E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Evropain, pesë kushte për Kosovën

14-07-2012 / Gazeta 55

“Ndër më kryesoret reforma zgjedhore dhe ajo në administratë”

Komisioni Evropian kërkon nga autoritetet e Kosovës të shënojnë përparime të prekshme në pesë fusha. Aty përmenden sundimi i ligjit, integrimi i minoriteteve, reformat në administratë, reformat zgjedhore dhe zhvillimi i tregtisë së lirë. Përparimet në këto fusha konsiderohen si parakusht për të ecur përpara në procesin e Stabilizim - Asociimit. Takimi i tretë i mbajtur në Prishtinë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të Brukselit, ku u diskutua perspektiva evropiane e Kosovës, ka sjellë sërish si rezultat zotimin e institucioneve vendase për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e parashtruara nga Komisioni Evropian. Zëvendësdrejtori në Drejtorinë e Përgjithshme për zgjerimin në Komisionin Evropian, Jost Korte i rikujtoi autoritetet e Prishtinës kryesisht me detyrimet e marra në procesin për integrimin në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hasim Thaçi i siguroi përfaqësuesit e BE-së për përkushtimin e qeverisë që ai drejton në përmbushjen e kritereve të kërkuara. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka kërkuar që përmbushja e kritereve nga ana e qeverisë të vlerësohet në mënyrë të merituar si çdo shtet tjetër të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, Përfaqësuesi i Posaçëm dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se Kosova ka fituar tashmë perspektivën e saj evropiane duke premtuar mbështetje në këtë procese. Konkluzionet e takimit të së premtes të dialogut për Stabilizim - Asociim do të përfshihen në Raportin e ardhshëm të progresit që publikohet nga mesi i muajit tetor. Në kuadër të proceseve integruese, përparimet më të mëdha që ka shënuar Kosova, kanë të bëjnë me fillimin e studimit të fizibilitetit si hapi i parë drejt marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit në të ardhmen dhe lançimi i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave si një indikator që edhe qytetarët e Kosovës për pak vjet do të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›