E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen për Eurobondin

TIRANE- Eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, që qeveria shqiptare do të emetojë në tregun ndërkombëtar do të ketë një normë interesi deri në 7.5% dhe do të merret për një afat 5 vjecar. Zv.Ministri i Financave, Nezir Aldeda e ka konsideruar një veprim të zgjuar ekonomik marrjen e këtij borxhi për të shlyer kredinë 300 milionë euro me interes 11.5% të marrë vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës duke hedhur kështu poshtë edhe akuzat e opozitës për thellim të borxhit të vendit.
“E gjithë bota merr borxh për të larë borxh dhe ne po marrim një pjesë të këtyre që do rezultojnë nga eurobonder dhe kështu po shlyejmë një financim më të shtrenjtë me një më të ulët. Të marrësh një borxh më të lirë për të shlyer një borxh më të shtrenjtë është gjëja më e zgjuar dhe më e pranueshme. Në këtë aspekt, pavarësisht nga teoritë e krizës , njerëzit që nuk e shikojnë kështu e shohin krizën në aspekte të tjera dhe jo në aspektin ekonomik.” u shpreh zv.ministri i Financave, Aldeda.
Këtë deklaratë numri 2 i dikasterit të financave e bëri në komisionin parlamentar të Ekonomisë gjatë miratimit të marrëveshjes me bankat e huaja për emetimin e Eurobondit. Ai ka deklaruar se mbetet prioritet ulja e borxhit nën 50 % të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 59.55 e GDP-së që është aktualisht niveli i këtij treguesi.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›