E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët bllokojnë rrugën Durrës-Kukës-Kosovë

Një numër banorësh në fshatin Morin të Kukësit kanë bllokuar të mërkurën paradite për disa orë aksin e rrugës Kukës-Prizren për shkak se nuk janë shpronësuar për tokën që zë traseja e autostradës Durrës-Morin. Që nga koha e botimit para dy vitesh në "Fletoren zyrtare" të një liste për pronat që do të mund të shpronësoheshin, ku qe llogaritur vetëm një rrugë e thjeshtë me dy korsi, me ndryshimin e projektit ka pasur ndryshime edhe lidhur me pronat. Shuma e caktuar në të ka qenë llogaritur te shifra rreth 80 milionë lekë të reja për Kukësin, por kjo shifër është shumëfishuar me projektin e autostradës, si dhe me një numër pronash që nuk kanë qenë të përfshira apo të njohura më herët. Institucionet shtetërore nuk kanë mundur t‘u përgjigjen në kohë ritmeve të rrugës për sa i takon shpronësimit dhe për këtë shkak nuk kanë munguar paralajmërimet kërcënuese për bllokim të rrugës.

Bllokimi i aksit

Në mëngjes herët, në dy anët e bllokuara të rrugës ishte formuar një varg i gjatë automjetesh deri në 2.5 km, pasi e mërkura është edhe ditë pazari në Prizren, sepse në Morin, te vendi i varrezave publike, 1 km larg doganës, disa banorë kishin ngritur pengesa me gurë të mëdhenj dhe trungje. Gjatë kësaj kohe ka pasur konfuzion dhe debate të ashpra mes banorëve, shoferëve të shumtë, por edhe pasagjerëve që kërkonin të kalonin dy anët e kufirit. Konfuzioni dhe debatet kërcënuese kanë përfshirë edhe policinë e Komisariatit të Kukësit, e cila ka rendur në vendngjarje me një grup prej 15 policësh për të normalizuar situatën. Në vendngjarje kanë shkuar dhe përfaqësues të prefekturës, të cilët kanë dialoguar me grupin protestues, por pas ndërhyrjes së policisë situata është tensionuar, ndonëse nuk ka degraduar në dhunë fizike. Pas një përplasjeje me të shtyra dhe sharje mes palëve, në orën 10:30 të paradites është arritur të zhbllokohet rruga dhe qarkullimi më pas ka vijuar normalisht.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›