E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 milionë lekë për dëmshpërblimin e banorëve të Gërdecit



Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond tjetër për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar nga shpërthimi i depos së demontimit të armëve në Gërdec. Në vendimin e djeshëm të qeverisë është parashikuar që fondi prej mbi 5 milionë lekësh t’i shtohet buxhetit të Ministrisë së Brendshme për të dëmshpërblyer banorët e fshatit Gërdec. Qeveria ka miratuar edhe listën e personave që përfitojnë nga ky fond dhe ngarkon Bashkinë e Vorës të kryejë pagesat për familjarët. “Për përballimin e efekteve financiare, që rrjedhin nga ky vendim, si dhe të diferencës së evidentuar në shumën e dhënë me Vendimin Nr.630, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e vitit 2009, t’i shtohet fondi 5 027 000 (pesë milionë e njëzet e shtatë mijë) lekë. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i vitit 2009. Ngarkohet Bashkia e Vorës të kryejë pagesat për familjarët, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.

Qeveria miraton marrëveshjen me Greqinë për varret e ushtarëve grekë

Qeveria shqiptare ka miratuar, gjatë mbledhjes së djeshme, marrëveshjen e bashkëpunimit me Këshillin e Ministrave të Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane në vitin 1940-1941. Në këtë marrëveshje parashikohet dhe ndërtimi i një varreze për ta në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një vendim i tillë është marrë nga qeveria shqiptare në të njëjtën ditë ku në Greqi është diskutuar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›