeveria shqiptare ka nënshkruar 55 kontrata me orientim të qartë në fushën energjetike”, - shtoi ai. Ministri i Ekonomisë foli edhe për investimet e kryera gjatë këtij mandati qeverisës. “Gjatë katër viteve është investuar pesë herë më shumë se sa qeveria 8-vjeçare e Partisë Socialiste, një tregues sintetik që shpreh edhe një herë mundësinë e Shqipërisë për t'u futur në strukturat e Bashkimit Evropian”, - deklaroi Ruli.