E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e re e PS-së, mbështetje vetëm tek mosha e tretë



Baza e PS-së duket se nuk ka ndryshuar, ndonëse lidershipi i ri i saj artikulon politika në mbështetje të të rinjve. Politika e re e Partisë Socialiste është munduar të sjellë të rinj në moshë në parti, si dhe në ligjërimin politik, pjesa më e madhe i është kushtuar të rinjve. Edhe në takimet elektorale, banderolat janë mbuluar nga të rinjtë, ndërsa të vjetrit janë tentuar të mbahen prapa, duke mos i fokusuar as edhe në kamerat televizive. Sondazhi i “Gani Bobi”-t, i bërë publik pak ditë më parë, ka tentuar të lexojë votën sipas moshës së qytetarëve. Përtej rezultatit të votimit, i cili mund të kontestohet, por edhe për shkak të marzhit të gabimit, leximi i votës nëpërmjet moshës së votuesve nxjerr në disavantazh të dukshëm Partinë Socialiste. Të rinjtë në Shqipëri përbëjnë shumicën e popullsisë, ku mosha mesatare nuk i kalon të tridhjetat. Problemi i tyre i vetëm ka qenë mospjesëmarrja masive në votime. Potenciali i tyre është i madh për të gjetur mbështetjen e duhur për të fituar zgjedhjet, por PS-ja shihet ende si një forcë tradicionale, që nuk zbret përtej moshës 50 vjeç. Të paktën këtë thoshte sondazhi.

Shifrat

Sipas sondazhit, të rinjtë nga mosha 19 vjeç, pra ata që votojnë për herë të parë e deri në moshën 29 vjeç, votojnë 4.3 për qind më shumë PD-në. Situata është e ngjashme edhe për moshën e votuesve nga 29 deri në 39 vjeç. 6 për qind më shumë e votuesve në këtë moshë votojnë PD-në. Por PS-ja është në disavantazh edhe në moshën e mesme, nga 39 vjeç deri në 49 vjeç. Sipas sondazhit të “Gani Bobi”-t, 3.2 për qind më shumë e votuesve preferojnë PD-në.

Situata duket premtuese, si gjithnjë pa ndryshuar aspak për PS-në, në moshat e treta. Vetëm votuesit pas moshës 50 vjeç votojnë PS-në. Por edhe në këto mosha, të njohura si tradicionale që votojnë në shumicë majtas, shifrat tregojnë se diferenca ka rënë. Nga mosha 50 deri në 60 vjeç, PS-ja ka një avantazh prej 7.8 për qindësh. Nga mosha 60 deri në 70 vjeç, PS ka një avantazh prej 4.5 për qind dhe akoma më të vogël në moshat mbi 70 vjeç. Nga pikëpamja e parë, duket se beteja për tërheqjen e elektoratit e ka fituar PD-ja. Qeverisja e PD-së ka pasur politika për moshën e tretë, si rritja e pensioneve në masë, e cila duket se ka dhënë rezultat. Nga ana tjetër, PS-ja, duke ditur mbështetjen në moshat e treta, ka zhvendosur prej vitesh vëmendjen, nën drejtimin e Edi Ramës, tek moshat e reja. Rreth 4 vite opozitë të Ramës duket se nuk kanë dhënë efekt, edhe pse politika e tij ka dashur të kthehet në një frymë ndryshimi tek të rinjtë. Kryetari i PS-së ka thënë se të rinjtë janë fryma e ndryshimit dhe se me ta do të ndërtohet politika e zhvillimit të një Shqipërie tjetër, por sipas shifrave të sondazhit, kjo betejë është humbur nga PS-ja.

Banimi

Sondazhi nxirrte se për sa i përket pjesëmarrjes, 76 për qind e qytetarëve do të marrin pjesë në votime. Ndërkohë 9 për qind nuk kanë vendosur ende, ndërsa 15 për qind nuk do të marrin pjesë. Kjo shifër u interpretua si dëshirë për të ndryshuar vendin, pasi shifra është e lartë. Në rast se merret ky interpretim, sasia e votuesve shtohet nga të rinjtë dhe sipas shifrave të sondazhit, ndryshimi mund të shkojë tek një mandat i dytë i së djathtës. Duket se PS-ja ka arritur që të fitojë mbështetjen e femrave në votime. Në masë të madhe, gjinia femërore preferon politikën e Edi Ramës. Sondazhi shkruante se 20 për qind më shumë e femrave do të votojnë PS-në, ndërsa meshkujt ishin në kuota të barabarta. Ndoshta politika e re e Ramës mund të ketë pasur efekte tek femrat. Për sa u përket votave në vendbanime, gjendja duket në baraspeshim, ku PS-ja ka një avantazh në zonat urbane. Qendra duket e baraspeshuar në zonat rurale, të cilat përbëjnë pak më shumë se gjysmën e popullsisë. Në zgjedhjet lokale, PD-ja mori shumicën e komunave, por sipas sondazhit, për zgjedhjet e përgjithshme, PD-së do t’i duhet të joshë përsëri fshatin.

Sondazhi nxori PD-në fituese

Në sondazhin e “Gani Bobi”-t, PD-ja rezultoi fituese e zgjedhjeve me 3.1 për qind diferencë me PS-në, gjithmonë në rast se zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e kaluar. “Gani Bobi” ka pyetur rreth 1.290 qytetarë shqiptarë në të 12 qarqet e vendit. Rezultati i publikuar i përshtatet Kodit të ri Zgjedhor. Rezultatet tregojnë se PD-ja do të fitonte 45.6 për qind, ndërsa PS-ja do të merrte 42.5 për qind. Të dhënat e tjera tregojnë se LSI plus PSV’91 do të merrnin së bashku jo më shumë 6.2 për qind, G99 do të merrte 2.3 për qind, PR-ja 1 për qind, PBDNJ-ja 1.1 për qind, ndërsa të gjitha partitë e tjera bashkë, 1.3 për qind. Duke iu përshtatur Kodit të ri Zgjedhor, Partia Demokratike do të merrte 66 mandate deputetësh, Partia Socialiste do të merrte 62 mandate, LSI-ja do të merrte 5 mandate. Ndërkohë, 7 mandate llogariten të diskutueshme për shkak të formulave matematikore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›