E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Topi u thirr si titullar jo si deshmitar

Komisioni hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore në datën 21 janar 2011 është i gatshëm të marr dëshminë e presidentit edhe në presidencë. Këtë gjë e bëri publike kryetari i këtij komisioni, Eduar Halimi ndërsa është vënë në dijeni edhe kreu i shtetit, përmes një shkrese që i është dërguar këtë të enjte.

"Komisioni hetimor është i gatshëm të zhvillojë këtë vizitë dhe pranë institucionit të presidentit", tha Halimi. Pas refuzimit të presidentit për tu paraqitur në komision, Eduard Halimi tha se thirrja e tij nuk ishte për të dëshmuar, por vetëm për të përcjellë të dhëna dhe informacione.

"Presidenti i republikës është thirrur në këtë komision hetimor parlamentar për të përcjellë të dhëna, informacione dhe dokumenta zyrtare si titular i vetëm i institucionit të presidencës sic parashikohet në nenin 14, shkronja b, të ligjit 8891 të datës 02.05.2002 për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare ne shpresojmë se presidenti do t’i përgjigjet këtij detyrimi ligjor", vijoi Halimi.

Pas kësaj, i menjëhershëm ishte reagimi nga institucioni i presidentit. Këshilltari juridik i kreut të shtetit, Spiro Peci, e cilësoi një miopi juridike argumentimin e Eduard Halimit. Ai thotë se presidenti nuk ka asnjë detyrim për të dhënë informacion. "Neni i cituar, bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre. Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucioni. Dua të theksoj se askush, nuk mund të verë në dyshim apo të komentojë, faktin që Presidenti është institucion dhe jo titullar institucioni.Në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione", deklaroi Spiro Peci.

Një ditë më parë ishte në komision prokurorja e përgjithshme Ina Rama e cila refuzoi ti përgjigjej pyetjeve të deputetëve, ndërsa vuri në dukje se në pozicionin që ajo mban, nuk mund të prononcohet për cështje hetimore që kanë element të përbashkët mes prokurorisë dhe komisionit parlamentar.

Taulanta Boja Azhornuar së fundi ( e enjte , 03 shkurt 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›