E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të akuzuarit, fajësojnë të vdekurit

"Banda e Cërrikut"

Dy të akuzuarit kryesorë rrëfyen dje për organizimin e postblloqeve në Cërrik dhe mbledhjen e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar në Vlorë


Met Bozi, tregoi dje se Granatat mbi blindin e Gardës, ku mbetën të vdekur disa gardistë i hodhi Sokol Buzani


TIRANË- Dy nga nëntë të pandehurit e "masakrës së Cërrikut" të cilësuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatorë të kësaj masakre, Meti Bozi e Llazar Bicja, hodhën poshtë akuzat, duke vetëdeklaruar pafajësinë e tyre në këtë çështje, ndërsa akuzuan disa prej të vdekurve të këtij grupi për ngjarjen.


Kërkesa e prokurorit të çështjes, Anton Martini, e pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda ka vazhduar seancën e djeshme me marrjen në pyetje të të pandehurve Meti Bozi e Llazar Bicja.


Asnjëri nga dy të pandehurit, nuk pranoi se kanë qenë organizator i vrasjes së gardistëve dhe plagosjes së 16 të tjerëve, mëngjesin e datës 23 maj të vitit 1997 të njohur ndryshe si "Masakra e Cërrikut". I pari që ka pranuar të japë shpjegime ka qenë i pandehuri Meti Bozi, që për gati katër orë ka rikujtuar imazhet e asaj "masakre" sipas versionit të tij për ngjarjen.


"Nuk kam qenë kryetar i Komitetit të Shpëtimit dhe as kryetar i Partisë Socialiste në Cërrik, siç ka pretenduar bashkë i pandehuri Bujar Buzani. Kryetar i Komitetit ka qenë Llazar Bicja, të cilin vetëm njëherë e kam shoqëruar në një mbledhje në Vlorë.


Ku mua nuk më lanë të futesha brenda përveç kryetarëve të Komiteteve të Shpëtimit në nivel kombëtar, por, aty në sallë pashë Sabri Godon e politikanë të tjerë që nuk i kujtoj tani emrat.


Unë personalisht nuk kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të Komitetit dhe nuk kam organizuar njerëz për të marrë pjesë apo vendosur nëpër tarracat e pallateve më datën 23 maj 1997 kur ka ndodhur ngjarja në Cërrik.


Momentet e ngjarjes, ose atë paradite nuk kam qenë në shtëpi, por, një natë më parë, mora vesh se është shpërbërë posta e policisë, ku mësova se policët kishin ikur në mënyrë vullnetare nga kjo postë. Atë pasdite jam kthyer në qytet ku mora vesh për ngjarjen dhe kam ndihmuar të nxjerr viktimat nga blindi ku ishin djegur.


Atë ditë nuk i mora vesh emrat e të vdekurve dhe nuk e di pse ndodheshin dy ushtarakë të plagosur në familjen Dekolli. Të nesërmen e ngjarjes kam mësuar se shtetasi Sokol Buzani tashmë i vdekur ka qenë ai që ka hedhur granatën në blindën e Gardës.


Unë nuk kam marrë pjesë në këto vrasje që më akuzon prokuroria e Bujar Buzani dhe as nuk i kam premtuar ndonjërit viza për në Amerikë apo të kem organizuar ruajtjen apo mbrojtjen e qytetit nga policia,- tha Bozi, që në disa raste ishte konfuz me përgjigjet e tij.


Më pas, seanca gjyqësore ka vazhduar me marrjen në pyetje të të pandehurit Llazar Bicja, i cili ka pranuar se ka drejtuar Komitetin e Shpëtimit në Cërrik, por nuk ka organizuar ndonjë pritë apo vrasje të Gardës apo Policisë. "Unë kam qenë kryetari i Komitetit, por, nuk kam marrë pjesë apo urdhëruar në jetën time ndonjëherë të kryhet një krim apo vrasje.


Edhe postblloku i ngritur në hyrje të qytetit të Cërrikut ka qenë vetëm për ta ruajtur qytetin nga vjedhjet e bandave dhe hasmëritë që kishin qytetarët e Cërrikut me njerëz të tjerë. Nuk kam organizuar apo premtuar viza për të marrë pjesë në pritën e Gardës, ku mbetën të vrarë 6 gardistë e 16 të tjerë që qenkan plagosur.


Unë kam kërkuar një hetim të plotë për ngjarjen, për të nxjerrë autorët e vërtetë para drejtësisë, por nuk kam qenë unë ai që kam organizuar apo vrarë ndonjë gardist",-tha Bicja, duke iu përgjigjur në disa raste prokurorit vetëm me përgjigjen "nuk e di ose nuk mbaj mend".


Sipas kërkesës për gjykim dhe të penduarit të kësaj "bande" kanë qenë të pandehurit Llazar Bicja, Roland Xhepexhiu dhe Meti Bozi, ata të cilët kanë urdhëruar të qëllohet mbi makinat e policisë dhe gardistëve që kishin hyrë në qytezën e Cërrikut mëngjesin e 23 majit të vitit 1997, ku për pasojë u vranë 6 gardistë dhe u plagosen 16 të tjerë, të cilët kishin shkuar në atë qytet për të rikthyer rregullin dhe ligjin, pasi një natë më parë ishte djegur Komisariati i Policisë në këtë qytet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›