E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet tregtari, mbolli hashash në oborrin e shtëpisë

Ardian Qerimit të dënuar për drogë, iu gjetën në shtëpi disa rrënjë kanabisi


TIRANË - Policia arreston tregtarin e rrobave, me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Në banesën e tij, policia bllokon një sasi rrënjësh të dyshuara si kanabis të mbjella në bahçe.


Pas një hetimi katër mujor, strukturat e antidrogës në Policinë e Tiranës kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të një tregtari rrobash me banim në kryeqytet, i dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike.


Ardian Qerimi, 27 vjeç, është arrestuar në orët e mbrëmjes të ditës së hënë nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, në policinë e kryeqytetit, pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij që ndodhet në rrugën "Halit Bega", ku janë gjetur dhe sekuestruar disa bimë që dyshohet se janë narkotike e llojit kanabis sativa.


Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës, pohuan dje për "Shekullin", se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 27 vjeçarit Qerimi, janë gjetur 13 rrënjë bime të mbjella pranë shtëpisë si dhe një sasi bime e ambalazhuar e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.


Përveç këtyre, policia ka sekuestruar në banesën e Qerimit edhe një sasi prej 46 gr lëndë që dyshohet se është drogë e llojit kanabis sativa si dhe një telefon celular që përdorej nga Qerimi.


Sipas të dhënave, mësohet se 27- vjeçari, lindur dhe banues në Tiranë, punonte si tregtar rrobash në tregun e vendosur pranë stacionit në trenit në kryeqytet. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se i arrestuari kultivimin e lëndëve narkotike në territorin e banesës së tij e kryente prej gati një viti.


Madje mësohet se për të patur sa më shumë përfitime nga ky aktivitet, i arrestuari për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike kishte krijuar një vend të posaçëm për kultivimin e bimëve, që specialistët e seksionit të antidrogës në Policinë e Tiranës, dyshojnë se janë narkotike.


Burimet policore lidhur me rastin në fjalë pohuan dje, se pas informacioneve të marra, banesa dhe aktiviteti i tregtarit të rrobave, janë mbajtur nën vëzhgim për një periudhë katër mujore.


Pas arrestimit, Qerimi është marrë në pyetje nga specialistët e seksionit të antidrogës, për të rrëfyer për aktivitetin që kryente. Policia e kryeqytetit, pas arrestimit të 27- vjeçarit nga Tirana, po heton nëse ka persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me të arrestuarin.


Materialet hetimore në ngarkim të Ardian Qerimit, do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›