E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Evropian: Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2008 janë thelbi i kërkesave që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë si detyrë për të realizuar në vitin e ardhshëm. Progres-Raporti për vitin 2008, thekson se Shqipëria duhet të kryejë një proces të rregullt zgjedhor. Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan, deklaroi se zgjedhjet parlamentare duhet të organizohen sipas të gjitha standardeve evropiane dhe duke u konsultuar me të gjithë aktorët politikë. Edhe pse ka legjitimuar Parlamentin, ambasadori Lohan ka kërkuar nga dy forcat kryesore politike që të zhvillojnë një proces të plotë gjithëpërfshirës për hartimin dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Lohan theksoi se përgatitjet për zgjedhjet parlamentare duhet të mbyllen sa më shpejt, në mënyrë që të nisë puna e administratës që do të përgatisë procesin elektoral. Ai theksoi gjithashtu se përgatitjet për reformën zgjedhore duhen bërë brenda suazave të Kuvendit.

Progres-Raporti i Bashkimit Evropian flet në mënyrë të qartë edhe për përplasjen institucionale në Shqipëri midis mazhorancës dhe Presidentit, që solli rrëzimin e kandidaturave të kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë. Në dokument theksohet tekstualisht se "marrëdhëniet në mes Parlamentit dhe Presidentit u bënë të vështira disa herë. Parlamenti rrëzoi propozimet e Presidentit për gjykatësit e Gjykatës së Lartë në qershor dhe aprovoi disa të tjerë më vonë". Ndërkaq, në lidhje me sistemin gjyqësor, Progres-Raporti thekson se disa herë, në vend ka pasur përplasje institucionale në këtë sektor. Disa herë nuk janë marrë parasysh mendimet e grupeve të interesit për hartimin e legjislacionit të kërkuar. Ndërkaq, në lidhje me sistemin e drejtësisë, Progres-Raporti thekson se "në disa raste janë vënë re ndërhyrje të qeverisë në hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme". Komisioni Evropian kërkon nga qeveria shqiptare të ndihmojë për pavarësinë, transparencën dhe eficencën e sistemit të drejtësisë. Në dokumentin e miratuar dje, theksohet se

"kultura e dialogut midis partive politike dhe pavarësia e institucioneve shtetërore kërkon konsolidim të mëtejshëm për të lejuar funksionimin efikas të sistemit politik. Pavarësisht nga përmirësimi në perceptimin publik, korrupsioni mbetet një

problem veçanërisht serioz, sikurse edhe krimi i organizuar. Vëmendje e veçantë nevojitet për vazhdimin e reformës së gjyqësorit. Rezultate të përmirësuara nevojiten gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›