E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm miraton Laukën si ambasador në Kosovë



Komisioni i Jashtëm ka miratuar dje, me konsensusin e të gjithë anëtarëve të pranishëm, emrin e Islam Laukës në postin e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. Lauka, i cili ka qenë dhe propozimi i vetëm për këtë post që pas 28 shkurtit të vitit të kaluar, ka ngjallur jo pak debat në komision. Kjo për faktin se ndonëse kandidatura kishte mbërritur për shqyrtim në Kuvend, prej pothuajse një viti ishte pezulluar. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, ka fajësuar për këtë vonesë Ministrinë e Jashtme.
“Për Islamin nuk kam absolutisht asgjë. Por ne, përballë publikut, nuk mund të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Minimalisht, jo ministri, jo zëvendësministri, por sekretari i Përgjithshëm duhej te ishte sot prezent”, - tha deputeti socialist Kastriot Islami. Ndërsa kryetari i Komisionit, Zogaj, u shpreh se vonesa në diskutimin e kandidaturës së Laukës është krijuar nga Ministria e Jashtme. “Komisioni i Jashtëm dhe Ministria e Jashtme janë dy institucione të pavarura, por që bashkëpunojnë. Veprimi i njëanshëm i njërit institucion nuk është në favor të vetë atmosferës, klimës dhe të momentit të emërimit të ambasadorit”, - është shprehur Zogaj.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›